Aktualitet13 Prill 2024, 19:34

Vëzhgime e pajisje speciale, agjentët e BKH “rrethojnë” të korruptuarit; SPAK tenton të shmangë Forcat Operacionale

Shkruar nga Pamfleti
Vëzhgime e pajisje speciale, agjentët e BKH
BKH në aksion

SPAK nuk u zë më besë as Forcave Operacionale, 50 tenderë për të pajisur me aparatura speciale agjentët e BKH...

Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë në terren ‘armatën’ e agjentëve të Byrosë së Hetimit për të vënë nën përgjim apo monitorim të korruptuarit. Pas përplasjeve mes SPAK dhe BKH gjatë kohës që organi drejtohej nga Arben Kraja, situata ka ndryshuar dhe tani agjentët e BKH duket se po bëjnë dhe rolin e policisë.

Altin Dumani e tha gjatë raportimit në KLP se policët kanë lidhje me krimin dhe ata nuk mund të bashkëpunojnë ngushtë me ta. Por duket se SPAK nuk u zë më besë as Forcave Operacionale, të cilat janë përdorur deri më tani për të gjurmuar dhe vëzhguar subjektet nën hetim.

SPAK ka kërkuar që të rritet ndjeshëm numri i agjentëve, me qëllim që të shmangen nga procesi forcat e policisë.

Shtim i numrit të hetuesve të BKH-së, duke pasur parasysh se mbi 75% e hetimeve kryen prej tyre. Kjo lidhet edhe me problematikën e shfaqur në marrëdhëniet e besimit të SPAK me shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit, ku në jo pak raste është evidentuar përfshirja e punonjësve të policisë së shtetit në veprime korruptive dhe bashkëpunime me grupet kriminale”, thuhet në raportin vjetor të SPAK.

Po ashtu bëhet me dije se nga agjentët e BKH ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit proaktiv, në rastin e përgjimeve telefonike, por është rritur gjithashtu edhe aplikimi i metodave të posaçme të hetimit si: vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestro e provave materiale, letërporosi, agjentë të infiltruar etj.

Po ashtu bëhet me dije se gjatë vitit 2023, SPAK ka filluar një procedurë prokurimi për blerje të sistemeve e pajisjeve të teknikës operative, që do të përdoren për rritjen e efektivitetit të hetimeve.

Kjo procedurë është klasifikuar “sekret” dhe është parashikuar në shumën e 101 milionë lekëve të rinj, gati 1 milionë euro. Një tjetër procedurë e nisur është ajo për blerje sistemesh dhe pajisjesh elektronike në shumën e 84.5 milionë lekëve. 

Që kur nisi punën SPAK, janë hapur gati 50 tenderë, ku janë blerë kryesisht pajisje speciale, që përdoren nga prokurorët dhe agjentët e BKH për të monitoruar bosët e krimit dhe të korrupsionit. /Pamfleti