TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Nëntor 2025, 22:38

Meloni & Farage, dy fytyra të të njëjtit populizëm!

Shkruar nga Pamfleti
Meloni & Farage, dy fytyra të të njëjtit populizëm!
Meloni & Farage

Dy figura të së djathtës që përdorin emigracionin: njëra me Shqipërinë, tjetri me Brexit-in!

Në Londër, hoteli “Britannia International”, dikur një vend i njohur për biznesmenë dhe turistë, është shndërruar në qendër strehimi për azilkërkues. Pamja e tij e zymtë, me perde të mbyllura dhe hyrje të bllokuara me barriera metalike, ka bërë që shumë ta krahasojnë me një hotel të epokës komuniste në Evropën Lindore. Ironia është e dukshme, por Ministria britanike e Brendshme nuk duket se e ka vënë re.

Në Itali, Giorgia Meloni nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë. Për të, azilkërkuesit duhet të mbahen “larg syve e mendjes” së publikut. Për këtë arsye, ajo krijoi një qendër ndalimi për emigrantët në Shqipëri, projekt që po dështon, pasi drejtësia italiane e ka kundërshtuar, por shumicës së votuesve nuk duket t’i shqetësojë ky detaj.

Meloni, udhëheqëse e partisë “Fratelli d’Italia”, trashëgimtare e lëvizjes neo-fashiste MSI, e ka çuar partinë nga 4% në vitin 2018 në 26% në zgjedhjet e vitit 2022, duke u bërë një nga figurat më të forta të djathtës populiste në Evropë. Edhe pse dikur ishte euroskeptike dhe kundërshtare e sanksioneve ndaj Rusisë, si kryeministre ajo është shfaqur si aleate e besueshme e BE-së dhe Ukrainës, përveç në një temë: emigracionin.

Në këtë pikë, qëndrimet e saj janë shumë afër atyre të Nigel Farage, themeluesit të lëvizjes “Reform UK” dhe figurës simbol të Brexit-it. Të dy përdorin gjuhë të ashpër ndaj emigrantëve për të mobilizuar bazën e tyre elektorale. Por ndryshimi është i qartë: ajo është në pushtet dhe ai, jo.

Farage ende e shet Brexit-in me sloganet e vjetra “të marrim kontrollin”, ndonëse premtimet e dikurshme kanë dështuar. Përkrahësit e tij, mes zhgënjimit dhe nostalgjisë, besojnë se “herën tjetër do të jetë ndryshe”. Ai nuk ka nevojë për politika konkrete, vetëm për ndjenja zemërimi që shesin mirë në publik.

Meloni, përkundrazi, duhet të prodhojë rezultate reale. Italia ndodhet në vijën e parë të migracionit nga Mesdheu; anijet mbërrijnë çdo ditë, qendrat e ndalimit mbushen. Ajo duhet të merret me marrëveshje me Tunizinë dhe Libinë, me buxhete dhe ligje, ndërsa mban gjallë retorikën anti-emigracion për të mos humbur votuesit.

Në të njëjtën kohë, qeveria e saj ka shpallur se gjatë viteve 2026–2028 do të lejojë gjysmë milioni punëtorë të huaj me viza të përkohshme, për të plotësuar mungesat në tregun e punës. Kështu, Meloni lëviz në një fije të hollë midis populizmit dhe pragmatizmit, duke qenë njëkohësisht kritike ndaj emigrantëve dhe e varur prej tyre.

Sot, italianët flasin për “dy Meloni”:

njëra, udhëheqëse moderne që takohet me liderë botërorë dhe flet për “bashkëpunim evropian”;
tjetra, politikane e zjarrtë që u flet votuesve për “mbrojtjen e kufijve” dhe “identitetin kombëtar”.
Nigel Farage, në anën tjetër, mbetet i pandryshuar, një politikan që kërkon përplasje, jo zgjidhje. Ai jeton nga retorika e frikës dhe nga imazhet provokuese, si posterët famëkeq me radhë emigrantësh gjatë fushatës për Brexit.

Meloni përpiqet t’i shndërrojë sloganet në politika konkrete, ndonjëherë jorealiste, por gjithsesi të zbatueshme. Farage, si “tregtar i zemërimit”, e përdor emigracionin vetëm si armë politike.

Nëse një ditë Farage do të vinte në pushtet, do të duhej të “melonizohej”: të mësonte të ecë mbi litarin e hollë mes realitetit dhe populizmit. Por për momentin, ajo është akrobatja që balancohet me kujdes, ndërsa ai, hedhës thikash që kërkon spektakël. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”

Lini një Përgjigje