TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 9 Mars 2026, 11:29

Policia e Shtetit akordon 18 policë e agjentë anti-krimi, shërbim me 3 turne te kantjeri i kullave “Alabbar”

Shkruar nga Pamfleti

 Policia e Shtetit akordon 18 policë e agjentë anti-krimi, shërbim

Rama mohon kërcënimet, ndërsa 18 efektivë dhe agjentë antikrimi vendosen me shërbim të përhershëm pranë projektit privat në Durrës...

Në komunikimin e fundit publik, kryeministri Edi Rama mohoi rrezikun e sulmeve iraniane ndaj Shqipërisë, duke theksuar se vendi është i mbrojtur nga NATO. Megjithatë, sipas burimeve nga Policia e Shtetit, janë vendosur masa të veçanta sigurie pranë kantierit të projektit “Alabbar” në Durrës, ku 18 policë dhe agjentë antikrimi patrullojnë me turne për të garantuar mbrojtjen e investimit. Masa të tilla nuk janë shtrirë në institucione apo objekte të tjera strategjike, duke ngritur debate mbi kriteret dhe prioritetet e përdorimit të forcave të sigurisë.

Në komunikimin publik të së dielës me podcastin e tij, kryeministri Edi Rama i quajti dezinformim të qëllimshëm zërat për rrezikun e afrimit të sulmeve iraniane në Shqipëri, duke thënë se jo vetëm nuk ka asnjë rrezik, por edhe nëse do të kishte, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ka mbrojtje nga partnerët.

Por, ndërkohë që për kryeministrin nuk ka rrezik sulmesh iraniane, ai ka urdhëruar të merren masa mbrojtëse për të garantuar sigurinë dhe paprekshmërinë e bizneseve klienteliste që zhvillojnë kompani private të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri.

Një informacion konfidencial nga Policia e Shtetit ka bërë me dije për “Pamfleti”-n se, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, janë caktuar 18 policë dhe agjentë të anti-krimit me shërbim pranë kantierit të ndërtimit të kullave “Alabbar” në Durrës.

Këto forca gjurmimi dhe sigurie të Policisë së Shtetit janë ngarkuar të kryejnë shërbim me tre turne pranë kantierit të ndërtimit “Alabbar”, si masë parandaluese ndaj ndonjë sulmi të mundshëm ndaj këtij biznesi privat.

Policët dhe agjentët e anti-krimit nuk kanë mundësi të ndalojnë predhat iraniane, por janë caktuar për të zbuluar, parandaluar dhe goditur ndonjë tentativë për akt terrorist, duke qenë se Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë objekt sulmi nga Irani.

Vendosja e masave të sigurisë shtetërore shqiptare vetëm pranë kantierit të kullave “Alabbar” në Durrës konsiderohet nga kritikët si klientelizëm i kryeministrit Edi Rama, në shkelje të ligjit për sigurinë kombëtare, pasi skuadrat e policëve dhe agjentëve të anti-krimit janë vendosur pa pasur raport për rrezik iranian në Shqipëri.

Nëse do të kishte një raport të tillë nga SHISH, Anti-krimi, Anti-Terrori dhe partnerët e SHBA-BE, kryeministri Edi Rama do të kishte urdhëruar vendosjen e shërbimeve të veçanta të sigurisë në institucionet qendrore të shtetit, qendrat ekonomike strategjike të energjisë dhe ujit, portet detare, aeroportet, shkollat, spitalet dhe qendrat e mëdha tregtare.

Por kryeministri Edi Rama, duke përdorur klientelist ligjin për sigurinë kombëtare, ka urdhëruar të vendosen 18 trupa të veçanta sigurie policore dhe anti-krimi në Durrës, vetëm në kantierin ku kompania e Mohamed Alabbar po ndërton kulla dhe hotele.

Aq e theksuar është kjo masë sigurie për kantierin e kullave të Alabbar në Durrës, sa kryeministri Edi Rama, megjithëse ka pasur dhe ka aktualisht shumë kërkesa për masa të veçanta sigurie nga kompani të mëdha investimesh në Shqipëri, nuk ka caktuar asnjë polic apo agjent anti-krimi për to.

Ndërkohë, përveç 18 policëve dhe agjentëve të anti-krimit pranë kantierit të kullave “Alabbar”, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar të dërgohen edhe 150 policë dhe forca speciale me tre turne në Rrjoll, për të larguar banorët nga toka ku miku i tij Bashkim Ulaj planifikon të ndërtojë një resort./Pamfleti

policia e shtetit alabbar

Lini një Përgjigje