Për shumë qytetarë dhe organizata, kostoja e të bërit opozitë është rritur ndjeshëm. Ndonëse ato nuk janë aq të larta sa në diktatura si Rusia - ku kritikët burgosen, internohen ose vriten rregullisht - Amerika ka kaluar me një shpejtësi marramendëse në një regjim në të cilin kundërshtarët e qeverisë kanë frikë nga hetimet penale, paditë, kontrollet tatimore dhe masat e tjera ndëshkuese...
Si do ta kuptojnë amerikanët e kanë humbur demokracinë e tyre? Sot autoritarizmi është më i vështirë për t’u identifikuar sesa dikur. Shumica e autokratëve të shekullit XXI ngjiten në pushtet përmes zgjedhjeve. Dhe në vend se ta shtypin me dhunë opozitën si Kastro ose Pinoçeti dikur, autokratët e sotëm i shndërrojnë institucionet publike në armë politike, duke përdorur agjencitë e zbatimit të ligjit, taksat dhe entet rregullatore për të ndëshkuar kundërshtarët dhe vënë nën kontroll median dhe shoqërinë civile.
Ne e quajmë këtë autoritarizëm konkurrues, një sistem në të cilin partitë konkurrojnë në zgjedhje, por abuzimi sistematik i pushtetit të një personi në detyrë, i anon rregullat e lojës kundër opozitës. Në këtë mënyrë, sundojnë autokratët sot në Hungari, Indi, Serbi dhe Turqi, ashtu siç sundoi deri disa vite më parë Hugo Çavez në Venezuelë.
Rrëshqitja në një autoritarizëm konkurrues nuk shkakton gjithmonë alarm. Meqë qeveritë i sulmojnë rivalët e tyre përmes mjeteve në dukje ligjore, si paditë për shpifje, auditimet nga organet tatimore dhe hetimet e shënjestruara politikisht, qytetarët e kuptojnë dalëngadalë se po i nënshtrohen një sundimit autoritar.
Më shumë se një dekadë në sundimin e Çavez, shumica e venezuelanëve besonin ende se jetonin në një demokraci. Atëherë si mund ta dallojmë nëse Amerika e ka kaluar vijën e kuqe drejt autoritarizmit? Ne propozojmë një metrikë të thjeshtë: koston e kundërshtimit të qeverisë.
Në demokraci, qytetarët nuk ndëshkohen për kundërshtimin paqësor të atyre që janë në pushtet. Ata s’kanë pse të shqetësohen për publikimin e opinioneve kritike, mbështetjen e kandidatëve të opozitës apo angazhimin në protesta paqësore, sepse e dinë se nuk do të vuajnë hakmarrjen e qeverisë.
Ndërkohë nën një sistem autoritar, opozita vjen me një çmim. Qytetarët dhe organizatat që bien ndesh me linjën e qeverisë, bëhen shënjestra të një sërë masash ndëshkuese. Politikanët mund të hetohen dhe ndiqen penalisht për akuza të pabaza ose të vogla, mediat mund të përballen me padi të kota për shpifje ose vendime negative nga entet rregullatore.
Bizneset mund të përballen me kontrollet tatimore ose t’u mohohet qasja në tendera dhe licenca. Universitetet dhe institucionet e tjera qytetare, mund të humbasin fonde apo përjashtimin nga taksat, ndërsa gazetarët, aktivistët dhe kritikët e tjerë mund të ngacmohen, kërcënohen ose sulmohen fizikisht nga mbështetësit e qeverisë.
Kur qytetarët duhet të mendohen dy herë para se të kritikojnë ose kundërshtojnë qeverinë, sepse mund të përballen me ndëshkim të besueshëm nga qeveria, ata nuk jetojnë më në një demokraci të plotë. Sipas kësaj metrike, Amerika ka nisur të hyjë në një autoritarizëm konkurrues.
Përdorimi i agjencive qeveritare si armë nga administrata Trump dhe një mori veprimesh ndëshkuese kundër kritikëve, e ka rritur koston e opozitës për një gamë të gjerë amerikanësh. Administrata Trump ka ndërmarrë (ose ka kërcënuar) veprime ndëshkuese kundër një numri jashtëzakonisht të madh individësh dhe organizatash që i konsideron kundërshtarë të saj.
Për shembull, ajo ka përdorur agjencitë të caktuara ligjzbatuese kundër kritikëve. Presidenti Trump i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të hapë hetime ndaj Christopher Krebs (që kur ishte kreu i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës kundërshtoi publikisht pretendimet e rreme të Trump për manipulime zgjedhore në vitin 2020) dhe Miles Taylor (që kur ishte zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, shkroi në viti 2018 në mënyrë anonime një artikull që kritikonte presidentin).
Po ashtu, administrata ka nisur një hetim penal ndaj Letitia James, Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, e cila ngriti një padi kundër Trump në vitin 2022.
Administrata ka shënjestruar për hakmarrje edhe studio të mëdha ligjore. Kështu e ndaloi qeverinë federale të punësonte Perkins Coie; Paul, Weiss; dhe studio të tjera që i percepton si pranë Partinë Demokratike. Donatorët e kësaj të fundit, po përballen gjithashtu me ndëshkim politik.
Në prill, Trump udhëzoi prokuroren e përgjithshme të hetojë praktikat e mbledhjes së fondeve nga ActBlue, platforma kryesore të donatorëve të Partisë Demokratike, në një përpjekje të dukshme për të dobësuar infrastrukturën e mbledhjes së fondeve nga rivalët e tij.
Ashtu si shumë qeveri autokratike, administrata Trump ka vënë në shënjestër median. Trump ka paditur në gjykatë ABC News, CBS News, Meta, Simon & Schuster dhe The Des Moines Register. Njëherazi, administrata e ka politizuar Komisionin Federal të Komunikimeve dhe e ka përdorur atë kundër mediave të pavarura.
Ajo nisi një hetim mbi praktikat e mbledhjes së fondeve nga PBS dhe NPR, si një hap paraprak për shkurtimet e fondeve. Çuditërisht, këto sulme ndaj kundërshtarëve dhe medias kanë ndodhur me një shpejtësi dhe forcë edhe më të madhe sesa veprimet ekuivalente të ndërmarra nga autokratët e zgjedhur në Hungari, Indi, Turqi ose Venezuelë gjatë viteve të tyre të para në detyrë.
Trump ka kopjuar autokratët e tjerë në sulmin ndaj universiteteve. Departamenti i Arsimit ka nisur hetime për të paktën 52 universitete për pjesëmarrjen e tyre në programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, dhe rreth 60 universitete janë nën hetim për antisemitizëm, duke i kërcënuar ato me gjoba të rënda.
Po ashtu, ka pezulluar në mënyrë të paligjshme qindra miliona dollarë në fonde të miratuara për shkolla kryesore si Brown, Columbia, Princeton, Universiteti i Pensilvanisë dhe ai Harvardit. Ndërkohë, vetë politikanët republikanë po përballen me kërcënime me dhunë nëse kundërshtojnë Trumpin.
Frika nga dhuna nga mbështetësit e tij, thuhet se i dekurajoi disa ligjvënës republikanë nga votimi për shkarkimin dhe dënimin e tij pas sulmit të 6 janarit 2021. Senatorët republikanë u kërcënuan edhe gjatë seancave të konfirmimit në fillim të këtij viti.
Senatori Thom Tillis, republikan i Karolinës së Veriut, tha se FBI e paralajmëroi për “kërcënime të besueshme me vdekje”, teksa ai po shqyrtonte mundësinë e kundërshtimit të emërimit të Pete Hegseth si Sekretar i Mbrojtjes. Edhe për shumë qytetarë dhe organizata amerikane, kostoja e opozitës është rritur ndjeshëm.
Ndonëse këto kosto nuk janë aq të larta sa në diktatura si Rusia - ku kritikët burgosen, internohen ose vriten rregullisht - Amerika ka kaluar me një shpejtësi marramendëse në një regjim në të cilin kundërshtarët e qeverisë kanë frikë nga hetimet penale, paditë, auditimet tatimore dhe masat e tjera ndëshkuese.
Kjo qasje ka pasur një ndikim të qartë. Ajo e ka ndryshuar mënyrën se si sillen amerikanët, duke i detyruar ata të mendohen dy herë para se të angazhohen në atë që duhet të jetë opozitë e mbrojtur nga kushtetuta. Për pasojë, shumë nga politikanët dhe organizatat shoqërore që duhet të shërbejnë si mbikëqyrës dhe kontrollues të ekzekutivit po heshtin ose po qëndrojnë mënjanë.
Strategjitë e vetëmbrojtjes, kanë bërë që shumë udhëheqës të shoqërisë civile të tërhiqen në heshtje ose ta pranojnë presionin. Kjo qasje duket si e vetmja rrugë e arsyeshme. Por kjo është logjika fatale e paqtimit me të keqen: besimi se dorëzimi në heshtje dhe në mënyrë të përkohshme, do të zbusë dëmin afatgjatë.
Zakonisht kjo gjë nuk ndodh. Dhe aktet e vetëmbrojtjes individuale kanë kosto serioze kolektive. Së pari, pranimi i heshtur ndoshta do ta trimërojë administratën, duke e inkurajuar atë të intensifikojë dhe zgjerojë sulmet e saj. Kur opozita bën sikur nuk është më, qeveria zakonisht fiton.
Pranimi i heshtur i diktatit të Trump nga udhëheqësit më të shquar të shoqërisë civile, dërgon një mesazh shumë demoralizues për shoqërinë. Ajo u thotë amerikanëve se demokracia nuk ia vlen të mbrohet, apo se rezistenca është e kotë. Nëse individët dhe organizatat më të privilegjuara të Amerikës nuk janë të gatshme ose të paafta të mbrojnë demokracinë, çfarë duhet të bëjnë qytetarët e zakonshëm?
Kostot e opozitës janë të kapërcyeshme. Dhe më e rëndësishmja, rënia në autoritarizëm është e kthyeshme. Por askush nuk e ka mposhtur ndonjëherë autokracinë duke qëndruar mënjanë./ Përshtati "Pamfleti" nga “New York Times”
Shënim: Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, profesorë të qeverisjes në Universitetin e Harvardit dhe autorë të librave “Tirania e pakicës” dhe “ Si vdesin demokracitë”. Lucan Way, profesor i shkencave politike në Universitetin e Torontos.
Lini një Përgjigje