Zëvendësdrejtori i inteligjencës ushtarake ruse (GRU) u qëllua në hollin e pallatit të tij; autorët mbeten të paidentifikuar...
Gjenerali rus Vladimir Alekseev, një nga figurat më të larta të ushtrisë ruse, ndodhet në gjendje kritike pasi u qëllua me armë zjarri mëngjesin e sotëm teksa po largohej nga apartamenti i tij në veri të Moskës. Lajmin e raportojnë media ndërkombëtare.
Alekseev, 64 vjeç, me gradën gjeneral-lejtnant dhe zëvendësdrejtor i agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse, e njohur ende gjerësisht me akronimin e vjetër GRU, u dërgua me urgjencë në spital pasi u qëllua disa herë nga pas në hollin e pallatit, rreth orës 07:00 me orën lokale. Sulmuesi u largua menjëherë nga vendngjarja dhe deri tani nuk është arrestuar. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Megjithatë, në Rusi kanë nisur menjëherë akuza të pabazuara zyrtarisht ndaj Ukrainës. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës katër vite më parë, shërbimet e inteligjencës së Kievit kanë goditur disa zyrtarë të lidhur me aparatin ushtarak rus brenda territorit të Rusisë. Sipas të dhënave të raportuara, ky është sulmi i tetë ndaj një zyrtari të lartë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes që nga nisja e luftës, përfshirë tre gjeneralë të vrarë në Moskë që prej vitit 2022. Në rastet e mëparshme janë përdorur pajisje shpërthyese, ndërsa sulmi i sotëm është kryer me armë zjarri.
Alekseev konsiderohet një objektiv i profilit të lartë. Pas nisjes së luftës në Ukrainë, ai ka mbikëqyrur aktivitetet e kompanive ushtarake private në frontet ruse. Në vitin 2023, së bashku me gjeneralin Sergei Surovikin, ai u përfshi në negociatat me drejtuesin e grupit mercenar Wagner, Evgeniy Prigozhin, gjatë rebelimit të dështuar të këtij të fundit. Në atë kohë, Alekseev publikoi një video-mesazh ku e quante marshimin drejt Moskës “thikë pas shpine ndaj vendit dhe presidentit”.
Para pushtimit të Ukrainës, Alekseev dyshohet se ka qenë i përfshirë në operacione të shumta të GRU-së jashtë vendit. Ai është nën sanksione amerikane për përfshirje të dyshuar në ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016 dhe nën sanksione të Bashkimit Evropian që nga viti 2019 për organizimin e tentativës së helmimit të Sergei dhe Yulia Skripal me agjentin nervor “Novichok” në Salisbury.
Britania e Madhe, megjithatë, nuk e ka sanksionuar në mënyrë të veçantë.
Sulmi pritet të rrisë shqetësimin në radhët e elitës ushtarake ruse lidhur me sigurinë e figurave të larta. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se “nuk është përgjegjësi e Kremlinit të diskutojë se si sigurohet mbrojtja e individëve”.
Ngjarja ndodh një ditë pas një raundi të ri bisedimesh paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dhabi, për të cilat është raportuar përparim. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Kievin se qëndron pas sulmit për të sabotuar negociatat, duke e cilësuar atë si “akt terrorist”. Ukraina nuk ka reaguar zyrtarisht dhe, edhe nëse do të kishte përfshirje, konsiderohet pak e mundshme që ta pranonte publikisht.
Mbetet për t’u parë reagimi i ish-presidentit amerikan Donald Trump ndaj akuzave të Moskës, duke pasur parasysh qëndrimet e tij të mëparshme kritike ndaj Ukrainës dhe presidentit Volodymyr Zelensky. /Përshtatur nga The Spectator/
Lini një Përgjigje