
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë në kuadër të takimit të pestë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Greqi. Ai u takua me presidenten greke Katerina Sakelaropoulu dhe me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Pas përfundimit të takimit me Mitsotakis, Erdogan mbajti një deklaratë për mediat ku iu referuar marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Athinës. Ai tha se nuk ka asnjë problem që nuk mund të zgjidhet mes dy shteteve pasi janë si vëllezër.
“Ne jemi dy vende fqinje që ndajmë të njëjtin det, të njëjtën gjeografi, të njëjtën klimë, madje edhe të njëjtën kulturë në shumë fusha. Ndërsa mund të ketë mosmarrëveshje edhe mes dy vëllezërve, është e natyrshme që të ketë mosmarrëveshje mes dy fqinjëve. Çështja është vullneti për t'i zgjidhur ato. Ne duam ta kthejmë Egjeun në një det paqeje dhe bashkëpunimi. Ne dëshirojmë të jemi shembull për të gjithë botën me hapat e përbashkët që do të hedhim si Turqi dhe Greqi. Unë jam i sinqertë. Nuk ka asnjë problem mes nesh që nuk mund të zgjidhet. Përderisa veprojmë me vullnet të mirë, duhet të fokusohemi në pamjen e madhe dhe mos jemi ndër ata që kalojnë detin dhe mbyten në përrua”, tha ai.
Lini një Përgjigje