TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Korrik 2025, 18:21

Dosja e prokurorisë së Milanos, si miku i Edi Ramës u implikua në afera me oligarkët e ndërtimit; zbulohen mesazhet

Shkruar nga Pamfleti
Dosja e prokurorisë së Milanos, si miku i Edi Ramës u implikua
Stefano Boeri

Nuk kanë fund telashet për mikun e Edi Ramës...

Zbardhen detaje nga dosja e prokurorisë së Milanos me aferën e ndërtimit, ku i përfshirë është dhe arkitekti Stefano Boeri, mik i kryeministrit Rama dhe arkitekt i betonizimit të Tiranës.

Sipas “Corriere Della Sera”, edhe kryetari i Bashkisë së Milanos, Beppe Sala, është vënë nën hetim në një skandal të gjerë korrupsioni urbanistik, që të mërkurën solli kërkesën e Prokurorisë për vendosjen në arrest shtëpiak të gjashtë personave. Mes tyre ndodhen emra të rëndësishëm si Giancarlo Tancredi, këshilltari për Urbanistikën i vetë Salës, Giuseppe Marinoni, ish-kryetar i Komisionit të Peizazhit, si dhe manjati i pasurive të paluajtshme Manfredi Catella, kreu i kompanisë “Coima SGR” që menaxhon mbi 10 miliardë euro kapital të mbledhur në 33 fonde nga investitorë institucionalë, përfshirë fondet sovrane të Katarit, Singaporit dhe Abu Dhabit.

Të tjerët që përballen me kërkesë arresti janë Alessandro Scandurra, Federico Pella dhe Andrea Bezziccheri. Ata do të merren në pyetje më 23 korrik nga gjyqtari hetues Mattia Fiorentini. Numri total i të hetuarve ka arritur në 21, përfshirë arkitektin e njohur Stefano Boeri, i cili pesë muaj më parë ishte pezulluar nga çdo detyrë publike. Kjo hetim lidhet me një tjetër çështje të muajit mars, ku arrestimi i ish-drejtorit të Zyrës për Ndërtimet Urbane, Giovanni Oggioni, zbuloi prapaskenat e një tentative për të shtyrë përpara një amnisti urbane të quajtur “Salva-Milano” për interesat e zhvilluesve të mëdhenj.

Akuza ndaj Salës: shpërdorim detyre dhe ndikim të padrejtë

Ndaj kryetarit Sala janë ngritur dy akuza kryesore. E para ka të bëjë me “deklarata të rreme për kualifikimet personale të tij ose të të tjerëve”, që lidhet me faktin se ai konfirmoi Marinonin si kryetar të Komisionit të Peizazhit në dhjetor 2024, ndonëse ishte në dijeni se ai kishte konflikt interesi me ndërtues dhe projektues, përfshirë kompaninë e Catella-s. Organi i akuzës pretendon se Sala u ndikua nga Tancredi për të rizgjedhur Marinonin, i cili, sipas hetuesve, merrte ndërkohë pagesa dhe detyra private nga Coima SGR dhe të tjerë, gjë që e kompromentonte në gjykimet e tij mbi projektet.

Dosja “Pirellino”: presion politik, mesazhe personale dhe ndryshim qëndrimi

Afera tjetër ku përmendet Sala është projekti i rishikimit të kullës “Pirellino”, ku Catella dhe Boeri kishin interesa të drejtpërdrejta. Sipas Prokurorisë, Boeri dhe Catella ushtruan presion mbi Tancredin, i cili nga ana e tij ushtroi ndikim mbi Marinonin për të ndryshuar vendimin e Komisionit. U pretendua se edhe Sala ishte përfshirë në mënyrë indirekte, duke marrë sinjalizime nga Boeri dhe duke komunikuar me Marinonin.

Në qershor 2023, Komisioni e kishte refuzuar projektin për ndikim vizual tepër të rëndë (“një mur 30 me 40 metra, i lartë 100 metra”, siç tha vetë Marinoni). Por më 22 qershor, pas një zinxhiri mesazhesh mes Boeri-t, Catella-s, Tancredi-t dhe Sala-s, Komisioni papritur dha një vendim “të favorshëm me kushte”.

Boeri i dërgoi Sala-s një audio-mesazh ku i kërkonte ndërhyrje: “Beppe, nga mik te mik, kjo situatë më frikëson... nuk është e shëndetshme... duhet të flasësh me Marinonin”. Sala iu përgjigj: “Më kanë thënë se nuk është vetëm Marinoni. Do flas me Giancarlo. Nesër e rishikoj me qetësi”.

Një ditë më pas, më 22 qershor, Boeri njofton Catella-n se Komisioni e ka miratuar projektin, dhe vë në dukje se “kundërshtimet e Marinonit janë zhdukur plotësisht”. Prokurorët theksojnë se më 5 tetor 2023, Marinoni “nën presionin e Boerit, Catellës, Tancredit dhe ndërhyrjeve të ndërmjetme të Sala-s” shtyu Komisionin që të miratonte vendimin e dëshiruar, në një akt që cilësohet si “nënshtrim total ndaj interesave private”. /Pamfleti

Lini një Përgjigje