TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Mars 2026, 19:33

Kërkuan hapjen e Ngushticës së Hormuzit, kush janë 22 shtetet që firmosën deklaratën

Shkruar nga Pamfleti
Kërkuan hapjen e Ngushticës së Hormuzit, kush janë 22
Ngushtica e Hormuzit

Mbretëria e Bashkuar dhe më shumë se 20 aleatë të saj kanë dënuar përsëri atë që e përshkruajnë si "mbyllje de facto e Ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane".

Ka shkuar në 22 numri i vendeve që i bashkohen deklaratës së përbashkët, të nënshkruar fillimisht nga 6 shtete, për të garantuar kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit, duke dënuar mbylljen e kësaj rruge jetike detare nga ana e Iranit.

“Shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të garantuar kalimin e sigurt përmes ngushticës”, thuhet në dokumentin e nënshkruar tashmë nga 22 vende.

Nisma fillimisht u ndërmor nga Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Gjermania, Holanda dhe Japonia; ndërkohë i janë bashkuar Kanadaja, Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Danimarka, Letonia, Sllovenia, Estonia, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Republika Çeke, Rumania dhe Lituania, si edhe Australia, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Edhe pse kanë shprehur gatishmërinë e tyre për zhbllokimin e Hormuzit, shtetet që i janë bashkuar kësaj nisme, nuk kanë shprehur konkretisht se në cilën formë do të angazhohen.

Ditët e fundit, aleatët e NATO-s janë kritikuar nga Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili i ka etiketuar ata ‘frikacakë’, për shkak se kanë vendosur të mos angazhohen ushtarakisht në ujërat e Ngushticës së Hormuzit.

Trump kërkoi edhe nga Kina një angazhim në këtë zonë, duke argumentuar se nuk janë SHBA ato që përfitojnë nga transporti detar i karburantit që kalon nëpër Hormuz, por janë kryesisht vendet evropiane dhe Pekini zyrtar.

ngushtica e hormuzit deklarata

Lini një Përgjigje