TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Mars 2026, 12:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Skandali seksual në KLP
SPAK dhe BKH nisin hetimet ndaj Olger Eminajt

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet pas transmetimit në emisionin “STOP” të rastit skandaloz në KLP, ku një prej anëtarëve i kërkonte favore seksuale një qytetareje.

Bëhet fjalë për Olger Eminajn, i cili në materialet e siguruara nga “Shoqata Media dhe Drejtësi” dhe të transmetura në emision, shfaqet në komunikime me përmbajtje erotike me një grua, e cila kishte kërkuar ndihmë pranë KLP-së lidhur me një çështje ndaj prokurores së Tiranës, Rovena Zoto.

Sipas gazetarit Elton Qyno, procedimi penal është regjistruar kryesisht mbi bazën e pamjeve filmike të transmetuara, ku përveç bisedave, shfaqen edhe materiale me përmbajtje intime. Rasti ka tërhequr vëmendjen e institucioneve të drejtësisë, ndërsa në proces janë përfshirë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Sipas burimeve, me urdhër të prokurorit të gatshëm është caktuar një oficer i BKH-së për të administruar materialet e siguruara nga gazetarët e emisionit “STOP”. Këto materiale pritet t’i vihen në dispozicion hetuesve, ndërsa në vijim do të kryhen veprime të tjera procedurale.
Në ditët në vijim pritet të thirren për t’u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë në këtë rast, përfshirë Olger Eminajn dhe gruan që shfaqet në materialin e publikuar. Skandali ka shkundur gjithë sistemin e drejtësisë, por vetëm KLP dhe ILD nuk reagojnë.

Kryebashkiaku merr dosjen e plotë nga SPAK
Gjyqi në themel, sot seanca e dytë ndaj Veliajt në GJKKO

Në GJKKO mbahet sot seanca e dytë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj të cilit ka nisur gjykimi në themel lidhur me dosjen e SPAK-ut.

Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Bashkë me Veliajn në dosjen e SPAK përfshihet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxe, si dhe 28 shoqëri dhe persona.

Kryebashkiaku i Tiranës është arrestuar në shkurt të 2025-ës në zyrën e tij, ndërsa vazhdimisht ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg. Ai ka arritur të fitojë në Kushtetuese ndaj Kryeministrit Edi Rama, i cili dirigjoi procesin e shkarkimit të Veliajt si Kryebashkiak i Tiranës, por Gjykata e konsideroi nul të gjithë procedurën.

Seanca e parë e themelit ndaj Veliajt dhe personave të tjerë të përfshirë në dosjen e SPAK u mbajt në 9 mars, por Kryebashkiaku nuk ishte prezent në sallën e gjyqit. Gjithsesi GJKKO pranoi kërkesën e paraqitur nga mbrojtësit ligjorë të Kryebashkiakut, që këtij të fundit t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet e dosjes hetimore.

Fakti që nuk kishte marrë aktet e dosjes hetimore u përdor nga Kryebashkiaku për të kundërshtuar kalimin e dosjes në fazën e gjykimit në themel.

Pas vendimit të GJKKO-së, SPAK, përmes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i dorëzoi 28 mijë faqe nga 72 fashikujt e dosjes, në funksion të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.

Gara për Drejtorin e Policisë së Shtetit
Sot intervistat e 14 kandidatëve

Nis sot procesi për përzgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, një nga postet më të rëndësishme në strukturën e sigurisë në vend, ku 14 kandidatë do të paraqiten para komisionit të posaçëm në Ministrinë e Brendshme për të shpalosur platformat e tyre dhe për të kaluar fazën e intervistimit. Seancat dëgjimore pritet të zhvillohen sipas një rendi të përcaktuar, ku çdo kandidat do të ketë në dispozicion 20 minuta për prezantim dhe më pas do t’i nënshtrohet pyetjeve nga anëtarët e komisionit, në një proces që synon të testojë aftësitë drejtuese dhe vizionin për drejtimin e Policisë së Shtetit.

Komisioni vlerësues përbëhet nga një zv.ministër i Brendshëm në rolin e kryetarit, sekretarja e përgjithshme e ministrisë dhe drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët do të japin vlerësimin mbi bazën e një sistemi pikëzimi prej 100 pikësh. Në këtë sistem, pesha më e madhe i takon aftësive organizative dhe drejtuese me 50 pikë, ndërsa vlerësimi profesional llogaritet deri në 30 pikë, integriteti dhe morali me 10 pikë, si dhe elementë shtesë si gjuhët e huaja apo kualifikimet akademike me 10 pikë të tjera.

Megjithatë, përtej këtij formati formal dhe të strukturuar, procesi shoqërohet edhe me dyshime dhe raportime jozyrtare. Bëhet me dije se gjatë verifikimeve të kryera nga institucionet ligjzbatuese, përfshirë SPAK, SHISH, AMP dhe struktura të tjera të sigurisë, disa prej kandidatëve kanë rezultuar me problematika në të kaluarën e tyre, çka hedh hije mbi filtrin e pastërtisë së figurës dhe ngre pikëpyetje mbi standardin e garës. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por shtojnë interesin dhe vëmendjen mbi procesin.

Masa të reja sigurie
Garda blindon GJKKO-në

Në Gjykatën e Posaçme kanë hyrë në fuqi masa të reja sigurie duke filluar nga dita e martë, në kuadër të një plani të përditësuar për mbrojtjen e institucioneve gjyqësore.

Në hyrje të godinës është vendosur një punonjës i Gardës, ndërsa çdo person që kërkon të hyjë në ambientet e gjykatës i nënshtrohet kontrollit fillestar përmes skanimit fizik. Pas këtij hapi, kontrolli vijon me një skaner të dytë, më të detajuar, brenda ambienteve të brendshme.

Edhe procesi i daljes nga godina zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, të ngjashme me procedurat që aplikohen në institucione me rëndësi të veçantë.

Këto masa u miratuan pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Pas ngjarjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkoi rritje të nivelit të sigurisë në gjykata. Deri tani, zbatimi i plotë i këtij plani është realizuar vetëm në Gjykatën e Posaçme.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00

1 Komente

  1. T
    Tony

    Na tregoni dicka te bukur e te mire qe te na qeshe fytyra. C'ju ka shkrepur ne maje te kokes qe ne servirni kerma te qelbura e te shemtuara. Na trgoni dicka te bukur, se Shqiperia nukj eshte vetem qelbesirellek.

    Lini një Përgjigje