Anti-Mafia27 Tetor 2023, 10:23

‘Olta Xhaçka’/ 2 standardet e SPAK; pse nuk arrestohet Artan Gaçi, burri i ish-ministres

Shkruar nga Pamfleti
‘Olta Xhaçka’/ 2 standardet e SPAK; pse nuk arrestohet Artan
Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi

Për burrin aktual të ish-ministres Olta Xhaçka, SPAK nuk po zbaton zinxhirin e veprimeve sipas Kodit të Procedurës Penale për ta arrestuar pastaj sekuestruar; siç veproi me ish-ministrin Arben Ahmetaj, të cilin fillimisht e hetoi; e procedoi penalisht; e mori të pandehur; i dha masën “Arrest me burg” dhe pastaj e sekuestroi...

Me akuzën për përfitim pasurie me falsifikim të dokumenteve zyrtare, SPAK ka sekuestruar 5512 m2 truall në bregdetin e Himarës, që i posedon biznesmeni Artan Gaçi, ish-deputet socialist dhe bashkëshorti aktual i deputetes e ish-ministres Olta Xhaçka.

Mbi atë sipërfaqe, që sipas letrave është në pronësi të tij, dhe mbi një sipërfaqe tjetër 4970 m2 të dhuruara nga qeveria, burri i ish-ministres Olta Xhaçka ka filluar ndërtimin e një resorti bregdetar të quajtur “Dreamades Luxury Suites”, pajisur me statusin “Investitor Strategjik”.

Tashmë, SPAK i ka sekuestruar sipërfaqen 5512 m2 truall, ku sipas projektit të resortit është përcaktuar të ndërtohet hoteli i çiftit qeveritar Xhaçka- Gaçi, madje hetuesit e BKH, kanë konstatuar se janë hedhur themelet dhe ka filluar ngritja e objektit.

Referuar ligjit dhe rasteve të tjera identike, rezulton se vendimi SPAK është i njëanshëm e me dy standarde, në favor të burrit të Olta Xhaçkës dhe të saj si bashkëpronare investitore strategjike.

Së pari, sepse SPAK nuk ka vendosur sekuestro të truallit me masë ndalimi fizik punimesh në formë “Sigurimi padie” me bllokim aktiviteti, por ka vendosur vetëm sekuestro në letër.

Së dyti, SPAK ka vendosur vetëm sekuestro mbi truallin, kur sipas Kodit të Procedurës Penale, në rastet e dyshimit të arsyeshme të kryerjes së veprës penale, fillimisht duheshin bërë dy akte:

- Procedimi penal, marrja “I pandehur” dhe masa penale “Arrest me burg” për Artan Gaçin, pastaj vendosja e sekuestros së tokës që dyshohet se është me dokumente false dhe mund të jetë blerë me burime nga korrupsioni, ose nga trafiku.

Mos marrja e tij “I pandehur”, mos prangosja dhe mos heqja e pasaportës diplomatike që e ka marrë si bashkëshort i ish-ministres Olta Xhaçka, është qëndrim me dy standarde, nga drejtuesi dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë grabitjen e 5512 m2 truall buzë detit në Himarë prej tij.

Sepse për Artan Gaçin, SPAK nuk po zbaton zinxhirin e veprimeve sipas Kodit të Procedurës Penale, për ta arrestuar e pastaj sekuestruar; siç veproi me Arben Ahmetajn, të cilin fillimisht e hetoi, procedoi penalisht, e mori të pandehur, i dha masën “Arrest me burg”, pastaj e sekuestroi.

Rast identik, me grabitjen e 2.7 hektarë tokë me letra false, po në Himarë dhe pranë tokës së resortit të Olta Xhaçkës e Artan Gaçit, është rasti i Elton e Larisa Marko, të cilët para dy ditësh u arrestuan për të njëjtën vepër penale të dyshuar.

Ndërsa për rastin e tokës që ka prova se është grabitur nga burri i Olta Xhaçkës, SPAK vendosi sekuestro, por nuk e prangosi atë, madje nuk e ka marrë as të pandehur e as i ka bllokuar punimet.

Me dy standarde, ka vepruar edhe me Amant Josifin e “Call-Center” dhe Trifon Muratin e “Bana King”, njëri i arrestuar në Dubai me vjedhjen e 2.4 milionë USD me mashtrim në skemën “Forex”, ndërsa tjetri në kërkim për trafikun e 2 ton kokainë.

Pas sekuestros, Olta Xhaçka deklaroi se nuk ka marrë asnjë përfitim nga shteti; por realisht ka marrë 8000 m2 plazh me qira 3 (tre)lekë/m2 në muaj e për 30 vite; ndërsa për 10 mijë m2 tokë shteti falas për resortin, Olta Xhaçka ka paguar vetëm 22 mijë lekë tarifa zyrtare./Pamfleti

artan gaçi olta xhaçka spak