Kompania amerikane e sondazheve Gallup ka vendosur të ndërpresë matjen e rregullt të popullaritetit të presidentëve të Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë fund një praktike 88-vjeçare.
Një zëdhënës i kompanisë konfirmoi për “The Washington Post” se ndryshimi i strategjisë ka hyrë në fuqi që në janar. Ai sqaroi se ky lloj sondazhi “nuk përfaqëson më një fushë në të cilën Gallup mund të kontribuojë në mënyrën më të veçantë”.
Gallup bëri të ditur se do të vazhdojë sondazhet e serisë “Social Series”, të cilat ndjekin tendencat politike dhe sociale, si dhe anketat tremujore që fokusohen në tregun e punës. Kompania do të vijojë gjithashtu realizimin e “Gallup World Poll”, që zhvillohet në rreth 140 vende të botës.
Sondazhi për vlerësimin e presidentit kishte nisur në vitin 1938, kur themeluesi George Gallup u drejtonte qytetarëve pyetjen: “A e miratoni apo e kundërshtoni mënyrën si po ushtron detyrën presidenciale Franklin Roosevelt?”.
Sot, dhjetëra sondazhe matin popullaritetin e presidentit amerikan. Megjithatë, sipas “The Washington Post”, Gallup ka pasur një rol të veçantë në këtë fushë, duke u dalluar për cilësinë e lartë të kërkimeve dhe për vazhdimësinë historike të të dhënave për gati një shekull.
Duke pyetur rregullisht amerikanët për vlerësimin e presidentit, Gallup u ka ofruar politikanëve, gazetarëve dhe publikut një bazë të qëndrueshme për të krahasuar liderët aktualë me ata të dekadave të mëparshme.
Kompania ishte ndër të fundit që matjen e miratimit presidencial e realizonte përmes intervistave telefonike me mostra të reja dhe të përzgjedhura rastësisht për çdo sondazh, në vend të metodave online që përdoren gjerësisht sot.
Lini një Përgjigje