Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpërndarë në platformën e tij Truth Social një video që përfshin imazhe të Barack dhe Michelle Obama të paraqitur si majmunë, nëpërmjet një klipi të gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Videoja u publikua mbrëmjen e së enjtes dhe fokusohet kryesisht në pretendimet e Trump për mashtrime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Në fund të videos shfaqet një klip i krijuar me AI, ku fytyrat e ish-presidentit Barack Obama dhe ish-zonjës së parë Michelle Obama janë vendosur mbi trupat e majmunëve, të shoqëruara me këngën “The Lion Sleeps Tonight” të grupit The Tokens. Klipi origjinal i përket një llogarie pro-Trump në rrjetin social X, por u ripostua nga vetë Trump në Truth Social.

Publikimi ka shkaktuar reagime të ashpra në skenën politike amerikane. Zyra e Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, e cilësoi videon si “sjellje të neveritshme nga Presidenti” dhe kërkoi që “çdo republikan ta dënojë këtë veprim”, përmes një postimi në X.
Sipas raportimeve, nuk është e qartë nëse Trump ishte i vetëdijshëm për përmbajtjen specifike të imazheve me Obamat. Pak kohë pas publikimit të videos, ai postoi një tjetër material që trajtonte historinë e lëvizjes konservatore afro-amerikane brenda Partisë Republikane.
Përplasjet mes Trump dhe Barack Obama kanë një histori të gjatë, që daton që nga momenti kur Trump promovoi pretendime se Obama kishte lindur jashtë Shteteve të Bashkuara. Gjatë mandatit të tij të dytë, Trump ka intensifikuar sulmet ndaj ish-presidentit, duke e akuzuar publikisht për “tradhti” dhe për spiunim të fushatës së tij gjatë hetimeve mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Ai ka shpërndarë më parë edhe meme të krijuara me AI që paraqesin arrestimin dhe burgosjen e Obamës.
Shtëpia e Bardhë mbrojti publikimin e videos. Zëdhënësja për shtyp, Karoline Leavitt, deklaroi për Daily Mail se videoja ishte “një meme nga interneti që e paraqet Presidentin Trump si Mbretin e Xhunglës dhe demokratët si personazhe nga ‘The Lion King’”, duke i bërë thirrje mediave të “ndalin indinjatën e rreme”.
Megjithatë, edhe republikanë kritikë ndaj Trump e dënuan veprimin. Llogaria “Republicans Against Trump” në X e akuzoi Presidentin për promovim të imazheve raciste. Strategu demokrat Adam Parkhomenko e cilësoi videon si “racizëm të hapur”, duke theksuar se nuk ka vend për keqinterpretime.
Sipas të dhënave të Truth Social, videoja është pëlqyer mbi 2.500 herë dhe është ripostuar më shumë se 1.100 herë.
Lini një Përgjigje