Forcat e armatosura të Iranit kryen sulme me raketa në shkallë të gjerë kundër objektivave amerikane dhe izraelite, raportoi televizioni shtetëror iranian.
Irani ka nisur sulme ajrore kundër bazës amerikane në Erbil të Irakut, bazës së Flotës së Pestë të Marinës Amerikane në Bahrein dhe afërs Tel Avivit.
Lajmi është raportuar nga televizioni shtetëror iranian, duke cituar Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Sulmet e kombinuara u kryhen duke përdorur raketat Qadr, Kheibar Shekan dhe Khorramshahr.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se një shpërthim i fuqishëm u dëgjua pranë Konsullatës Amerikane në qytetin verior të Irakut, Erbil, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore interceptuan një dron vetëvrasës që synonte zonën.
Mbrojtja ajrore u aktivizua dhe mjeti ajror pa pilot (UAV) u neutralizua pranë konsullatës, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm.
Mediat lokale raportuan gjithashtu se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan njëkohësisht në zonën e Soranit, ku u shkatërruan dy dronë të tjerë.
Shpërthime dhe aktivitete të mbrojtjes ajrore janë raportuar në Erbil pothuajse çdo ditë që kur Irani filloi sulmet hakmarrëse pas sulmeve amerikane dhe izraelite.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë asetet ushtarake amerikane në të gjithë rajonin, si dhe disa qytete izraelite.
Të hënën, mbeturinat e njërit prej tre dronëve të rrëzuar mbi Erbil ranë pranë Konsullatës së Emirateve të Bashkuara Arabe. Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe e dënoi incidentin, duke thënë se dënonte fuqimisht shënjestrimin e konsullatës.
Sipas shifrave zyrtare, Qeveria Rajonale Kurde është përballur me 210 sulme me dronë, përfshirë 177 që synojnë Erbilin, që nga fillimi i përshkallëzimit të situatës.
Përshkallëzimi rajonal është intensifikuar që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1,200 njerëz dhe duke plagosur mbi 10,000 të tjerë.
Rreth 150 ushtarë amerikanë të plagosur nga lufta
Rreth 150 ushtarë amerikanë janë plagosur gjatë 10 ditëve të para të luftës mes shteteve të Bashkuara dhe Iranit, raportoi agjencia Reuters duke cituar dy persona të njohur me çështjen.
Sipas raportimit, kjo shifër nuk ishte bërë më parë publike. Para publikimit të këtij informacioni nga Reuters, Pentagoni kishte konfirmuar vetëm tetë ushtarë amerikanë të plagosur rëndë.
Pas publikimit të lajmit, Pentagoni reagoi me një deklaratë duke thënë se numri i të plagosurve është rreth 140. Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, tha se shumica e plagëve janë të lehta.
“Sipas të dhënave që nga fillimi i operacionit ‘Epic Fury’, rreth 140 pjesëtarë të forcave amerikane janë plagosur gjatë 10 ditëve të sulmeve të vazhdueshme,” deklaroi ai.
Sipas tij, 108 nga ushtarët e plagosur janë rikthyer në detyrë, ndërsa tetë të plagosurit rëndë po marrin kujdesin më të lartë mjekësor.
Reuters thekson se ende nuk dihet lloji i plagëve të pësuara nga ushtarët dhe nëse mes tyre përfshihen edhe dëmtime traumatike të trurit, të cilat janë të zakonshme pas shpërthimeve.
Irani ka ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt. Sipas Pentagonit, numri i sulmeve iraniane ka rënë ndjeshëm ditët e fundit, ndërsa ushtria amerikane po godet depot e armëve dhe lëshuesit e raketave të Teheranit.
Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, Dan Caine, deklaroi se Irani nuk ka rezultuar një kundërshtar më i fortë sesa ishte parashikuar në planet ushtarake amerikane.
“Po luftojnë dhe e respektoj këtë, por nuk mendoj se janë më të frikshëm nga sa kishim parashikuar,” tha ai gjatë një konference për shtyp në Pentagon.
Plagoset lideri i ri i Iranit
Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka mbetur i plagosur në këmbë, gjatë një sulmi izraelit. Sipas New York Times, Mojtaba Khamenei ndodhet në një vend të sigurt.
Burime iraniane të cituara nga Times deklaruan se çdo komunikim me botën e jashtme mund të zbulojë vendndodhjen e Khameneit, duke e vënë atë në rrezik.
Sipas dy burimeve ushtarake izraelite, raportohet se Khamenei u plagos në këmbë në ditën e parë të luftës, më 28 shkurt, përpara se të zgjidhej Udhëheqës Suprem i Republikës Islamike.
SHBA-të godasin 16 anije që vendosnin mina pranë Ngushticës së Hormuzit
Forcat amerikane goditën 16 anije që po vendosnin mina pranë Ngushticës së Hormuzit, sipas një postimi nga Komanda Qendrore e SHBA-së, i cili përfshin edhe video që tregon sulmet ndaj anijeve.
"Forcat amerikane neutralizuan disa anije detare iraniane më 10 mars, duke përfshirë 16 anije që vendosnin mina që vepronin pranë Ngushticës së Hormuzit", tha CENTCOM.
U.S. forces eliminated multiple Iranian naval vessels, March 10, including 16 minelayers near the Strait of Hormuz. pic.twitter.com/371unKYiJs
— U.S. Central Command (@CENTCOM) March 10, 2026
Lini një Përgjigje