Anti-Mafia23 Maj 2023, 15:18

Djallëzia e “bishtit” të shtuar nga politikanët te Kodi Penal, për të shpëtuar pasuritë e tyre

Shkruar nga Pamfleti
Djallëzia e “bishtit” të shtuar nga politikanët te
Kartona jeshilë

Do ndiqen penalisht e  dënohen, vetëm ata zyrtarë që prokuroria dhe gjykata do t’i përcaktojë se korrupsionin e kanë bërë për qëllim pasurimi. Ky është skenar i kupolës politike për të shpëtuar nga prangat e sekuestrimi veten dhe hajdutët e tyre vartës, mbasi korrupsioni nuk bëhet për hobi, por vetëm për përfitime...

Ditën e hënë, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës, të bashkëpunojë me maxhorancën për disa ndryshime e shtesa në Kodin Penal, si pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, duke kërkuar të mos pengohet miratimi i tyre, pasi duhet shumicë e cilësuar me 84 vota.

Propozimi i kryeprokurorit Olsian Çela, parashikon që në Kodin Penal të shtohet 1 nen i emërtuar: “Pasurimi i paligjshëm”, i cili parashikon sekuestrim pasurie e hetim për zyrtarët që nuk justifikojnë pasurinë, sipas nenit 20 të Konventës së OKB-së për luftën kundër korrupsionit.

Propozimi i Olsian Çelës është i qartë e taksativ për të goditur pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve shtetëror, mirëpo krerët e pushtetit në marrëveshje me krerët e opozitës kanë rënë dakord, për t’i shtuar një “bisht” nenit të propozuar në Kodin Penal.

Sipas variantit të ri që ka hedhur për miratim Taulant Balla, në nenin shtesë me objekt sekuestrimin e pasurive të paligjshme është shtuar ky “bisht”: Hetimi e sekuestrimi, bëhet vetëm në rastet, kur vërtetohet se korrupsioni i zyrtarëve është bërë për qëllime përfitimi e pasurimi”.

Këtë shtesë në Kodin Penal, krerët e politikës që janë në pushtet e ata që ishin në pushtet, po e paraqesin si gjoja “standard” të reformës në Drejtësi dhe forcimit të luftës kundër korrupsionit e sekuestrimit të pasurive me burim korrupsionin.

Por realisht, ata po e vendosin si siguri për të mos u prekur nga drejtësia, dhe për të mos iu sekuestruar pasuritë e siguruara nga aferat e korrupsionit që kanë urdhëruar apo kanë kryer vetë.

Pra, do ndiqen penalisht e do sekuestrohen, vetëm ata zyrtarë që prokuroria dhe gjykata, do përcaktojnë se korrupsionin me licencat, lejet e ndërtimit, tenderët, punësimet, ankandet, trojet, tokat e privatizimet, e kanë bërë për qëllim pasurimi, dhe jo për... bamirësi.

Ky është dukshëm, marifet për të mbrojtur veten dhe vartësit e tyre, mbasi korrupsioni nga zyrtarët nuk bëhet për hobi, por vetëm për përfitime që quhen vjedhje, prandaj në Kodin penal të çdo shteti është paracaktuar krim e jo akt humanizmi.

Po përse shtohet një nen tjetër, me klauzolë të qëllimshme paprekshmërie, kur për korrupsionin dhe sekuestrimin e pasurive të fituara prej korrupsionit, Kodi Penal ka Nenin 259 për zyrtarët e thjeshtë dhe Nenin 260 për zyrtarët e lartë, me të cilët janë arrestuar Lefter Koka, Alqi Bllako, 2 krye bashkiakë, zv’ministrja e arkës së peshkut e disa nëpunës.

Propozimi i shtesës së këtij neni nga Olsian Çela, është bërë qysh më 4 qershor 2021, por maxhoranca dhe opozita e kanë lënë në heshtje me mirëkuptim, mbasi lidhet me pasuritë e tyre.

Pas presionit të SHBA-BE dhe OKB në muajin prill, politika shqiptare u detyrua ta paraqesë për miratim shtesën e nenit për goditjen e pasurive të paligjshme, por përsëri duke i shtuar klauzolën që favorizon paprekshmërinë e tyre./Pamfleti

 

djallëzia e "bishtit" të shtuar kodi penal sekuestro e pasurive politikanët