
Ish-presidentit rus, Dimitri Medvedev ka paralajmëruar një apokalips bërthamor. Sipas Medvedev, furnizimi i vazhdueshëm me armë i Ukrainës mbart rrezikun e një katastrofe bërthamore botërore.
“Natyrisht që dërgimi i armëve shuan çdo mundësi për rifillimin e negociatave", tha nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të përditshmen pro-qeveritare Izvestia.
“Armiqtë tanë po bëjnë pikërisht këtë dhe nuk duan ta kuptojnë se qëllimet e tyre me siguri do të rezultojnë në një katastrofë totale. Një humbje për të gjithë. Një kolaps, një apokalips. Ku me shekuj njerëzit do të harrojnë jetën e tyre të dikurshme, derisa rrënojat dhe mbeturinat të pushojnë së rrezatuari", tha Medvedev.
Këto fjalë vijnë disa ditë pasi Putini ngriu në mënyrë të njëanshme traktatin e fundit të çarmatimit bërthamor në fuqi midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë: START III.
Ish-presidenti rus ka kërcënuar Perëndimin, duke krahasuar synimet aktuale ndaj vendit të tij me ato të Shteteve të Bashkuara ndaj Bashkimit Sovjetik. Kështu, ai ka treguar se do të jetë një gabim jashtëzakonisht i rrezikshëm nëse aleatët e Organizatës së Atlantikut synojnë t’i japin fund Rusisë pa gjuajtur asnjë të shtënë”, siç ndodhi me rënien e bllokut sovjetik në fillim të viteve ‘90.
Ai i ka përshkruar pasojat e përpjekjes për të varrosur Rusinë si “humbje për të gjithë”.