
Disa prej godinave të kompleksit “Mangalem 21” nuk janë pajisur ende me hipotekë...
Ndonëse me dy dosje në SPAK, Fatmir Bektashi vijon të betonizojë Tiranën, por jo vetëm. Qeveria, bashkia dhe institucionet e tjera janë vënë në dispozicion të tij, duke i mundësuar leje ndërtimi dhe favore të tjera.
Por për shkak të babëzisë së tij, po e pësojnë qytetarët. Kompania “Kontakt” e Fatmir Bektashit ka ndërtuar kompleksin “Mangalem 21”, kompleks i përfunduar prej afro 2 vitesh. Por banorët e godinave të ndërtuara në fund nuk kanë marrë akoma hipotekat e apartamenteve.
Sipas një denoncimi të mbërritur pranë “Pamfletit”, kompleksi ka 33 godina. Mirëpo godinat 30, 31, 32 dhe 33 nuk janë pajisur akoma me hipotekë nga Kadastra.
Për të qenë më të saktë. Siç po bëhet rëndom tani më, thuajse të gjithë qytetarët e prenotojnë apartamentin gjatë kohës që ai është në ndërtim, me marrëveshjen që pasi ai të ndërtohet, bëhet pjesa e mbetur e pagesës dhe më pas merret pronësia e apartamentit. Banorëve të godinave në fjalë u është premtuar se në verën e vitit 2023 ata do të kishin në dorë hipotekat, gjë që deri më sot nuk ka ndodhur.
Sipas vetë banorëve, të cilët janë interesuar te zyrat e kompanisë, problem janë bërë postet e parkimit. Sipas rregullave të reja, çdo pallat i ri që ngrihet duhet të mbulojë çdo apartament me poste parkimi. Për pallate të tjera, Bektashi e ka zbatuar këtë rregull, por jo për pallatet që ka ngritur në fund dhe kjo ka bërë që procesi për 4 godinat të bllokohet në Kadastër.
Si marifetçi që janë, banorët tregojnë se kompania “Kontakt” pritet të shfrytëzojë ndërtimin e kompleksit ngjitur “Mangalem21/Kadiu” për të plotësuar vendet e parkimit edhe për godinat në fjalë. Banorët kanë vite që mashtrohen me “jo do të dalë sot, jo nesër” dhe tani u është premtuar kur të mbarojë kompleksi i ri. Ndoshta është mashtrimi i radhës, por ata paralajmërojnë se do të ndjekin rrugën ligjore nëse kompania vijon t’i gënjejë.
Por pavarësisht të tilla parregullsive, Bektashi nuk ndalet. Ai merr leje ndërtimi sa herë t’i teket, pasi shumë shpejt pritet të nisë betonizimin e Pogradecit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje