Anti-Mafia21 Maj 2023, 12:49

Pas thirrjes së DEA-s, 340 zyrtarë spiunojnë njeri-tjetrin për lidhje me trafiqet e pastrimin e parave

Shkruar nga Pamfleti
Pas thirrjes së DEA-s, 340 zyrtarë spiunojnë njeri-tjetrin
DEA

Bindja për vërtetësinë e tyre, përforcohet prej faktit, se denoncimet janë bërë nga zyrtarë që ia dinë pisllëqet njeri-tjetrit dhe ata që kanë parë prova e kanë zbatuar urdhra paprekshmërie të bosëve të trafiqeve e pastrimit të parave. Këto prova do skanohen nga një grup konfidencial amerikano-shqiptar të krijuar nga vetë DEA e FBI

Më 6 mars, DEA u bëri këtë thirrje shqiptarëve: - “Agjencia Amerikane ka hapur linjë të veçantë kontakti për Shqipërinë, dhe nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës apo pastrimin e parave, të informojë me WhatsApp në numrin: +1 571 502-7846, ose email: [email protected]. Emrat do të mbahen të fshehtë”.

Kjo thirrje u konsiderua humbje besimi e agjencisë amerikane, te agjencitë shqiptare SHISH, Anti-Trafik, Anti-Korrupsion, Drejtoria  e Pastrimit të Parave dhe Policia e Shtetit, por dhe dyshim i plotë, se këto agjenci i fshehin dhe nuk i ndjekin denoncimet që bëjnë qytetarët, siç ishin denoncimet për kokainën e “Bana King”, “Call-Center”-at e Olsi Ramës etj., etj.

Kryeministri Rama e ministri Çuçi u justifikuan, duke thënë se SHBA nuk e ka humur besimin te agjencitë shqiptare, por me këtë thirrje, ata forcojnë bashkëpunimin për luftën kundër trafikut të drogës e pastrimit të parave.

Gjithashtu, Rama e Çuçi, mohuan akuzën se SHISH, Anti-Trafik, Anti-Korrupsioini, Drejtoria  e Pastrimit të Parave dhe Policia e Shtetit nuk i përfillin denoncimet e qytetarëve dhe nuk i raportojnë te partnerët Anti-mafie të SHBA-BE.

Por pas 2 muaj e gjysëm nga thirrja, në adresë të DEA janë dërguar qindra denoncime të shoqëruar me informacione konkrete, për individë e grupe që merren me trafiqe e pastrim parash direkt, ose janë mbrojtës e përfitues prej tyre.

Sipas një informacioni, 340 nga denoncimet e dërguara te DEA, janë bërë nga ministra, ish-ministra, deputetë, zyrtarë policie, portesh, doganash, prokurorie, gjykatash, SHISH e agjencive anti-krim, të cilët kanë spiunuar njeri-tjetrin për trafiqe droge e pastrim parash, me role ushtrues, mbështetës, lejues e mos ndëshkues.

Në shumë prej denoncimeve të dërguar te DEA, ka shënime të tilla:

- “Këto fakte i kemi denoncuar në polici, kryeministri e prokurori, por nuk është vepruar”;

- “Kemi raportuar te shefat, por na kanë dekonspiruar te trafikantët e biznesmenet që kanë lidhje me trafikantët e bankat dhe pastrojnë Euro”;

- “Për shkak se ne dhe kolegët kemi raportuar, shefat na kanë larguar nga detyrat e jemi kërcënuar”.

Këto informcione të dërguara nga zyrtarët, janë konsideruar indicie konkrete, dhe po verifikohen nga një grup konfidencial me ekspertë amerikano-shqiptarë të krijuar nga vetë DEA, në  bashkëpunim me  një grup të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që ka lidhje vetëm me FBI.

Bindja e DEA-s për vërtetësinë tyre, përforcohet prej faktit, se janë bërë nga zyrtarë që ia dinë pisllëqet njeri-tjetri e ata kanë patur e kanë lidhje me anti-trafiqet dhe pastrimin e parave, të cilët kanë kaluar në duar prova e kanë zbatuar urdhëra për paprekshmërinë e bosëve.

Po kështu, 90% e këtyre denoncimeve, përputhen me raste dhe emra trafikantësh, ndërtuesish e biznesmenësh konkretë, të lidhur me krerë të politikës, pushtetit, policisë, doganave e drejtësisë; të cilët, miliardat e siguruara nga trafiqet i pastrojnë me kulla, pallate, resorte e biznese të tjerë dhe nuk po preken./Pamfleti

dea 340 zyrtarë fbi trafiqe pastrim parash