Ish-presidenti rus kritikon planet e Berlinit për forcimin e Bundeswehr-it pas fjalimit të kancelarit gjerman në Konferencën e Sigurisë në Mynih
Ish-presidenti i Rusisë dhe aktualisht zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, Dmitri Medvedev, reagoi ashpër ndaj planeve të qeverisë gjermane për ta shndërruar Bundeswehr-in në forcën ushtarake më të fuqishme në Evropë. Reagimi i tij erdhi pas fjalimit të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, në Konferencën e 62-të të Sigurisë në Mynih.
Përmes kanalit të tij në platformën Max, Medvedev i kërkoi Merz-it të vlerësojë “drejt realitetin historik”, duke iu referuar të kaluarës naziste të Gjermanisë.
“Djall, mos i ke ngatërruar epokat? Jemi në vitin 2026, jo në 1933!”, shkroi Medvedev, duke iu drejtuar drejtpërdrejt kancelarit gjerman.
Deklarata e tij ishte përgjigje ndaj angazhimit të shpallur nga Merz për forcimin e ushtrisë gjermane. Gjatë fjalimit në Mynih, kancelari theksoi se Gjermania synon të reduktojë varësinë strategjike nga Shtetet e Bashkuara dhe të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse.
“Askush nuk na detyroi të biem në një varësi të tepruar nga Shtetet e Bashkuara, në të cilën u gjendëm së fundmi. Kjo varësi ishte rezultat i veprimeve tona. Por ne do t’i japim fund kësaj gjendjeje. Do ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur Bundeswehr-in ushtrinë më të fortë në Evropë, të aftë të mbrojë pozicionet tona nëse lind nevoja”, deklaroi Merz gjatë konferencës.
Deklaratat pasqyrojnë tensionet e vazhdueshme mes Moskës dhe Berlinit në lidhje me politikën e sigurisë dhe rolin e Gjermanisë në arkitekturën mbrojtëse evropiane.
Lini një Përgjigje