Anti-Mafia22 Maj 2023, 07:35

Dje u vra edhe 1 punëtor, shefi i Inspektoratit Shtetëror të Punës Eljo Muçaj hesht!

Shkruar nga Pamfleti
Dje u vra edhe 1 punëtor, shefi i Inspektoratit Shtetëror të
Krye-inspektori i Punës, Eljo Muçaj

Në 9 vite, 203 punëtorë të vrarë/ Krye-inspektori i Punës, Eljo Muçaj, ashtu si paraardjësi i tij Arben Seferaj, në pazare me bosët e kullave, resorteve, kromit, bakrit, PPP-ve të naftës etj., harton raporte inspektimi false sikur kanë kushte sigurie në punë, ndërsa në 113 procedime penale ndaj pronarëve, ka çuar raporte inspektimi teknik sikur fajtorë kanë qenë viktimat.

Mëngjesin e të dielës më 21 maj, një punëtor 50-vjeçar humbi jetën, pasi ra nga kulla në ndërtim te rruga “Besa” në Njësinë Bashkiake nr. 8-Tiranë, duke e çuar në 203 numrin e punëtorëve të vrarë në 9 vitet e fundit.

Si në çdo rast, policia bëri të ditur vetëm inicialet A.B të viktimës, por jo emrin e kompanisë së ndërtimit, të bosit të saj e nëse ai është arrestuar, madje as arësyet paraprake të rënies së 50-vjeçarit, të cilat e ka detyrim t’i përcaktojë e t’i bëjë publike.

Ndërsa më 18 maj, një tjetër punëtor ndërtimi ra e humbi jetën nga një pallat në Vlorë, por skandal për këto 2 vrasje në punë, është heshtja e plotë e Inspektoratit Shtetëror të Punës, duke mos shkuar te pallatet, për të bërë hetimin teknik të shkaqeve përse u vranë punëtorët.

Drejtuesi i Inspektoratit të Punës, Eljo Muçaj ka heshtur përsëri, siç ka vepruar në 154 raste kur janë vrarë e gjymtuar punëtorë te kullat, pallatet dhe resortet e oligarkëve e politikanëve, ose në depozita gazi, në minierat e kromit, bakrit, në naftë, transport e fëmijë në landfille.

Madje në disa raste, si vrasja e 2 punëtorëve të ndërtimit më 16 gusht 2019, vetë Krye-inspektori i Punës, Arben Seferaj në atë kohë, pas 15 ditësh kur u kthye nga plazhi, deklaroi: – “Nuk kemi informacion që janë vrarë dy punëtorë, do hetojmë shkaqet”; por e la në heshtje.

Referuar rasteve të shumta të lëna në heshtje, bëhet pyetja: – Vërtetë nuk kanë dijeni shefat e Inspektoratit të Punës kur vriten punëtorë, apo bëjnë sikur nuk dinë gjë?

E themi këtë, sepse në 9 vitet e fundit, në Shqipëri janë vrarë 203 punëtorë gjatë punës, si dhe janë plagosur 2370 të tjerë, 407 prej të cilëve kanë mbetur invalidë të përjetshëm, ndërsa inspektorati ka nxjerrë përgjegjës viktimat dhe të plagosurit.

Në 113 procedime të prokurorisë dhe gjykime ndaj pronarëve e drejtuesve teknik të kompanive, Inspektorati i Punës, ka çuar raporte inspektimi teknik, sikur shkaktarë kanë qenë viktimat.

Është alarmante, kur mëson që Inspektorati i Punës ka 211 punonjës në total, nga të cilat 127 janë shefa e specialistë sektorësh, ndërsa 84 janë inspektorë ndihmës të tyre në terren.

Këta nuk kanë detyrë të mbajnë proces-verbale dhe statistika punëtorësh të vrarë e të plagosur, por të kontrollojnë plotësimin e kushteve të punës nga bosët e bizneseve.

Natyrisht që do ndodhin aksidente në punë, por jo të vriten nga 25-30 çdo vit për mungesë kushtesh sigurie; mbasi parandalimi është e vetmja detyrë e Inspektoratit Shtetëror të Punës e në rast mos plotësimi të tyre, ka detyrim të pezulloj punimet e të bëjë kallëzime penale.

Mirëpo shefat e inspektoratit, në pazare me bosët e kompanive, “ngjyejnë gishtat” dhe hartojnë raporte inspektimi false, ndërsa kur vriten e gjymtohen punëtorë, sajojnë rrethana aksidenti sikur e kanë fajin viktimat./Pamfleti

arben seferaj punëtorë të vrarë inspektorati shtetëror i punës