Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT) ka hequr nga faqja e saj zyrtare listën e pajisjeve mjekësore që kërkoheshin në formën e donacioneve, pasi publikimi i saj u shoqërua me polemika dhe reagime të forta.
Skandali i QSUT-së lidhet me kërkesën e spitalit për donacione nga qytetarët për blerje pajisjesh (si defibrilatorë), në një kohë kur qeveria shpenzoi rreth 4.2 milionë euro për një koncert.
Lista, e publikuar disa muaj më parë në platformën e donacioneve të QSUT-së, përfshinte pajisje si respiratorë, laringoskopë, defibrilatorë, monitorë pacienti për matje invazive, elektrobisturi dhe shiringa elektrike. Dokumenti u përdor edhe nga protestuesit si argument për të kritikuar mungesën e investimeve në sistemin shëndetësor.
Pas debatit publik, faqja ku ishte publikuar lista nuk rezulton më e aksesueshme.
Lidhur me këtë çështje reagoi nënkryetari i Komisionit për Shëndetësinë, Eduart Shalsi, i cili sqaroi se publikimi i nevojave për pajisje në platformën e donacioneve është një procedurë standarde, e parashikuar me ligj dhe që synon garantimin e transparencës në administrimin e pasurisë publike.
Sipas Shalsit, lista ishte publikuar që në muajin shkurt dhe, ndërkohë, të gjitha pajisjet e kërkuara janë siguruar.
"Është një procedurë e rregullt. Njoftimi është vendosur në muajin shkurt dhe sot që flasim të gjitha ato nevoja janë plotësuar. Pajisjet mund të prokurohen ose, nëse ofrohen si donacion, hiqen nga lista. Debati duhet të fokusohet te përmirësimi i sistemit shëndetësor", deklaroi Shalsi.
Ai theksoi se pajisjet e nevojshme për QSUT mund të sigurohen përmes procedurave të prokurimit publik ose nëpërmjet donacioneve. Në rast se një pajisje ofrohet si donacion, ajo hiqet automatikisht nga lista e nevojave, duke reflektuar përditësimin e situatës.
Lini një Përgjigje