Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi se periudha e reagimeve të kufizuara ka përfunduar dhe se vendi është i përgatitur për një përballje të plotë ushtarake, ndërsa tensionet me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në rajon vazhdojnë të rriten.
Në një deklaratë të publikuar nga strukturat e sigurisë iraniane, zyrtarët ushtarakë theksuan se “koha për kundërpërgjigje ka mbaruar”, duke sinjalizuar një fazë më të ashpër të përplasjes në rajon.
Sipas tyre, Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, konsiderohet tashmë zonë e ndaluar. Zyrtarët iranianë deklaruan se kontrolli mbi këtë kalim strategjik do të jetë i plotë.
“Asnjë litër naftë nuk do të kalojë pa lejen e Iranit,” thuhet në deklaratë.
Garda Revolucionare reagoi gjithashtu për incidentin e ndodhur më herët gjatë ditës, kur tre anije u goditën në rajon. Sipas deklaratës së tyre, megjithëse anijet lundronin nën flamuj të ndryshëm, ato punonin për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Ngushtica e Hormuzit përbën një nga nyjet më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të naftës. Çdo kufizim i qarkullimit në këtë korridor strategjik mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në stabilitetin ekonomik global.
Deklaratat e Gardës Revolucionare vijnë në një moment kur tensionet ushtarake në Gjirin Persik janë përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa përplasjet mes forcave amerikane dhe iraniane kanë shtuar frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje