
Një javë para shkarkimit, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj pa asnjë dyshim me urdhër të kryeministrit, ka shtuar 28 milionë Euro për “Rrugën e Arbrit” dhe 16 milionë Euro për “Rrugën Kardhiq- Delvinë”, për gjoja vështirësi teknike e punime të pa parashikuara në projekte...
Në një raport dërguar kryeministrit Edi Rama, nga Ministria e Infrastrukturës që ka në proces ndërtimin e rrugëve dhe nga Ministria e Financave që i financon ato nga buxheti i shtetit, thuhet se “Rruga e Arbrit” dhe “Rruga Kardhiq- Delvinë” nuk do të përfundojnë as brenda vitit 2023.
Sepse Rrok Gjoka që i ka marrë me koncesion, ka kryer vetëm 78% të projektit të punimeve te “Rruga e Arbrit”; ndërsa në 4 segmente me gjatësi totale 22 kilometra është shkatërruar traseja, për shkak të punimeve e materialeve me cilësi të dobët.
Po kështu “Rruga Kardhiq- Delvinë”, tek e cila është hapur traseja, por nuk kanë përfunduar punimet e tjera të sigurisë, nyjet hyrëse-dalëse, sinjalistika, skarpatet mbrojtëse dhe veprat e artit, mbasi shkak është përsëri Rroku, i cili kryen punime me ndërprehje në kohë.
Sipas kontratave, “Rruga e Arbrit” duhej të kishte përfunduar në muajin prill 2021, por shenjat tregojnë se mund të përfundojë para zgjedhjeve të vitit 2025, megjithëse Babloku e ka inauguruar 6 herë deri më tani tani me këngë e valle dibrane.
Ndërsa “Rruga Kardhiq- Delvinë”, duhej të kishte përfunduar brenda vitit 2020, por megjithëse jemi në fund të vitit 2023, qeveria nuk ka lënë afat përfundimi, madje për të fshehur vjedhjet që ka bërë Rrok Gjoka, ka vepruar me marifetin e ndarjes së rrugës në lote e nën kontraktorë.
Pra, nuk dihet se kur do përfundojnë këto dy rrugë, por dihet që firma “Gjoka Konstruksion” vazhdon zhvat miliona Euro shtesë mbi fondin e kontratës, me urdhër të Bablokut dhe me ekspertiza teknike e mashtrime në projekt, gjoja për shkarje toke e tunelesh.
Informacioni i ardhur në “Pamfleti”, bën më dije se një javë para shkarkimit, Delina Ibrahimaj, ka shtuar pa tender 28 milionë Euro për “Rrugën e Arbrit” dhe 16 milionë Euro për “Rrugën Kardhiq-Delvinë”, të cilat ditën e premte i kanë kaluar Thesarit për t’ia dhënë Rrok Gjokës.
Këto shtesa me vlerë totale 44 milionë Euro, janë akorduar me një raport ekspertimi fals, të dorëzuar në qeveri dhe Ministrinë e Financave nga Belinda Balluku e Drejtori i Rrugëve, Evis Berberi, sikur gjoja kanë dalë vështirësi toke e punime të pa parashikuara.
Kostoja fillestare e “Rrugës së Arbrit” e miratuar në parlament, ishte 225 milionë Euro, por shkoi 280, 320, 340 e 395 milionë Euro, ndërsa me shtesën e fundit 28 milionë Euro është bërë 423 milionë Euro, ose sa afro dyfishi i kontratës.
Fondi i “Rrugës Kardhiq-Delvinë” që miratoi parlamenti ishte 68 milionë Euro, por me shtesat që iu bënë Rrok Gjokës, vlera është dyfishuar duke shkuar 136 milionë Euro, ndërsa me shtesën 16 milionë Euro, shkon në 152 milionë Euro.
Deri tani, vlera totale e të dy rrugëve të “florinjta” që po ndërton me koncesion Rroku i Bablokut, ka shkuar 573 milionë Euro, por nuk dihet se kur do përfundojnë; prandaj SPAK, duhet të gjejë pak kohë e të merret këtë krim financiar më të madh se landfillet./Pamfleti