Banorët e Bubullimës protestojnë kundër zaptimit të tokave publike dhe private nga “Natyra Energy”, projekt i refuzuar zyrtarisht si investim strategjik, por i shtyrë në terren me presion dhe mashtrime pronësie...
Në fshatin Imshtë të Bubullimës në Lushnjë, banorët janë ngritur në protestë kundër ndërtimit të një kompleksi fotovoltaik që u zapton tokat me dokumente të pavlefshme pronësie. Projekti i kompanisë “Natyra Energy” sh.p.k., në pronësi të Elton Çekrezit, është refuzuar zyrtarisht nga Komiteti i Investimeve Strategjike me vendim të firmosur nga kryeministri Edi Rama, për shkak të shkeljes së ligjit për ndërtimet në bregun e lumit Seman dhe mbivendosjes me gjurmën e gazsjellësit TAP. Megjithatë, investimi po tentohet të imponohet në terren përmes presioneve, mbështetjes policore dhe përdorimit të një kompanie tjetër të sapokrijuar, pa aktivitet ekonomik dhe pa bilance. Rasti ngre dyshime serioze për grabitje të tokës publike, pastrim parash dhe burime të paligjshme financimi, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga SPAK dhe strukturat e antikrimit ekonomik.
Edhe banorët e fshatit Imshtë, në Bubullimë të Lushnjës, janë ngritur në protestë kundër ndërtimit të një kompleksi fotovoltaik, i cili u zapton tokat me dokumente pronësie të pavlefshme.
Personi që synon të ndërtojë kompleksin fotovoltaik, duke ushtruar edhe presione nga banditë të armatosur dhe i mbështetur nga policia, është Elton Çekrezi, pronari i kompanisë “Natyra Energy” sh.p.k.
Ai pretendon se ka marrë leje për këtë investim, por dokumenti që po publikon “Pamfleti” dëshmon se leja e ndërtimit nuk i është miratuar, madje projekti ka kërkuar të regjistrohej si investim strategjik.

Me Vendim nr. 23/4, datë 6 qershor 2023, të firmosur nga Edi Rama, Komiteti i Investimeve Strategjike ka vendosur që kompanisë “Natyra Energy” sh.p.k. të mos i jepet leja për objektin investues “Impiant agri-voltaik me fuqi 120 MW”.
Dy arsyet zyrtare për refuzimin e investimit
– Sipas vendimit të firmosur nga Edi Rama, projekti është refuzuar sepse ndalohet nga Ligji nr. 111/2012, pasi parashikohet të zhvillohet në zonën e bregut të lumit Seman, ndërmjet vijës ujore të lumit dhe argjinaturës gjatësore të zonës së banuar, ku nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi.
– Projekti u refuzua gjithashtu për faktin se investimi mbivendoset me projektin e gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP), në gjurmën e të cilit janë të ndaluara ndërtimet e të gjitha llojeve, nga secila anë e aksit qendror të tubacionit që përfshin zonën e sigurisë.
Mashtrimi me pronësinë e tokës dhe denoncimi i deputetit Erion Braçe
Tokat ku Elton Çekrezi synon të ndërtojë impiantin fotovoltaik janë pasuri e shtetit dhe e banorëve, fakt i denoncuar edhe nga deputeti Erion Braçe, i cili deklaroi:
“Po grabitet toka publike për panele diellore në Imshtë të Lushnjës, nga një person që mbështetet nga policia dhe nga një deputet i zonës i lidhur me këtë investim.”
Pronari i kompanisë pretendon se ka dokumente për blerjen e tokave, por edhe me vendim gjykate të formës së prerë është vërtetuar se tokat janë në pronësi të shtetit dhe të banorëve të fshatit, si dhe se toka në zonën e gazsjellësit TAP nuk mund të tjetërsohet.
Në protestën përballë banorëve, Elton Çekrezi nuk u paraqit me dokumentet e kompanisë “Natyra Energy” sh.p.k., së cilës i është refuzuar leja e investimit, por me kompaninë “SunXpower” sh.p.k., të krijuar prej tij më 20 shkurt 2025, me kapital 1 milion lekë dhe pa asnjë punonjës.
Ku do t’i gjejë 109 milionë euro për investimin fotovoltaik?
Duke qenë se Elton Çekrezi këmbëngul të realizojë investimin e kompleksit fotovoltaik edhe me forcë, lind dyshimi se fondet janë siguruar tashmë. Ky fakt përbën indicie serioze për Antikrimin Ekonomik, SPAK-un dhe BKH-në që të hetojnë burimin e 109 milionë eurove të nevojshme për këtë investim, pasi kompania “Natyra Energy” ka vetëm 100 lekë kapital dhe nuk kryen aktivitet ekonomik real.
Për më tepër, kjo kompani ka ndryshuar emrin tri herë, ka pezulluar aktivitetin vetëm një muaj pas krijimit dhe e ka rihapur në korrik 2022, pikërisht kur kërkoi lejen për kompleksin fotovoltaik, ndërkohë që nuk ka asnjë punonjës dhe nuk ka depozituar bilance tatimore për vitet 2022–2025./Pamfleti
Lini një Përgjigje