TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Mars 2026, 08:44

Lufta në Lindjen e Mesme, pse Donald Trump mori rrezikun e goditjes ndaj Iranit?

Shkruar nga Pamfleti
Lufta në Lindjen e Mesme, pse Donald Trump mori rrezikun e goditjes ndaj
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan synon të dërgojë një mesazh global për fuqinë shkatërruese të SHBA-së, pavarësisht pasigurive për pasojat…

Një listë e gjatë presidentësh amerikanë janë përballur me dështime në Lindjen e Mesme. Pavarësisht përvojave të tyre, në mëngjesin e 28 shkurtit Donald Trump goditi Iranin me valë të njëpasnjëshme raketash dhe bombash. Siç e dinë të gjithë, përfshirë Pentagonin dhe anëtarë të administratës së tij, rezultati i luftës mbetet thellësisht i pasigurt. Sulmet, të ndërmarra së bashku me Izraelin, mund të sjellin një qeveri të re iraniane të gatshme për paqe; por mund të çojnë edhe në kaos dhe gjakderdhje të mëtejshme. Pavarësisht kësaj, zoti Trump e ka ndërmarrë me entuziazëm këtë rrezik.

Duke shpjeguar arsyet e sulmit pak pasi ai kishte nisur, presidenti duket se kërkonte gjithçka njëherësh. Ai paralajmëroi se nuk do të toleronte kërcënimin nga raketat balistike të Iranit. Ai u zotua të ndalë programin e tij bërthamor. Dhe u bëri thirrje iranianëve të ngrihen, ndërsa forcave të sigurisë t’i kthehen kundër regjimit. Brenda pak orësh, zoti Trump konfirmoi vdekjen e udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Izraeli njoftoi për vrasjen e zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe politikë iranianë.

Pavarësisht këtij suksesi tronditës fillestar në prerjen e kokës së regjimit, ka çdo gjasë që zoti Trump të mos arrijë atë që dëshiron. Në afat të shkurtër, Irani mund të shkaktojë shkatërrime në rajon duke vazhduar të përdorë raketat e shumta që i kanë mbetur për të goditur qytete në Bahrein, Kuvajt, Oman, Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, prosperiteti i të cilave varet nga siguria. Regjimi mund të godasë edhe një bazë apo një anije, duke vrarë një numër të madh ushtarakësh amerikanë,  lajmi për vdekjen e tre trupave amerikane të dielën sinjalizoi rrezikun. Duke dëmtuar fushat e naftës ose duke bllokuar cisternat që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, ai mund ta çojë çmimin e naftës drejt 100 dollarëve për fuçi ose edhe më lart.

Në afat më të gjatë, sulmet mund të dështojnë edhe në një mënyrë më thelbësore. Regjimi iranian është përgatitur prej kohësh për pasardhjen e Khameneit, një njeri i moshuar dhe me shëndet të lig. Për momentin, pushteti qëndron në duart e një triumvirati. Me kalimin e kohës, ai mund të zëvendësohet nga dikush që ka gjasa të ketë qenë i përfshirë në vrasjen e mijëra iranianëve gjatë protestave kundër qeverisë në janar.

Me gjak të freskët në duar, sundimtari i ri mund të jetë po aq i ashpër dhe mizor sa paraardhësi i tij. Ai mund të vazhdojë të grumbullojë raketa balistike, i bindur se do të ishte e vështirë të justifikohej një tjetër luftë vetëm për këtë arsye. Në vend që të heqë dorë nga pasurimi bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, ai mund të arrijë në përfundimin se, si Koreja e Veriut, Irani ka nevojë për një bombë për të qenë i sigurt nga sulmet.

Ose ndoshta Irani do të shembet në kaos dhe luftë civile që mund të përhapet përtej kufijve të tij. Në atë rast, kush e di se ku mund të përfundojnë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar.

Trump me siguri i kupton të gjitha këto. Mbështetësit e tij priren të jenë kundër përfshirjes në luftë, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Edhe nëse rritja e çmimit të naftës është e moderuar, ajo mund të irritojë votuesit e lëvizjes MAGA ndërsa afrohen zgjedhjet e ndërmjetme. Ai nuk ishte i detyruar të godiste Iranin. Mund të kishte pretenduar se bisedimet bërthamore në Gjenevë javën e kaluar po bënin përparim dhe të fitonte kohë. Atëherë, pse mendoi se rreziku ia vlente?

Një arsye mund të jetë dëshira për të tejkaluar atë listë të gjatë presidentësh duke qenë ai që do të mbyllte hesapet me Iranin. Për muaj me radhë, aleatë që këshillonin kujdes, si sundimtarët e Gjirit, kanë konkurruar për vëmendjen e zotit Trump me udhëheqës që kërkonin goditje, veçanërisht në Izrael.

Nëse “skifterët” i kanë thënë zotit Trump se mund të hynte në histori duke mbyllur hesapet me Iranin, duket se ia kanë arritur qëllimit. Në fjalimin e tij tetëminutësh të së shtunës, zoti Trump u kujtoi amerikanëve poshtërimin që vendi i tyre përjetoi në vitin 1979, kur bashkëkombësit e tyre u mbajtën peng në ambasadën në Teheran për 444 ditë. Marrëdhëniet iraniano-amerikane nuk janë rikuperuar kurrë plotësisht.

Një arsye tjetër mund të jetë mundësia për t’u përballur me Iranin në një moment dobësie. Vitin e kaluar, sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit u dobësuan, duke i lënë hapësirat ajrore të ekspozuara ndaj inkursioneve. Lufta dymbëdhjetëditore në qershor dobësoi gjithashtu udhëheqjen ushtarake dhe civile. Në protestat e janarit, regjimi humbi besimin e popullit më thellë se në çdo moment që nga revolucioni. I inkurajuar nga Izraeli, i cili ka goditur me sukses Hezbollahun në Liban dhe forcat pro-iraniane në Siri, ndoshta zoti Trump vendosi se nuk do të kishte një moment më të mirë për të vepruar.

Në këtë kuptim, Irani përfshihet në një model të ri dhe më të gjerë, ku Amerika afirmon fuqinë e saj. Shpesh, zoti Trump ka përdorur tarifa dhe sanksione për t’i përkulur qeveritë sipas vullnetit të tij. Por ai është gjithnjë e më i gatshëm, madje i prirur, të përdorë forcën ushtarake. Sulmet e së shtunës ndodhën vetëm tetë javë pas një operacioni amerikan në Venezuelë. Kuba ndodhet nën presion të madh për t’u rreshtuar me qeverinë në Uashington. Në secilin rast, zoti Trump përdor forcën kundër kundërshtarëve që kanë mirëpritur Kinën dhe Rusinë.

Dikush mund të priste që Amerika të ruante status quo-në në çështjet globale, e cila i ka shërbyer mirë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Në vend të kësaj, zoti Trump po nxiton drejt së ardhmes, duke shpërfillur me lehtësi ligjet dhe normat ndërkombëtare që kufizonin paraardhësit e tij. Asnjë administratë e mëparshme nuk do të kishte kërkuar të shkatërronte regjimin në Iran pa një plan, sado të mangët, për atë që do ta zëvendësonte. Në Afganistan dhe Irak, George W. Bush synoi të vendoste demokracinë. Në Venezuelë, në të kundërt, zoti Trump hoqi një diktator dhe la bashkë-shtypësit e tij brutalë në pushtet.

Por ky është një botë e re, ku zoti Trump ka hequr dorë nga promovimi i vlerave amerikane në favor të grumbullimit të fuqisë amerikane. Është një mjedis i dhunshëm ku shkatërrimi i një vendi konsiderohet i pranueshëm, pavarësisht pasojave, për sa kohë që udhëheqësit kuptojnë se duhet t’i nënshtrohen forcës amerikane.

Mos e nënvlerësoni fuqinë parandaluese të sulmeve masive në Iran, pavarësisht se çfarë ndodh më pas. Mesazhi nuk do t’i shpëtojë Kinës, e cila ka qëndruar në krah ndërsa Amerika dhe Izraeli kanë riformësuar Lindjen e Mesme. Kjo qasje ndonjëherë mund të realizojë premtimin e zotit Trump për “paqe përmes forcës”.

Por kur i vetmi parim organizues është fuqia amerikane, strategjia trumpiane mund të shkaktojë gjithashtu një spirale anarkie dhe dhune. Konfliktet mund të shumohen. Qeveria në Uashington mund të mos ketë as dëshirën, as kapacitetin, për t’i kontrolluar ato.

Shpresa mbetet që iranianët të dalin nga kjo fushatë më të lirë dhe më të begatë. Por nëse vuajtjet e tyre vazhdojnë, mos prisni që zoti Trump të ndërhyjë.

Puna e tij kryesore pothuajse ka përfunduar. / Përshtatur nga The Economist/

trump irani lufta

3 Komente

  1. T
    Tony

    Po Turqia kur e ka radhen qe ya shuajne fare e te laje krimet qe i ka bere Ilireve? Aman se vdiqa ta shoh pluhur e hi.

    Lini një Përgjigje