Anti-Mafia25 Shkurt 2023, 11:53

Pas Ilir Metës, SPAK do pyesë Kastriot Ismailajn në qeli dhe Engjëll Zeqon e KESH; ja provat e reja

Shkruar nga Pamfleti
Pas Ilir Metës, SPAK do pyesë Kastriot Ismailajn në qeli dhe
Ilir Meta duke dalë nga SPAK

Ngushtohet laku/ Dokumentet që Byroja Kombëtare e Hetimit i ka dorëzuar SPAK-ut, faktojnë se Ilir Meta si ministër Energjie i ka bërë shtesë kontrate CEZ-DIA, ndërsa bashkë me Ëngjëll Zeqon, drejtor i KESH, i kanë kërkuar ERE-s, që CEZ-it ti shitej energjia më lirë, duke i vjedhur shtetit 32 milionë Euro në vit

Kapitulli penal për Kastriot Ismailajn e aferës së CEZ-DIA, është mbyllur në muajin tetor 2017 me dënimin 11 vite burg, por pas dëshmive të Ilir Metës në SPAK, ai do pyetet përsëri; ndërkohë që Ilir Meta e pranoi, se në SPAK e kishin pyetur për lidhjet me Kastriot Ismailajn në planin personal, zyrtar e të kontratës CEZ-DIA kur ishte Ministër i Jashtëm dhe Energjie.

Po kështu, pranoi se e kishin pyetur për lidhje me persona të tjerë në këtë aferë, po nuk përmendi emra, të cilët sipas informacionit që ka “Pamfleti”, janë denoncuesi Elvis Mata, ish-Drejtor i DIA, si dhe ish- Drejtori i KESH, Ëngjëll Zeqo, emëruar si përfaqësues i LSI.

Kastriot Ismailaj, do pyetet për një dokument të zhdukur nga dosja e marrëveshjes Qeveri- CEZ-DIA, që është Shtesë Kontrate e muajit tetor 2010 bërë me urdhër të Ministrit të Energjisë, Ilir Meta, sipas të cilës, shteti do merrte vetëm 12% të borxhit të mbledhur nga faturat e energjisë.

Do pyetet për dosjen zyrtare false, hartuar nga Sali Berisha kryeministër e Ilir Meta ministër Energjie, paraqitur më 13 dhjetor 2010 te bordi i CEZ në Çeki; dhe për rinovimin e kontratës së dytë CEZ-DIA më 1 shkurt 2011, miratuar nga ish- ministri i LSI, Nasip Naço, ku kompanisë DIA i hiqeshin sanksionet në rast mashtrimi e mos zbatimi të kontratës dhe përjashtohej nga auditimi i ministrisë e KLSH.

Kastriot Ismailaj, do pyetet për aksidentin në Pragë ndaj ambasadorit Qazim Tepshi nga një emigrant nga Skrapari më 24 nëntor 2010; vetëm 1 orë para se Ilir Meta e Ismailaj të bënin takimin për pazarin CEZ-DIA me Martin Roman e Tomas Pleskash, me qëllim që Tepshi të mos ishte prezent.

Pas pyetjes së Ilir Metës, SPAK i ka dërguar thirrje “Detyrim për paraqitje” dhe ish-drejtorit të KESH, Ëngjëll Zeqo, i cili ka disa kompani impiantesh energjie, një ndër to “EXO Partners”, me të cilën merr miliona nga KESH, OST, OSHEE për gjoja projekte e studime energjitike.

Ish-drejtori Zeqo i LSI, do pyetet për faktin se dy javë pas takimit Meta- Ismailaj- CEZ në Pragë, me Vendim nr. 94, datë 7 dhjetor 2010 të ERE, mbështetur në projekt- studimin e KESH, çmimi i energjisë për blerjen nga CEZ, u ul nga 2.03 lekë/kwh në 1.48 lekë/kwh, ose 32  milionë Euro vjedhje në vit.

Në intervistën e të premtes te televizioni i familjes “Berisha”, i hetuari Ilir Meta, deklaroi: - ”Në dhjetor 2010, pasi ERE mori një vendim ku favorizohej CEZ me blerje energjie me lirë, unë si ministër i Ekonomisë dhe Drejtori i KESH, Ëngjëll  Zeqo e kemi kundërshtuar atë vendim.

Por dokumentet që Byroja Kombëtare e Hetimit i ka dorëzuar SPAK-ut, faktojnë se Ilir Meta si ministër dhe Ëngjëll Zeqo si drejtor i KESH, janë kërkuesit e uljes së çmimit të blerjes së energjisë nga CEZ./Pamfleti

 

spak cez-dia ilir meta engjëll zeqo kastriot ismailaj provat e reja