SPAK duhet të hetojë edhe pushtetarët që i kanë dhënë miliona Euro tenderë; 15 pasuri publike me qira koncesionare e ia kanë shitur për “5 lekë”, si dhe leje ndërtimi për 16 pallate në zonën Yzberisht- Astir- Kashar- Mëzez edhe mbi toka shteti, në shkelje të ligjit Anti-mafia...
Prej 15 vitesh, dosjet e krimeve të Renato Çamit të Fierit, janë ngurosur në sirtarët e prokurorive Fier, Vlorë, Durrës, të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe prej 3 vitesh në sirtarët e SPAK.
Ato u nxorën për ri hetim nga SPAK, pas dëshmive të të penduarve Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj e Skerdi Tase, për disa vrasje me porosi, dhe denoncuar nga Agim Boriçi, i cili ka thënë se në muajin prill 2018, Çami ka organizuar atentat me armë ndaj tij e Ilir Boriçit në Fier.
Po kështu, Nuredin Dumani i ka thënë SPAK-ut, se Renato Çami ka paguar 1.2 milionë Euro, për të vrarë mikun e tij vrasës e trafikant Ben Qimja i Fierit dhe kundërshtarin Endrit Dokle.
Këto prova, i konfirmoi ditën e enjte kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili tha para mediave, se Renato Çami është në hetim intensiv me dosje voluminoze Nr.75/2, ku ka dhe krime të tjera.
Mirëpo në regjistrat e pushtetit, vrasësi, porositësi i vrasjeve me pagesë dhe trafikanti i kokainës Renato Çami, figuron si biznesmen i preferuar e VIP, që i janë dhënë e vazhdojnë t’i jepen tenderë milionë Euro pa garë e me 100% të fondit limit.
Në 9 vitet e fundit, firma “AGA-1 Sh.p.k” e Renato Çamit, ka marrë 15.6 milionë Euro tenderë me TVSH, nga Bashkia Fier, “Albpetrol”, Sekretariati Kombëtar i Ujë-Kanalizmeve, Hipoteka, Bashkia Roskovec dhe krejt ndërmarrjet e shërbimeve publike në Qarkun e Fierit.
Tenderin e radhës 1.7 milionë Euro, Renato Çami e ka marrë pas zgjedhjeve të 14 majit nga “Albpetrol”, me drejtor Eltar Deda, ish-deputet i PS e këshilltar i Belindës; ndërsa para zgjedhjeve ka marrë 1.5 milionë Euro nga Bashkia Fier me kryetar Armando Subashin.

Çdo tender që bëhet në Fier me fondet e pushtetit lokal e nga kompanitë shtetërore të zonës, i jepet Renato Çamit pa garë, ose më garë me ofertë më të lartë të fondit limit, sepse i nënshtrohen të gjithë zyrtarët, ndërsa biznesmenët heshtin ngaqë “i forti” i Fierit tund koburen.
Pesë tenderë me vlerë kontrate 3.3 milionë Euro të tjera, Renato Çami i ka në proces zbatimi, të marra nga bashkitë Fier, Roskovec, Qarku Fier, Albpetrol e Këshilli Kombëtar i Ujit që varet prej Belinda Ballukut, për të cilat, sipas Thesarit të Shtetit i janë 868 pagesa në vitet 2014-2023.
Pra, pushtetarët i japin miliona Euro nga fondet publike, megjithëse ligji anti-mafia i detyron të mos u japin asnjë qindarkë personave të botës së krimit, ndërsa ligji për prokurimet publike ndalon pjesëmarrjen e tyre në tenderë, ankande e privatizime shtetërore.
Por megjithëse drejtësia e tashmë SPAK, e kanë pasur dhe e kanë Renato Çamin nën hetim si vrasës direkt, vrasës me pagesë, trafikant kokaine, përdhunues, rrëmbyes e gjobëvënës, qeveria i ka mbushur thasët me miliona Euro firmës së tij “AGA-1 Sh.p.k”.
Madje përveç tenderëve, i janë dhënë 15 pasuri shtetërore si toka e objekte me qira koncesionare 10-20 vite e shitje për “5 lekë”, si dhe leje ndërtimi për 16 pallate në Tiranë te zona Yzberisht-Kashar-Astir e Mëzez, edhe mbi toka shteti të zaptuara e të dhuruara nga qeveria.
Me këto miliona që merr nga shteti e ato nga trafiqet, Renato Çami ndërton pallate e vila, restorante e bën jetë luksi, por porosit edhe vrasje me pagesë të rivalëve, si ajo 1.2 milionë Euro, për vrasjen mikut të tij vrasës e trafikant “Ben Qimja” i Fierit dhe të Endrit Dokles.
SPAK duhet të hetojë dhe pushtetarët që i kanë dhënë miliona Euro tenderë, pasuri publike, leje ndërtimi pallatesh, në shkelje të plotë të ligjit Anti-mafia e ligjit për prokurimet publike.
Në vijim, do flasim për lidhjet ngushta të Fatmir Mediut me Renato Çamin, të cilat i realizon me Nikon nga Fieri që jeton në Tiranë.../Pamfleti
Lini një Përgjigje