
Rusia ka refuzuar propozimin e Vatikanit për të pritur raundin e radhës të bisedimeve për paqe me Ukrainën, duke e cilësuar si një vend "jo elegant" për dy vende me shumicë ortodokse.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se nuk është e përshtatshme që negociatat të zhvillohen në një vend katolik.
“Dua vetëm ta them, në mënyrë që mos të shpenzohen burime intelektuale për opsione që nuk janë realiste. Imagjinoni Vatikanin si një vend për negociata – nuk është shumë elegante, që vendet ortodokse të diskutojnë problemet në një vend katolik”, thotë Lavrov.
Ky qëndrim vjen pas ofertës së Papës Leo XIV, i pari Papë amerikan, për të ndërmjetësuar bisedimet, një ide që u mbështet edhe nga Presidenti amerikan Donald Trump. Megjithatë, Kremlini ka bërë të qartë se nuk ka ende një marrëveshje për vendin e zhvillimit të bisedimeve të ardhshme.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina kanë nisur një shkëmbim të madh të të burgosurve, duke liruar 390 persona nga secila palë në fazën e parë të një marrëveshjeje për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve nga secila anë.
Ky shkëmbim, i cili po zhvillohet në kufirin midis Ukrainës dhe Bjellorusisë, është konsideruar si një hap i rëndësishëm humanitar, megjithëse nuk ka sjellë përparim në drejtim të një armëpushimi apo marrëveshjeje paqeje.
Lini një Përgjigje