
Informacione nga Ministria e Financave që i ka dhënë licencën, thonë se në kazino kanë aksione Olsi Rama e Gjergj Luca. Lidhja e vjetër është në dosjet e drejtësisë të Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë e Greqisë, sipas të cilave, treshja Pëllumb Gjoka, Gjergj Luca e Roland Ziu, kanë qenë krerët e rrjetit më të madh e më të fortë të trafikut të kokainës në Ballkan dhe i zhdukjes së rivalëve në vitet 1998-2006
Propagandën e bujshme dhe Ligjin Nr. 75/2018 datë 25.10.2018 për mbylljen kazinove, të cilat Edi Rama i quajti qëndra të krimit, pastrimit të parave e korrupsionit, vetë Kryeministri e hodhi në kosh, me justifikimin se do jepeshin licenca vetëm në hotele e resorte me “5 Yje”, por asnjë për eksponentë të botës së krimit.
Mirëpo sipas faqes zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe realitetit faktik, rezulton se Ministria e Financave ka pajisur me licencë “Kazino”, krye trafikantin e kokainës Pëllumb Kolë Gjoka, i njohur mik personal i kryeministrit Edi Rama.
Këtij i është dhënë licenca për kazino “Imperial Group” në qendër të Tiranës, konkretisht te rruga “Luigj Gurakuqi”, në pallat banimi, ku një hyrje dhe pjesë e tij është regjistruar si hotel.
Kazinoja është në bodrumin e këtij pallati, i cili si adresë orientuese ka vënë pjesën e prapme bodrum te restorant “Rozafa Palce-Tiranë”, të mikut tjetër të kryeministrit, Gjergj Luca, ndërsa në QKB ka deklaruar adresën rruga “Luigj Gurakuqi” që është pikërisht aty.
Informacione nga Ministria e Financave që i ka dhënë licencën, thonë se në kazino “Imperial Group” kanë aksione edhe Olsi Rama e Gjergj Luca.
Lidhja e vjetër e kësaj ortakie është në dosjet e drejtësisë së Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë e Greqisë, sipas të cilave, Pëllumb Gjoka i kazino “Imperial Group” dhe Gjergj Luca e Roland Ziu, kanë qenë krerët e rrjetit më të madh të trafikut të kokainës në Ballkan dhe i zhdukjes së rivalëve në vitet 1998-2006.
Nuk është rastësi, që pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet, Gjergj Luca ka marrë falas 500 mijë m2 troje e godina ish-reparte e uzina ushtarake, rezerva shteti dhe fabrika në Elbasan, Përrenjas, Gramsh, Librazhd e Maliq, si dhe liqenin e Xarrës në Butrint.
“Kolegu” i tij trafikant Roland Ziu, ka marrë PPP-në e Portit të Jahteve “Kepi Rodonit”; leje për 3 kulla e leje për 20 pallate e Terminalin Lindor-Tiranë për udhëtarët e zonës Elbasan-Ersekë.
Ndërsa trafikantit tjetër të grupit “Luca”, Pëllumb Gjokës së kazino “Imperial”, kryeministri Edi Rama i ka dhënë 113 mijë m2 pyll dhe 10 mijë m2 plazh në Velipojë për resortin “Silver Sand”.
Në nenin 4 të Ligjit Nr. 75/2018, thuhet se kazinotë do hapen vetëm në hotele me “5 Yje” në zona turistike duke respektuar distancën nga qendrat e banimit; ndërsa kazinoja e trafikantit Pëllumb Gjoka është hapur te bodrumi me “5 Yje” i Gjergj Lucës në një pallat banimi.
Ndërsa në pikën 3/a, thuhet: - Licencë për kazino nuk u jepet personave të dënuar, arrestuar apo në ndjekje penale për evazion, vjedhje, trafikim narkotike apo armësh e eksplozivësh, ose që janë me masë sekuestro të bizneseve; krime këto, të cilat trafikanti Pëllumb Gjoka i ka bërë të gjitha.
Indicie për lidhje mes vëllait të Edi Ramës e trafikantit Pëllumb Gjoka në këtë kazino, është edhe fakti, se në vitet 2021-2022 të aktivitetit të saj, ka dalë me 250-300 milionë lekë humbje, ndërsa tatimet ia pranojnë bilancet fiktive./Pamfleti