Bota20 Prill 2023, 21:29

Pse droni supersonik i Kinës është një kërcënim i madh për Tajvanin dhe SHBA-në?

Shkruar nga Pamfleti

Pse droni supersonik i Kinës është një kërcënim i

Në terma më të përgjithshëm, duket se Kina po zhvillon një aftësi teknologjike për të monitoruar të gjithë rajonin Indo-Paqësor...

Ushtria kineze së shpejti mund të nxjerrë një kartë të re ushtarake, sipas një vlerësimi të SHBA-së zbuluar nga dokumentet sekrete të Pentagonit që u nxorën në internet.

Një dokument i klasifikuar nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Gjeo-hapësinore, i cituar nga “Washington Post”, ka kthyer në qendër të vëmendjes përparimet teknologjike të Pekinit, të cilat së shpejti mund të lejojnë dronin supersonik “Dragon” që të synojë si anijet luftarake amerikane që kalojnë tranzit rreth Tajvanit, ashtu edhe bazat ushtarake të vendosura në rajon.

Gazeta përmban imazhe satelitore, të datës 9 gusht që tregojnë dy dronë spiun zbulues supersonik WZ-8 në një bazë ajrore në Kinën lindore, që ndodhet rreth 350 milje në brendësi të Shangait. Dronët në fjalë përfaqësojnë një sistem mbikëqyrjeje të teknologjisë së fundit që mund të ndihmojë Kinën të mbledhë të dhëna hartash në kohë reale, për të rregulluar strategjinë e saj ose për të kryer sulme raketore, në rast të një konflikti hipotetik të ardhshëm për të rimarrë Taipein por jo vetëm.

Raporti amerikan nënvizon se si Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze (PLA) ka krijuar "pothuajse me siguri" njësinë e saj të parë të mjeteve ajrore pa pilot pranë bazës së lartpërmendur, e cila është pjesë e Komandës së Teatrit Lindor, përkatësisht dega e ushtrisë kineze përgjegjëse për zbatimin e pretendimeve të sovranitetit të Pekinit mbi Tajvanin.

Pekini prezantoi këta dronë në vitin 2019, kur dy avionë parakaluan në sheshin Tiananmen gjatë festimeve që shënuan 70 vjetorin e krijimit të Republikës Popullore të Kinës. Kujtojmë se në atë kohë shumë pak analistë i konsideronin dronët plotësisht funksionalë. Dokumenti nuk detajon se si operohet droni, por thotë se "karakteristikat e motorit lidhen kryesisht me karburantin e raketës".

Përdorimi i mundshëm i dronit:

Një hartë e shtigjeve të pritura nga droni, shpjegohet se si kamerat dhe sensorët "elektro-optikë" të avionit mund të mbledhin informacione rreth Tajvanit dhe anës perëndimore të Koresë së Jugut, duke përfshirë Seulin.

Përdorimi i radarit me hapje sintetike do të lejonte dronin të hartonte territorin gjatë natës dhe në mot me mjegull. Megjithatë, Chi Li-pin, drejtor i divizionit të kërkimit të sistemeve aeronautike në Institutin Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë Chung-Shan, instituti ushtarak i Tajvanit, paralajmëroi se përdorimi kryesor i dronit nuk do të jetë kundër Taipeit, por kundër Shteteve të Bashkuara dhe bazës së  tyre ushtarake në Paqësor.

Në terma më të përgjithshëm, duket se Kina po zhvillon një aftësi teknologjike për të monitoruar të gjithë rajonin Indo-Paqësor.

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Shtetet e Bashkuara ose Korenë e Jugut. Japonia duhet të shqetësohet për këtë. India duhet të shqetësohet për këtë. E gjithë Azia Juglindore duhet të shqetësohet për këtë,” shtoi Chi./Përshtati "Pamfleti" nga "InsideOver"

kina dronët supersonik tajvani