Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpërndarë në platformën Truth Social një imazh ku paraqitet një shqiponjë gjigante me ngjyrë ari mbi Ballkonin Truman të Shtëpisë së Bardhë.
Në postim ai shkroi se "Një dhuratë e artë për Shtëpinë e Bardhë për 250-vjetorin e saj!".
Më vonë, fotografia u publikua edhe nga llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në rrjetin social X.
Megjithatë, disa elemente të imazhit kanë ngritur dyshime mbi vërtetësinë e tij. Ballkoni Truman paraqitet me ndryshime të vogla në krahasim me pamjen reale, ndërsa mburoja pranë shqiponjës përmban 11 yje dhe jo 13, që përfaqësojnë kolonitë origjinale mbi të cilat u themeluan Shtetet e Bashkuara.
Sipas të dhënave të përfshira në skedarin e fotografisë, imazhi është krijuar me mjete të inteligjencës artificiale të Google. Këto meta të dhëna përmbajnë kredenciale të përmbajtjes dixhitale që identifikojnë mënyrën e krijimit të tij.
Në të njëjtën kohë, fotografi i pavarur Andrew Leyden publikoi fotografi të realizuara në Ballkonin Truman rreth orës 21:30 të së hënës, pas publikimit të postimit të Trump. Në ato pamje nuk shfaqet asnjë strukturë që i ngjan shqiponjës gjigante. Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një reagim lidhur me këtë çështje.
Që nga rikthimi në detyrë në vitin 2025, Trump ka bërë disa ndryshime në ambientet e Shtëpisë së Bardhë. Mes tyre janë shtimi i elementeve dekorative prej ari në Zyrën Ovale dhe rezidencën presidenciale, rikonstruksioni i Kopshtit të Trëndafilave, vendosja e shtizave të reja të flamurit dhe ndërtimi i një salle të re për bankete.

Lini një Përgjigje