TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Maj 2025, 13:30

Arsyeja kryesore pse Putinit nuk i intereson paqja me Ukrainën!

Shkruar nga Will Dunn

Arsyeja kryesore pse Putinit nuk i intereson paqja me Ukrainën!         

Fundi i luftës, mund të nënkuptojë gjithashtu edhe fundin e iluzionit ekonomik të Rusisë.

Lufta në Ukrainë, e ka stimuluar rritjen e ekonomisë ruse. Po çfarë do të ndodhë kur ajo të mbarojë? Ndërsa negociatorët po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, pjesa më e madhe e vëmendjes është me të drejtë tek ajo që mund të nënkuptojë çdo marrëveshje për Ukrainën.

Pas më shumë se 3 vitesh mbrojtjeje kundër pushtimit, Ukraina duhet të përballet tani me Donald Trump, i cili është shfaqur shpesh i gatshëm të kapitullojë para interesave ruse. SHBA-ja dhe Ukraina kanë nënshkruar në fundmi një marrëveshje që do t’i japë Uashingtonit qasje në burimet natyrore të kësaj të fundit.

Disa shpresojnë që ky akt të jetë një sinjal se Trump është tashmë i gatshëm të ushtrojë më shumë presion mbi Rusinë në bisedimet e armëpushimit. Nga njëra anë, një armëpushim mund të duket si fitorja që ka synuar Putin, sepse do t’i japë fund një lufte të gjatë dhe të kushtueshme.

Por në të njëjtën kohë mund t’i japë fund iluzionit ekonomik të Rusisë. Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë i vitit 2022, Rusia ka qenë në gjendje të ruajë përshtypjen e një ekonomie që vazhdon të rritet.

Pavarësisht sanksioneve që e kanë ndërprerë tregtinë me vendet perëndimore, ngrirjes së rezervave të saj valutore dhe izolimit nga pjesa më e madhe e sistemit bankar ndërkombëtar, ekonomia ruse është mbështetur nga tregtia e vazhdueshme e naftës së saj (çmimi i së cilës është i kufizuar në vend që të sanksionohet, dhe eksportohet me një normë mbi 600 milionë euro në ditë), dhe nga shpenzimet e larta për vetë luftën.

Ky është “kejnesianizmi ushtarak” dhe në një kuptim qartazi të kufizuar, lufta është një aktivitet industrial që stimulon ekonominë. Ky ka qenë sekreti i rritjes së habitshme të PBB-së dhe pagave reale të Rusisë. Rreth 1/3 e shpenzimeve qeveritare ruse i është kushtuar nevojave të mëdha të luftës - municione, karburant, automjete, ushqim, paga për ushtarët dhe kompensim për familjet e tyre kur vriten - duke nxitur aktivitetin ekonomik në një formë që kolegia ime Katie Stallard e ka përshkruar si “një formë të zymtë stimulimi”.

Dhe fundi i luftës do të sjellë fundin e atij stimuli, një ribalancim dhe potencialisht një tronditje ekonomike për Rusinë. Matt Gertken, strategu kryesor gjeopolitik në BCA Research, më tha se ndërsa një “rënie njëshifrore e PBB-së” do të ishte një parashikim i arsyeshëm, ndërsa Rusia po kalon nga një ekonomi lufte, vendi rrezikon një recesion më të thellë të shkaktuar nga një rritje e kohëve të fundit e huamarrjes së korporatave.

Duke përdorur të dhënat nga Banka për Zgjidhje Ndërkombëtare, Gertken dhe ekipi i tij kanë identifikuar një rritje shumë të madhe të huamarrjes “të tepërt” publike dhe private (mbi tendencat e përcaktuara më parë) në 4 vitet e fundit.

“Ajo pësoi rritje kur u rrit edhe mobilizimi në vitin 2021, dhe u rrit akoma më shumë në vitin 2022”, më tha ai. Ekipi i tij vlerëson se huamarrja e tepërt ka arritur në 560 miliardë dollarë, 400 nga të cilat janë nga sektori privat. Gertken thotë se kjo shifër është e rezervuar në krahasim me analizat e tjera.

Nëse ritmi shumë i lartë i huamarrjes private në Rusi bie ndjeshëm pas një armëpushimi, kjo mund të ndryshojë natyrën e ekonomisë së pasluftës. “Një recesion ekonomie me një tkurrje të huamarrjes, është një lloj recesion i ndryshëm nga ai në të cilin kredia mbetet e bollshme. Siç e dimë nga rëniet e fundit të kreditit në ekonomi të tjera, kjo mund të çojë në një recesion ekonomik të thellë”, nënvizoi Gertken.

Fundi i luftës mund të jetë transformues edhe për tregun e punës. Një ngadalësim i shpenzimeve publike dhe huamarrjes private, mund të shkaktojë shkurtime të reja në një kohë kur më shumë se 600.000 trupa të vendosura aktualisht në Ukrainë, do fillojnë të kthehen në shtëpi. Situata mund të ndërlikohet më tej nga numri i madh i ushtarëve rusë të plagosur.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe, vlerëson se humbjet e rusëve në front kanë arritur në 900.000, ku rreth 200.000- 250.000 janë vrarë. Dhe numri shumë i madh i ushtarëve të plagosur që kthehen nga Ukraina, mund të krijojë atë që Gertken e quan “problemi i kapiten Kopeikinit”, sipas ushtarit anonim të veprës “Shpirtrat e vdekur” të Nikolai Gogol.

Kopeikini kishte humbur një krah dhe një këmbë në Luftërat Napoleonike. Kur kthehet zbulon se shteti nuk do t’i sigurojë pension. Ai e merr vetë çështjen në dorë duke u bërë udhëheqësi i një grupi banditësh. Mediat ruse kanë filluar të merren që tani me shqetësimet në lidhje me “veteranët që nuk kanë punë, ose veteranët që janë të plagosur dhe s’kanë përfitime të mjaftueshme”.

Nëse Rusia del nga sanksionet, ajo do të kthehet në një ekonomi globale shumë më të ndryshe nga ajo që la në vitin 2022. Lufta e Trump kundër tregtisë globale ka pasoja të mëdha për SHBA-në, e cila përballet me një perspektivë reale të rënies ekonomike.

Por edhe për Kinën, fabrikat e së cilës janë objektivi kryesor i tarifave të Shtëpisë së Bardhë. Kina është blerësja më e madh e eksportit kryesor të Rusisë, naftës. Që të gjitha nënkuptojnë se Rusia do të ishte më mirë që ta vazhdonte luftën e saj në Ukrainë.

Putini duhet të sigurojë një armëpushim, ose të rrezikojë që SHBA dhe BE të reagojnë me më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën. Nëse Kremlini nuk përqendrohet së shpejti tek shpenzimet e brendshme, thotë Gertken, “dhe vazhdon me luftën, do të ketë një problem ekonomik të papërballueshëm në të ardhmen”.

“Dhe e vërteta është se ndoshta që tani situata është e papërballueshme. Por ekziston mundësia që nëse rusët e pranojnë armëpushimin dhe ndryshojnë kurs, ndoshta mund ta rehabilitojnë ekonominë në kohë për të parandaluar trazirat shkatërruese sociale”, theksoi eksperti.

Megjithatë, Gertken parashikon se lufta në Ukrainë do të ketë një barrë e gjatë për ekonominë dhe shoqërinë ruse. Ai e krahasoi atë me Luftën e Vietnamit, në të cilën Amerika pësoi një nivel të ngjashëm viktimash në krahasim me madhësinë e popullsisë së saj.

“Edhe sot, pjesa më e madhe e polarizimit që përjetojmë në SHBA, i ka pjesërisht rrënjët tek Lufta e Vietnamit. Ndaj mendoj se do të kemi trazira serioze sociale, gjë që është normale në Rusi pas luftërave, veçanërisht atyre pushtuese dhe jo mbrojtëse", thotë Gertken.

Ai parashikon se plagët e lëna në ekonominë dhe shoqërinë e Rusisë, do të “jenë shumë të rrezikshme për regjimin politik”. Askush nuk mund të thotë se cili do të jetë rezultati, por Gertken parashikon që edhe nëse Putin do jetë në gjendje të pretendojë një fitore në Ukrainë, ai do të përballet me “një luftë për pushtet”, para se të mbyllet kjo dekadë./ Përshtati "Pamfleti" nga “New Statesman”

Lini një Përgjigje