
Prokuroria e Posaçme e ka pranuar se ka dështuar të vendosë në pranga bosët e krimit të organizuar në vend. Kreu i kësaj prokurorie, Altin Dumani, raportoi pak ditë më parë në Kuvend dhe u shpreh se shumë kriminelë kanë ikur në Dubai, duke qenë të paprekshëm. Mirëpo kur vjen puna te përgjegjësitë, SPAK topin e largon nga vetja.
Dumani ka folur sot për mediat dhe ka deklaruar se të drejtën e ekstradimeve e ka Ministria e Drejtësisë dhe jo SPAK, duke ja kaluar topin Ulsi Manjës.
“Prokuroria e Posaçme ka transmetuar pranë Ministrisë së Drejtësisë katër kërkesa për ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë akoma në proces shqyrtimi nga autoritetet arabe. Ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Unë e kam adresuar këtë problem në raport, ju takon autoriteteve të tjera për ta ndjekur në vijim”, tha Dumani në “Tv Klan”.
Por ajo që vihet re është se SPAK po ecën njësoj si sa i takon luftës antikorrupsion, ashtu edhe në luftën ndaj bandave kriminale. Në rastin e korrupsionit po goditen zyrtarë të niveleve jo shumë të larta. Ministrat, deputetët dhe ish-kryeministrat janë ende të paprekshëm. Po ashtu edhe kur vjen puna te krimi, janë në qeli vetëm personazhe të dorës së dytë. Personat më të kërkuar të momentit kanë ikur jashtë vendit, shumica në Dubai.
Eldi Dizdari është pikërisht një nga emrat më të përfolur të krimit në Shqipëri, që fshihet në Dubai. Dizdari u arrestua në vitin 2020 në Dubai, aty ku fshihej pas arratisë nga Shqipëria. Ndalimi i tij erdhi pas një aksioni të ndërrmarrë nga Europol në 9 vende të Evropës. Por ai nuk po ekstradohet. Plarent Dervishaj është një tjetër personazh shqiptar i botës së krimit, që fshihet në këtë parajsë. Këta emra dihen, por ka me dhjetra të tjerë që jetojnë atje dhe autoritete nuk kanë dijeni.
Lini një Përgjigje