Jagland po hetohet për kontakt të gjerë me Jeffrey Epstein, për qëndrim të përsëritur në pronat e tij dhe për dyshimin se ka marrë ndihmë financiare për të blerë një apartament.
Këshilli i Evropës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese nga autoritetet norvegjeze, të cilat kanë nisur hetime për korrupsion në lidhje me raportet e tij me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Vendimi është marrë unanimisht nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës. Institucioni bëri të ditur se heqja e imunitetit është realizuar me kërkesë të autoriteteve norvegjeze, për t’i hapur rrugë procesit ligjor ndaj ish-zyrtarit të lartë. Sipas njoftimit zyrtar, masa vjen pas zbulimeve mediatike të publikuara që prej nëntorit 2025, të cilat e lidhin Jagland me Epstein.
Jagland ka shërbyer si kryeministër i Norvegjisë nga viti 1996 deri në vitin 1997. Ai ishte sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019 dhe kryesoi Komitetin Norvegjez të Nobelit nga viti 2009 deri në vitin 2015.
Në një deklaratë të enjten, agjencia norvegjeze kundër korrupsionit, Okokrim, bëri të ditur se i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme heqjen e imunitetit të dhënë Jagland si ish-diplomat. Shefi i Okokrim, Pal Lønseth, tha se hetimi do të përqendrohet në verifikimin nëse Jagland ka marrë dhurata ose favore në lidhje me pozicionet e tij, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Emri i Jagland përmendet disa herë në dosjet nga pasuria e Epstein, të publikuara javën e kaluar nga autoritetet amerikane.
Sipas raportimeve, në një email drejtuar Epstein në maj 2012, Jagland shkruante: “Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), vajza të jashtëzakonshme”. Në një tjetër email nga janari 2013, ai përmendte plane për të vizituar ishullin privat të Epstein në Karaibe me gruan dhe djemtë e tij, duke shtuar: “Nuk mund ta vazhdoj vetëm me gra të reja, siç e dini”.
Të hënën, Jagland i tha gazetës norvegjeze VG se emailet përmbanin “zhargon të sikletshëm” që mund të keqinterpretohej dhe theksoi se nuk kishte vizituar kurrë pronat e Epstein pa praninë e gruas së tij. Ai mohoi gjithashtu të ketë qëndruar ndonjëherë në ishullin privat të financierit.
Avokati i tij, Anders Brosveet, deklaroi se do t’u paraqesë hetuesve të gjithë informacionin përkatës. “Bazuar në atë që kemi gjetur deri më tani, jemi të sigurt për rezultatin”, citohet të ketë thënë ai për agjencinë Reuters.
More po KiE sikur kishte bere raport per llogari te Palloshit me verejtje per paraburgimin, imunitetin e zyrtareve te larte etj?!? Paskan qene te thella keto pune…
Prandaj o mush parlamenti me burbuqe, i morin medaljet e “trimesrise” neper motelet e ambasadoreve. Oh trapez te qofshim fale, çfare mrekullina bon