Në realitet, ajo që kërkohet sot nga e majta është një provë qeverisjeje...
Pas gati dy shekujsh përparimi, e majta duhet ta kuptojë menjëherë se qytetet e saj të shenjta dhe simbolike sot janë Kievi dhe Teherani. Ajo që po ndodh në Ukrainë dhe Iran e sfidon drejtpërdrejt, sepse vë në pikëpyetje vlerat e saj të lirisë, thirrjen për solidaritet me më të dobëtit, refuzimin e abuzimit dhe padrejtësisë, mbështetjen për luftën për çlirim nga çdo tirani, si dhe mbrojtjen e ligjit dhe të drejtave. Pasi ka nderuar idhujt e rremë të komunizmit në shekullin e njëzetë, i cili premtoi çlirim universal dhe përfundoi duke burgosur vende dhe popuj në diktaturë, kjo është “Kredoja” që ka mbetur: një angazhim për drejtësi dhe liri, barazi dhe emancipim, që i ka mbijetuar stuhive të shekullit të kaluar dhe paqartësive të shekullit të ri. Kjo nuk është pak dhe, në çdo rast, është e mjaftueshme për të jetuar me dinjitet në botë, për të luajtur rolin e vet historik dhe, më në fund, për të mbrojtur parimet e demokracisë kudo që ato sfidohen.
Në realitet, ajo që kërkohet sot nga e majta është një provë qeverisjeje. Sepse qeverisja e mirë në kuptimin tradicional nuk mjafton më përballë emergjencës së vazhdueshme të një bote jashtë kontrollit, me qytetarë që ndihen të ekspozuar, të prekshëm dhe gjithnjë e më pak të mbrojtur nga monopoli shtetëror i forcës. Për këtë arsye, ata kërkojnë mbrojtje te zgjidhjet autoritare, te figurat e forta, te thjeshtësimi autokratik, duke ia faturuar demokracisë gabimet dhe dështimet e politikës. Në fund, janë të gatshëm të shkëmbejnë pjesë të lirisë për më shumë siguri, pavarësisht nga natyra apo prejardhja e kësaj sigurie. Për të qeverisur jo vetëm një vend të ndërlikuar si Italia, por edhe një krizë globale të paprecedentë dhe të parregulluar, në të cilën po lundrojmë në errësirë, nevojitet qartësi mbi tre koncepte themelore të së tashmes dhe të ardhmes sonë: lirinë, Perëndimin dhe demokracinë. Ato përfaqësojnë, përkatësisht, gjendjen tonë si burra dhe gra të lirë, arbitra të fatit tonë; kontekstin kulturor, jo vetëm gjeografik, ku është shfaqur qytetërimi ynë; dhe formën politike e institucionale që i kemi dhënë bashkëjetesës sonë, në njohjen e ndërsjellë që përbën një bashkësi civile.
Në Ukrainë, është e qartë se çdo rend demokratik është shkelur që prej katër vitesh, që kur tanket ruse pushtuan dhe shkelën kufijtë e një shteti sovran, duke shkaktuar një konflikt pushtimi territorial dhe shpirtëror. Mosmarrëveshja e vërtetë, historike dhe e përhershme lidhet me shpirtin origjinal të Rusisë së Kievit, i kontestuar mes Rusisë dhe Evropës. Nga njëra anë qëndron liria e popullsisë ukrainase, e sulmuar dhe e bombarduar në jetën civile të qyteteve të saj të shkatërruara; nga ana tjetër, liria perandorake e Rusisë, e cila i jep vetes të drejtën të rishkruajë historinë e saj mijëvjeçare në tokë të huaj, duke imponuar të ardhmen e një populli në funksion të fatit “të shenjtë” të perandorisë, që Moska të përmbushë misionin e saj universal të shpëtimit. Dhe është Perëndimi, i përjetuar nga Kremlini si një qytetërim rival dhe një perandori sfiduese, pra si një armik i përhershëm, me projeksionin mitik të Euroazisë si hapësirë shpirtërore, një kontinent i brendshëm dhe rezultat gjeopolitik i kësaj përplasjeje vendimtare të fillimit të shekullit, që duhet të zgjidhë llogaritë e pambyllura mes demokracisë dhe autokracisë.
Është e vështirë për çdo qytetar, pavarësisht bindjes politike, të mos e njohë Ukrainën si viktimë të agresionit dhe të mos shprehë solidaritet, thjesht në emër të njerëzimit, lirisë, autonomisë së popujve dhe pavarësisë së shteteve, vlera universale dhe, për rrjedhojë, edhe tonat. Por është e pakuptueshme që një pjesë e së majtës të mos shkojë një hap më tej dhe të mos e njohë qartë në veprimet e ushtrisë ruse atë imperializëm që ishte një nga fantazmat kryesore të shekullit të njëzetë, i personifikuar dikur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çfarë përdorimi politik mund t’i bëhet sot këtij imperializmi të ringjallur? Ta mohosh, të bësh sikur nuk e sheh, ose ta justifikoshm, për ata që janë kundër Zelenskyt, vetëm për të mos u përballur me faktin se po mbron pikëpamjen e Perëndimit dhe vlerat e tij themelore.
Në Iran, kontradikta e kësaj pakice dhe e një të majte dritëshkurtër është edhe më e theksuar. Ka një kryengritje popullore kundër një diktature teokratike që prej 47 vitesh ka shtypur popullin, duke e shndërruar ligjin e Krijuesit në detyrim për të gjitha krijesat. Rrethi i terrorit që rrethonte regjimin u shemb dhe një krizë shkatërruese ekonomike i nxori njerëzit në rrugë kundër ajatollahëve, duke sfiduar Gardën Revolucionare, e cila u përgjigj duke vrarë mijëra kryengritës, në një masakër të vërtetë të lirisë, me zjarr mitralozi. Përballë kësaj prove dhune, shtypjeje dhe absolutizmi, si mund të hezitojë apo të bëjë dallime dikush? Kauza e të rinjve të Teheranit është kauza e të gjithë qytetarëve demokratikë, e çdo të majte; përndryshe, e majta nuk ka më kauzë.
E vërteta e hidhur është se një segment i së majtës refuzon ta njohë veten sipas standardeve të Perëndimit, sepse nuk njeh vlerat dhe rëndësinë e demokracisë. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Ky refuzim ndërthur arsye të vjetra dhe të reja, duke krijuar një frymë të përhershme antidemokratike, të gërshetuar në mënyrë të përkryer me antidemokracinë e së djathtës: mbetje të besimeve sovjetike, hi komunist, prush antiamerikan që nuk shuhet kurrë dhe, mbi të gjitha, karburanti i populizmit të ri, një mendësi e ngushtë që e portretizon demokracinë si një mashtrim të elitave, të padenjë për t’u mbrojtur dhe, madje, të denjë për t’u përbuzur. Kjo shpjegon pse protesta e justifikueshme kundër Izraelit për krimet në Gaza është shndërruar në një shpërthim të pakontrolluar në të majtë, duke dominuar diskursin deri në përqafimin e sloganeve terroriste të Hamasit: sepse të drejtat e më të dobëtve u mbrojtën pa përqafuar Perëndimin demokratik.
Është e qartë për të gjithë se kaosi global ku jemi zhytur sot ka si forcë lëvizëse Uashingtonin, përmes shkatërrimit të planifikuar dhe të vazhdueshëm nga Donald Trump të rendit botëror që garanton bashkëjetesën paqësore: duke injoruar aleancat, duke minuar organizatat ndërkombëtare për parandalimin dhe menaxhimin e konflikteve dhe duke legjitimuar egoizmin kombëtar të fuqive të mëdha në ndjekjen me forcë të interesave të tyre, në dëm të të gjithëve. Por këtu kontradikta arrin kulmin: sepse opozita, dhe sot rezistenca, ndaj Trump është pikërisht mbrojtje e atyre vlerave perëndimore të lirisë që përfaqësojnë më të mirën e historisë amerikane. Kundër Trump, në emër të Amerikës, demokracisë dhe Perëndimit, duke kaluar, pas Gazës, përmes Kievit dhe Teheranit. Qytete që janë, domosdoshmërisht, kryeqytetet e së majtës në shekullin e ri. Ose fundi i rrugës./Përshtati "Pamfleti" nga "La Repubblica"
Lini një Përgjigje