TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia10 Shkurt 2026, 12:47

“Lift Tower”: Dështojnë për herë të katërt pazaret e kryeministrit për kullat me 40 kate te Kadastra e Tiranës

Shkruar nga Pamfleti
“Lift Tower”: Dështojnë për herë të
Lift Tower /

Me projektin “Lift Tower”, Korporata e Investimeve rishpall për herë të pestë ndërtimin e kullave rreth Kadastrës, ndërsa shteti mbetet spektator dhe privatët marrin pothuajse gjithçka...

Qeveria, përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve të drejtuar nga Elira Kokona, ka rishpallur për herë të pestë projektin për ndërtimin e kullave rreth godinës së Kadastrës në Tiranë. Pas termit “rijetëzim” fshihet dhurimi i truallit shtetëror për një kompleks me tre kulla 40-katëshe, ku privatët do të përfitojnë 100% të banimit dhe shumicën e sipërfaqeve tregtare, ndërsa shtetit i mbetet një pjesë minimale. Procedurat janë anuluar disa herë për shkak të pazareve të parealizuara mes kryeministrit dhe investitorëve, ndërsa projektet arkitekturore janë përzgjedhur nga studio të lidhura me rrethin e afërt të Edi Ramës. Rasti ngre dyshime serioze për tjetërsim të pasurive publike dhe shkelje të ligjit në favor të interesave private.

Kryeministri Edi Rama po vazhdon pazaret për të ndërtuar kulla në hapësirat pronë shtetërore rreth godinës së Kadastrës në Tiranë, duke përdorur Korporatën Shqiptare të Investimeve, të drejtuar nga Elira Kokona, firmosësja e grabitjes së pasurive publike.

Një prej këtyre pazareve është rishpallur me njoftim nr. 47/4, datë 30 janar 2026, të Korporatës së Investimeve, me thirrje drejtuar subjekteve investuese për zhvillimin dhe menaxhimin e godinës qendrore të Kadastrës, nëpërmjet sipërmarrjes private të projektit “Lift Tower”.

Pas projektit të ashtuquajtur “rijetëzim” të godinës së Kadastrës, fshihet dhurimi i truallit rreth Kadastrës për ndërtimin e një kompleksi me tre kulla nga 40 kate mbi tokë dhe 7 kate nëntokë.

Kullat do të përdoren për banim, zyra, ambiente tregtare, hotel, rezidencë studentore dhe parkime, ku 100% e sipërfaqeve të banimit, 60% e sipërfaqeve tregtare, si dhe zyra e parkime nëntokësore do t’i marrë firma private.

Ndërsa shteti, si pronar i truallit, do të marrë vetëm 40% të sipërfaqeve tregtare, zyra dhe parkime, ku përfshihen edhe zyrat e reja të Kadastrës së Përgjithshme.

Kjo është shpallja e pestë që Edi Rama dhe Elira Kokona e Korporatës së Investimeve i bëjnë projektit të Kadastrës me kulla, pas katër shpalljeve të mëparshme të bëra në nëntor 2024, janar 2025, maj 2025 dhe shtator 2025. Me shpalljen e datës 30 janar 2026, afati i aplikimit është deri më 5 mars 2026.

“Lift Tower”: Dështojnë për herë të

Përsëritja pesë herë e shpalljes për kullat te Kadastra ka ndodhur sepse Edi Rama nuk ka rënë në ujdi me pronarët e kompanive që kanë aplikuar për të investuar dhe ndërtuar në këtë projekt, pasi privatëve u ka kërkuar pazare jashtë marrëveshjes së paracaktuar zyrtarisht.

Sipas informacionit, në shpalljet e para që bëri Korporata, interes për projektin e kullave te Kadastra shfaqën kompanitë “Edil Al-It”, “DK Construction ONE Corp” dhe “Alko Impex”, por të tre procedurat u anuluan me urdhër të Edi Ramës, nën pretekstin e “ofertave të paleverdishme”.

Deri më tani janë përzgjedhur projektet e bashkimit të gjashtë studiove private: Baukuh Studio Associato; Muoto & Sam Chermayeff Office; Yellow Office; Bollinger Grohmann; Atmoslab Simoj Boudvin dhe Arkimade, pas logove të të cilave qëndrojnë miqtë arkitektë të Edi Ramës.

Në shkelje të ligjit, Edi Rama i ka përfshirë këto studio si nënkontraktorë, duke i cilësuar si “nënkontraktorë të emëruar nga Korporata”, ndërkohë që në fakt ato do të jenë përfituese direkte në kulla, nga sipërfaqet që i takojnë shtetit dhe nga pjesa e sipërfaqeve që i takojnë subjekteve private./Pamfleti

 

lift tower kullat te kadastra

1 Komente

  1. K
    KM Blendi Gonxhja

    Batakçinj te medhenj RamaSaleh!!!

    Lini një Përgjigje