Bota21 Maj 2024, 21:00

Kush përfiton nga vdekja e presidentit iranian?

Shkruar nga Mariano Giustino

Kush përfiton nga vdekja e presidentit iranian?

Një nga krimet më të tmerrshme, për të cilin Raisi ishte fajtor gjatë karrierës së tij 30-vjeçare politike, ishte masakrimi i mijëra të burgosurve politikë kur ai ishte anëtar i Komitetit të Vdekjes.

Pritej vetëm komunikimi zyrtar për vdekjen e Ebrahim Raisit dhe Ministrit të tij të Jashtëm Abdollahian. Helikopteri në të cilin po udhëtonin, u rrëzua në malet e rajonit të Azerbajxhanit Lindor. Dhe që nga pasditja e së dielës u kuptua se kishte ndodhur një tragjedi.

Autoritetet pritën tërë natën për të përhapur lajmin zyrtar mbi vdekjen e autokratit, për të fituar kohë dhe për të përgatitur të gjithë makineritë e nevojshme represive në çdo cep të qyteteve të mëdha, pasi kishin frikë se me shpalljen e vdekjes së presidentit, vendi mund të zhytej në kaos.

Përveç Raisit, në helikopter ndodhej Ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, guvernatori i rajonit të Azerbajxhanit Lindor Malek Rahmati dhe Mohammad Ali Ale-Hashem, përfaqësues i Udhëheqësit Suprem në atë provincë. Aksidenti ndodhi në afërsi të qytetit Jolfa, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit iranian, jo shumë larg nga Tabrizit.

Raisi, 63 vjeç, po vizitonte provincën e Azerbajxhanit Lindor të dielën për të inauguruar ndërtimin e dige së bashku me homologun e tij azer, Ilham Aliyev, në kufirin midis dy vendeve. Sipas nenit 131 të Kushtetutës iraniane, në rastin e vdekjes së presidentit, zv/presidenti i parë, Mohammad Mokhber, merr kompetencat dhe funksionet e kreut të shtetit, me miratimin edhe të Udhëheqësit Suprem.

Dhe po me vendim të këtij të fundit, faza e tranzicionit duhet të çojë drejt zgjedhjeve të reja brenda 50 ditëve. Për momentin nuk mund të thuhet me siguri se ka qenë një aksident. Për këtë s’ka asnjë provë. Ne dimë që Irani nuk është një vend ku autoritetet vdesin gjithmonë nga shkaqe natyrore.

Ndonjëherë për shkak të luftërave të brendshme, ndodh që të rrëzohen avionë. Më herët, të paktën dy ministra dhe dy komandantë të lartë ushtarakë kanë vdekur në incidente të ngjashme. Rreth 15 vjet më parë, një udhëheqës i Pasdaran, Ministri i Mbrojtjes dhe 4 zyrtarë të tjerë, vdiqën në një aksident ajror të çuditshëm.

Dhe avioni u rrëzua po ashtu në provincën e Azerbajxhanit Lindor. Menjëherë pasi u zbulua se nuk ishte një aksident, Garda Revolucionare kërkoi ndryshim në udhëheqjen lokale të Pasdaran gjatë presidencës së Khatamit. Në rastin e fundit duhet t’i bëjmë vetes një pyetje: Kush do të përfitojë politikisht nga vdekja e Raisit?

Helikopteri i rrëzuar, mund të hedhë dritë mbi atë që do të ndodhë nesër në Republikën Islamike, gjatë luftës për pasardhësin e Udhëheqësit Suprem. Raisi ishte një nga kandidatët më të mundshëm për këtë post. Ai nuk e kishte fshehur asnjëherë synimin për të zëvendësuar udhëheqësin e sëmurë Ali Khamenei.

Kandidatura e tij mbështetej nga drejtuesit e qytetit të shenjtë Mashad, që ishin kundër fraksioneve të tjera pranë Khameneit dhe që po e nxisnin Raisin të hynte në garë për të penguar Mojtaba Khamenein, djali i dytë të Udhëheqësit Suprem, që e aspiron këtë pozicion të lartë.

Mojtaba është 55 vjeç dhe nga shumëkush konsiderohet si një “eminencë gri” e vërtetë që lëviz sa andej-këtej në korridoret e regjimit. Ai është krahu i djathtë i Khameneit dhe një zyrtari i lartë i inteligjencës. Nga biografia e tmerrshme e Raisit, mund të kuptojmë mirë arsyet pse popullata iraniane e festoi në rrjetet sociale vdekjen e tij.

Për mbi 80 për qind të iranianëve, Raisi nuk ishte presidenti i tyre. Ai ishte më tepër një “vrasës”, që gjatë karrierës së tij shumë të gjatë politike kishte vendosur vdekjen e mijëra të burgosurve politikë kur ishte prokuror. Mund të thuhet se në Iran s’ka njëri të mos ketë një të afërm apo të njohur që të mos jetë viktimë e mizorisë së presidentit të ndjerë.

Në fakt ai u etiketua nga populli si “Kasapi i Teheranit”. Në vitin 1988, Raisi ishte një nga anëtarët e “Komitetit të Vdekjes”, dhe ishte përgjegjës për krime të tmerrshme gjatë karrierës së tij shumë të gjatë politike. Për këtë arsye, popullata iraniane festoi të dielën duke postuar video në rrjetet sociale të të rinjve dhe të rejave që kërcenin të pambuluar, këndonin dhe ngrinin dolli për vdekjen e presidentit.

Në Teheran dhe qytete të tjera, kundërshtarët e Republikës Islamike ndezën fishekzjarrë.

Një nga krimet më të tmerrshme, për të cilin Raisi ishte fajtor gjatë karrierës së tij 30-vjeçare politike, ishte masakrimi i mijëra të burgosurve politikë kur ai ishte anëtar i Komitetit të Vdekjes.

Në vitin 1988, në fund të luftës Iran-Irak, ai shkonte në burg dhe i pyeste një për një të burgosurit nëse kishin ndërmend të pendoheshin dhe të bëheshin bashkëpunëtorë. Ata që refuzuan u varën në litar. Mbi 8.000 njerëz u varën brenda pak ditësh. Ato vrasje u konsideruan “një akt dhune i paprecedentë në historinë iraniane”.

Sipas disa raporteve të pavarura të organizatave të OKB-së për të drejtat e njeriut, numri i ekzekutimeve të kryera në ato vite varionte nga minimumi 8.000 në maksimumi 30.000. Ata që e pasuan më shumë ishin Muxhahedinët e Popullit (MEK). Në vitin 2019, Raisi u vu nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara për këtë krim dhe shumë shkelje të tjera të të drejtave të njeriut.

Viktimat ishin përfaqësues të partive politike të krahut të djathtë dhe të majtë, simpatizantë dhe studentë të arrestuar pas Revolucionit Islamik. Për më tepër, menjëherë pas zgjedhjes së tij si president, Rasi e forcoi kodin e veshjes më 5 gusht 2021, dhe ishte mbështetësi më i zjarrtë i zbatimit të rreptë të Sheriatit sipas dëshirës së Udhëheqësit Suprem. Ai u përfshi në disa raste të tjera të errëta të vrasjeve të kundërshtarëve.

Presidenti mbante gjithmonë një çallmë të zezë në kokë, për të treguar se ishte një pasardhës i profetit Muhamed. Ai ishte një klerik kërkues, i parë shpeshherë brenda regjimit si një udhëheqës i besueshëm në sfidat me Perëndimin, dhe i lidhur fort me parimet konservatore brenda Iranit.

E kishte kritikuar marrëveshjen historike bërthamore të Rouhanit të vitit 2015 me disa fuqi botërore, përfshirë SHBA-në. Gjatë mandatit të tij Irani vazhdoi të pasurojë uraniumin në nivele, që kanë shtuar frikën se është pranë ndërtimit të një bombe bërthamore. Gjatë presidencës Raisi, ka pasur një shtim të numrit të ekzekutimeve.

Të paktën 834 njerëz e ekzekutuan në vitin 2023, krahasuar me 582 në vitin 2022. Po ashtu, ai mbështeti sulmin e befasishëm të Hamasit në Izraelin Jugor më 7 tetor 2023, që ndezi luftën në Rripin e Gazës. Milicitë bashkëpunëtore të Iranit në rajon, përfshirë Hezbollahun në Libanit dhe Huthit në Jemen, kanë nisur ndërmarrë sulme kundër interesave izraelite.

Për më tepër, nën mandatin e tij, Irani arriti një marrëveshje historike, të ndërmjetësuar nga Kina, për të normalizuar marrëdhëniet me Arabinë Saudite pas një ndërprerje 7-vjeçare. Por Raisi ishte një figurë jo karizmatike dhe shumë antipatike, ndaj vdekja e tij nuk duket se do të ketë ndonjë peshë të rëndësishme politike brenda Iranit.

Për të kuptuar plotësisht se çfarë po ndodh në Iran, duhet të përqendrohemi tek 2 elementë. Së pari tek kundërshtimi në rritje jo vetëm në shoqërinë iraniane, por edhe brenda vetë administratës ndaj strategjisë së politikës së jashtme të ndjekur nga Irani vitet e fundit. Angazhimi në Siri, mbështetja për forcat shiite në Irak, Liban dhe Jemen përmes Hamasit, Hezbollahut dhe Xhihadit Islamik kontestohet nga shumica dërrmuese e opinionit publik në vend. Të paktën që nga viti 2009, iranianët kanë shprehur gjithnjë e më hapur shqetësimin dhe zhgënjimin e tyre ndaj elitës qeverisëse, të akuzuar për ndarjen e një pjese të madhe të burimeve të vendit të tyre për mbështetjen e grupimeve islamike që e shtypin popullin palestinez.

“As Gaza, as Libani: Unë do të jap jetën time vetëm për Iranin”, ishte një nga parullat e para për të sfiduar dogmën e regjimit. Kohët e fundit, kur protestuesit filluan të shprehnin ankesat e tyre ekonomike, një nga refrenet më të zakonshme në rrugë ishte: “Braktisni Palestinën; mendoni për një zgjidhje për ne këtu”.

Shumë taksapagues iranianë dhe drejtues të biznesit, besojnë se “klikat” militante fanatike të Gazës, si dhe përfaqësuesit e tjerë të Teheranit, si Hezbollahu libanez, janë gropa thithëse që e konsumojnë pasurinë e Iranit dhe sjellin izolimin e tij në skenën ndërkombëtare. Ata besojnë se çështja palestineze, e ka zëvendësuar nevojën për të siguruar nevojat e tyre ekonomike.

Prandaj, populli ka një vlerësim i ndryshëm të konfliktit izraelito-palestinez, të cilin Republika Islamike nuk do që ta njohë. Akademikët e njohur si Sadegh Zibakalam, ish-profesor në Universitetin e Teheranit dhe institutet kërkimore që monitorojnë shoqërinë iraniane, thonë se rreth 80 për qind e popullsisë është kundër politikës së asgjësimit të Izraelit dhe nuk e ka problem të njohë ekzistencën dhe të bashkëjetojë me shtetin hebre.

Pak a shumë e njëjta përqindje e atyre që nuk donin ta legjitimonin Republikën Islamike, duke bojkotuar zgjedhjet farsë të 1 marsit. Edhe brenda vetë klerit shiit dhe aparatit institucional të Republikës Islamike ka mosmarrëveshje të mëdha. Për këtë arsye, nuk mund të përjashtohet mundësia që helikopteri me Raisin dhe Ministrin e Jashtëm në bord, të jetë rrëzuar për shkak të një grindjeje të brendshme.

Si gjithmonë, regjimi ka përjashtuar me kujdes kandidatët e padëshiruar për të pasuar Udhëheqësin Suprem. Hassan Rouhani, ish-presidenti i konsideruar si i moderuar, u pengua të kandidojë në zgjedhjet formale të të 1 marsit kur u zgjodh Asambleja e Ekspertëve, përgjegjës për zgjedhjen e liderit shpirtëror të vendit.

Establishmenti qeverisës, ka kryer tashmë një spastrim radikal, për të siguruar që asnjë kritik të mos depërtojë dot në qarqet e larta pushtetit. Si pjesë e doktrinës së re të politikës së jashtme “me pamje nga lindja”, gjatë dekadës së fundit Irani i ka dhënë përparësi marrëdhënieve me Kinën dhe Rusinë, duke ecur më tej drejt ndërtimit të aleancave të reja ushtarake me të dyja fuqitë.

Dikur krenar për pozicionin e tij unik midis Lindjes dhe Perëndimit, ky vend, si gjeografikisht ashtu edhe politikisht, duket se ka zgjedhur tani se në cilën anë të shohë:drejt Lindjes, ose më saktë drejt jo-Perëndimit. Kjo zgjedhje kundërshtohet jo vetëm në rrugë, por edhe brenda udhëheqjes fetare dhe politiko-ushtarake të Republikës Islamike./ Përshtati: "Pamfleti", Marrë nga: “Huffington Post Italia”