
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe ka bërë të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë zbuluar dhe neutralizuar një seri raketash balistike dhe dronësh që hynë në hapësirën ajrore të vendit.
Në një njoftim të publikuar në rrjetin social “X”, ministria deklaroi se janë identifikuar nëntë raketa balistike dhe 35 dronë që fluturonin drejt territorit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas autoriteteve, tetë prej raketave balistike janë rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa një tjetër ka rënë në det pa shkaktuar dëme. Po ashtu, forcat e mbrojtjes kanë arritur të neutralizojnë 26 nga 35 dronët, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar fatin e mjeteve të tjera ajrore pa pilot.
Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme materiale, ndërsa autoritetet theksojnë se situata është vënë nën kontroll dhe se strukturat e sigurisë vijojnë të monitorojnë hapësirën ajrore.
Megjithëse nuk ka një konfirmim zyrtar për origjinën e sulmit, burime të ndryshme ndërkombëtare dhe analiza paraprake sugjerojnë se raketat dhe dronët mund të jenë nisur nga Irani, në drejtim të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Autoritetet e Emirateve kanë theksuar se janë në koordinim me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, ndërsa mbrojtja ajrore mbetet në gatishmëri të lartë për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm.
Lini një Përgjigje