
Një ekonomi kryesisht informale dhe një shtet i korruptuar deri në palcë, i frikëson bullgarët e zakonshëm për atë që mund të ndodhë me futjen zyrtare të euros në 1 janar të vitit të vjen. Një dilemë, me të cilën mund të përballen një ditë edhe shqiptarët...
Pavarësisht se kohët e fundit mori miratimin për t’iu bashkuar monedhës së përbashkët evropiane, pak njerëz po festojnë. Anketuesit thonë se shumica e bullgarëve janë kundër, të frikësuar, të painformuar ose një kombinim i të trejave.
Në këtë mosbesim kanë ndikuar edhe politikanët. Vazrazhdane, një parti nacionaliste e treta në parlament për numrin e deputetëve, nisi një fushatë shpifjesh kundër euros. Edhe pse kjo parti nuk ka nxjerrë mijëra njerëz në rrugë, udhëheqësi i saj, Kostadin Kostadinov, ka folur për një të ardhme të errët, nëse vendi nis përdorimin zyrtare të euros.
Çmimet do të rriten ndjeshëm, parashikon ai, paratë “tona” do të ikin jashtë vendit për të shpëtuar buxhetin e Francës ose Italisë, dhe Bullgaria do të humbasë sovranitetin e saj së bashku me monedhën e saj të çmuar, levën.
Në vitin 2023, Vazrazhdane mblodhi qindra mijëra firma për një referendum “për mbrojtur levën bullgare”, si dhe për të shtyrë miratimin e euros të paktën për 20 vite, pra deri në vitin 2043. Megjithatë, parlamenti, dhe më pas Gjykata Kushtetuese, e hodhën poshtë peticionin si jo kushtetues.
Ato arsyetuan se pranimi në BE nënkupton hyrjen në eurozonë, edhe nëse referendumi i propozuar nuk trajtonte çështjen “po ose jo”, por “kur”. Ndërkohë shtetet e tjera anëtare si Republika Çeke dhe Polonia, vazhdojnë të pretendojnë se nuk janë gati.
Ky ishte edhe argumenti i presidentit bullgar Rumen Radev kur hodhi poshtë idenë e Vazrazhdanes për referendum në vitin 2023. Por më 9 maj, Radev u pendua dhe kërkoi vetë një referendum. Ai propozoi pyetjen “A duhet të bashkohet Bullgaria në eurozonë në vitin 2026?”, duke argumentuar se ishte e ndryshme nga ajo e propozuar nga Kostadinov. Megjithatë, kryetarja e parlamentit, Natalia Kiselova, mbeti e palëkundur në qëndrimin e saj kundër. Duke qenë eksperte në të drejtën kushtetuese, ish-këshilltare e Radev dhe një deputete që përfaqësonte socialistët (partia që mbështeti zgjedhjen e presidentit) - Kiselova bllokoi çdo diskutim mbi propozimin e tij.
A mund ta bënte ajo këtë? Kush e shkeli kushtetutën, ajo apo presidenti? Mbi këtë temë ka një debat të madh publik, dhe duket se kjo çështje do të përfundojë përsëri para Gjykatës Kushtetuese. Por a mund të vendoset përmes një referendumi hyrja apo jo në eurozonë?
Të vetmet shtete anëtare që e kanë bërë këtë janë Danimarka dhe Suedia. Por ato u zhvilluan kur u miratua Traktati i Maastrichtit, dhe të dyja vendet nordike zgjodhën një përjashtim nga rregulli. Të tjerë e kanë përfshirë euron në referendumet e tyre të BE-së (gjë që Bullgaria nuk e kishte bërë kurrë).
Siç më tha komisioneri i BE-së për ekonominë, Valdis Dombrovskis, 8 vende kanë hyrë në eurozonë që nga viti 2004; dhe asnjë prej tyre nuk e ka hedhur çështjen në një referendum kombëtar. Dhe kjo ka ndodhur për një arsye të fortë.
Ndryshimi i një monedhe kombëtare, kërkon vendosmëri nga ana e udhëheqjes. Publiku ka prirjen të ketë frikë nga lëvizje të tilla të guximshme. Kujtojmë rastin e anëtarëve të fundit të eurozonës, Kroacinë, dhe Letoninë, kjo e fundit vendlindja e Dombrovskis.
Ato kishin monedhat e tyre, të fituara me shumë mund dhe miratuar pas shkëputjeve përkatëse nga Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, pavarësisht krenarisë për monedhën kombëtare, zgjodhën një bast në dukje më të sigurt. Dhe sot janë kryesisht të lumtur.
“Tetëdhjetë për qind e letonezëve, e mbështesin aktualisht euron”- thotë Dombrovskis. Kroacia ishte veçanërisht e rëndësishme për bullgarët, si një vend i ngjashëm në rajon dhe si anëtari më i fundit i BE-së. Vazrazhdane, prodhoi edhe një dokumentar që sugjeronte se kroatët janë penduar shumë për atë vendim.
Ndërkohë analizat thonë të kundërtën. Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare Kroate, Michael Faulend, më tha në vitin 2022, se nuk kishte inflacion të shkaktuar nga euro, por vetëm një rritje prej vetëm 0.2-0.3 për qind të çmimeve në fillim të futjes së saj në përdorim.
“Isha në Dubrovnik të Kroacisë. Çmimet ishin të njëjta si para futjes zyrtare të euros. Shteti ndërhyri për të parandaluar spekulimet. Unë shpresoj që shteti bullgar do të bëjë të njëjtën gjë”- më tha në një intervistë drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomistja bullgare Kristalina Georgieva.
Por kjo është pikërisht ajo që i druhen bullgarët. Ata nuk u besojnë institucioneve të tyre, të cilat nuk u shqetësuan t’i pyesnin në asnjë referendum mbi NATO-n, BE-në apo ndonjë gjë tjetër të rëndësishme. Sektori i shitjes me pakicë shihet gjithashtu me dyshim.
Tani, një lloj i veçantë gjalpi u kushton bullgarëve dyfishin e çmimit që kushton në Greqi, një vend i eurozonës apo në Maqedoninë e Veriut, një shtet kandidat për në BE. E cila është logjika e tregut në këtë rast, pyesin konsumatorët?
Greqia është vërtetë një treg më i madh. Por Maqedonia e Veriut me vetëm 1.8 milionë banorë? Shumë dyshime lindin edhe nga ekonomia hije që është ende e pranishme në këtë vend të BE-së. Bullgarët mbajnë shumë para “nën qilim”. Si do t’i legalizojnë ato?
Disa punëtorë në industrinë e shërbimeve, si parukierët apo edhe shtruesit e pllakave, presin rrallë fatura për shërbimet e tyre. Çfarë do t’i pengojë ata të rrisin çmimet e tyre? Dhe a do të jenë në gjendje përfituesit e mëdhenj nga ekonomia hije, që të anashkalojnë masat anti-spekulim të shtetit (pra, rritjen e çmimeve), të shpallura këto ditë me shumë pompozitet?
Diplomatët e huaj, më thonë se nuk kanë parë askund tjetër më shumë makina luksoze “Bentley” sa këtu në Bullgari, duke pyetur: A janë që të gjitha të blera më të ardhura të ligjshme? Aktualisht po ndodh një bum i madh ndërtimesh, në pritje të inflacionit dhe rritjes së çmimeve të apartamenteve që do të shoqërojnë futjen e Bullgarisë në eurozonë.
Në këtë sektor, është investuar një pjesë e mirë e parave të pista. Megjithatë, shumë njerëz kanë frikë se ky sektor do të falimentojë. Duke pasur parasysh të gjitha këto, shteti ka nisur vetëm kohët e fundit që të mbështesë kalimin në euro.
Zyrtarët u shfaqën papritur me fytyra të vendosura, duke shpallur masa dhe duke kërcënuar spekuluesit potencialë me “grushtin e fortë” të shtetit. A do jetë e vërtetë vallë? Ndoshta. Megjithatë, gjithçka pritet të shihet në janar 2026. Nëse gjithçka do të shkojë mirë, ata që tani e kundërshtojnë euron do të humbasin reputacionin dhe besueshmërinë e tyre.
Por nëse gjërat shkojnë keq, çdo problem do t’i faturohet euros dhe mbështetësve të saj. E vërteta është se gjithçka varet nga vetë bullgarët./ Përshtati "Pamfleti" nga “Transitions Online”
Lini një Përgjigje