
Banorët e Kievit përjetuan një tjetër natë të tmerrshme, të dytën radhazi, ndërsa forcat ruse nisën një breshëri sulmesh me dronë në kryeqytetin ukrainas, duke vrarë të paktën 8 persona dhe duke plagosur dhjetra të tjerë, sipas zyrtarëve lokalë.
Katër persona u vranë në rajonin Khmelnitskyi, një qytet në Ukrainën perëndimore, njoftuan autoritetet ushtarake, pas një sulmi të ri masiv ajror rus që ndodhi në orët e para të së dielës.
"Mbrëmë, rajoni Khmelnitsky ishte cak i sulmeve armiqësore nga Rusia. Sipas informacioneve fillestare, për fat të keq katër persona u vranë", njoftoi nëpërmjet Telegramit, Sergei Tyurin, zëvendëskryetar i komandës ushtarake të rajonit, duke përmendur gjithashtu pesë persona të plagosur, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë.
Tre vdekje të tjera u raportuan në rajonin e Kievit dhe një në qytetin jugor të Mykolaiv.
Në Kharkiv (verilindje), kryebashkiaku Ihor Terekhov raportoi se dronët goditën tre lokacione në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.
Videot – autenticiteti i të cilave nuk është verifikuar – u postuan në platformën Telegram, ndërsa tregonin një zjarr që dyshohet të jetë shkaktuar nga një sulm rus në portin e Odesës.
Sulme ajrore u raportuan gjithashtu në rajonet e Mykolaiv dhe Kherson, në pjesën jugore të Ukrainës.
Sulmet vijnë në mes të një shkëmbimi të të burgosurve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur ditë më parë në Stamboll.
Të shtunën, u shkëmbyen 307 të burgosur nga secila palë dhe shkëmbimi pritet të vazhdojë edhe sot.
Në frontet e betejës, përleshjet vazhdojnë me intensitet të pandërprerë, me trupat ruse që gradualisht fitojnë terren pavarësisht humbjeve të konsiderueshme që pësojnë herë pas here.
Forcat ruse kanë pushtuar komunitetet Stupotsky dhe Odradne në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore, sipas një deklarate nga Ministria e Mbrojtjes në Moskë.
Ushtria ruse njoftoi gjithashtu kapjen e qytetit Loknya në rajonin Sumy të Ukrainës verilindore, ku Moska aspiron të krijojë një zonë sigurie për të parandaluar sulmet ndërkufitare nga forcat ukrainase të ngjashme me atë në Kursk gushtin e kaluar.
Në një zhvillim tjetër, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se mbrojtja ajrore ka kapur dhe shkatërruar 95 dronë ukrainas në pjesë të ndryshme të vendit - përfshirë rajonin e Moskës - gjatë një periudhe katër-orëshe.
Një postim nga kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, në platformën Telegram thotë se 11 dronë armik u rrëzuan ndërsa po shkonin drejt kryeqytetit rus.
Për arsye sigurie, Autoriteti i Aviacionit Civil Rus u detyrua të pezullojë përkohësisht fluturimet për në dhe nga aeroportet e Moskës.
Zyrtarët rajonalë raportuan gjithashtu se sistemet e mbrojtjes ajrore qëlluan dronë armik në qytetet Tula (në jug të Moskës) dhe Tver (në veriperëndim të kryeqytetit rus).
Lini një Përgjigje