
Nga ky pakt do të përfitojnë kreu i Transporteve Blendi Gonxhja dhe autoshkollat, të cilët do rrjepin kursantët...
Zbardhet marrëveshja mes Drejtorisë së Transportit, Tatimeve dhe autoshkollave për të rritur çmimet e patentave. Ndonëse Blendi Gonxhja e ka dredhur disa herë fjalën, në fakt do të ketë 3 apo 4 fishim të çmimit të patentave për të gjithë ata që duan të pajisen për herë të parë me leje drejtimi, apo ata që duan të marrin kategoritë e tjera, C, D, DE, etj.
“Pamfleti” ka siguruar dokumentin dhe aty tregohet qartë se do kemi një rritje galoponte çmimesh. Teksa aktualisht vetëm si kurs në autoshkollë për të marrë patentën e kalsit B, një i ri duhet të paguante minimalisht 35000 lekë (pa përfshirë koston e kartonit, Kryqit të Kuq dhe kontrollit shëndetësor), tani do të duhet të paguaj gati 3 herë më shumë, plot 85000 lekë. E njëjta gjë edhe për ata që duan të marrin patentën e kategorisë C apo D.
Aktualisht për leje drejtimi të kategorisë C (për kamion) nga kursantët kanë detyrimin të paguajnë vetëm tarifën e regjistrimit prej 25,000 lekë. Marrja e njohurive praktike është fakultative dhe nëse kërkohen pagesa është 5,000 lekë për ore. Për këtë kategori propozohet që tarifa e re të jetë 95,000 lekë, e ndarë si: kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive teorike në vlerën e 30,000 lekëve dhe kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive praktike në vlerën e 65,000 lekëve.
“Regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me lejedrejtimi bëhet në autoshkolla. Para lëshimit të lejes apo autorizimit nga DPSHTRR bëhet pagesa përkatëse, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës. Pagesa mund të bëhet në një bankë të nivelit të dytë. Tarifat e pagesës që paguan kandidati është sipas dakordësisë ndërmjet subjekteve që organizojnë autoshkollë e personave të interesuar, por jo më e ulët se kosto minimale fiskale e përcaktuar në nenin 2. Mandatpagesa për përgatitjen e drejtuesve të mjeteve rrugore me motor, dëshmive ose çertifikave depozitohet në dosjen e kandidatit, e cila do të jetë objekt kontrolli nga strukturat përkatëse të ngarkuara sipas legjislacionit në fuqi. Datë regjistrimi të kandidatit është data e pajisjes me leje për përgatitjen e njohurive teorike ose me autorizim për përgatitjen e aftësive drejtuese e të sjelljes”, thuhet në marrëveshje.
Pra duket se nga ky pakt do të përfitojnë kreu i Transporteve Blendi Gonxhja dhe autoshkollat, të cilët do rrjepin kursantë. Justifikimi i rritjes së tarifave është për të shmangur korrupsionin, por të gjithë e dinë se pazaret gjithmonë janë bërë mes instruktorëve dhe përfaqësuesve të Drejtorisë së Transporteve qoftë në testin teorik, qoftë në atë praktik. Thjesht tani duket se pazari do jetë më i madh. /Pamfleti