TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Shkurt 2026, 15:00

Putin, Xi dhe Trump po nisin një kundërrevolucion ndaj lirisë

Shkruar nga Hal Brand
Putin, Xi dhe Trump po nisin një kundërrevolucion ndaj lirisë
Putin

Fundi i epokës liberale dhe aleanca e heshtur e tre udhëheqësve që po dërrmojnë rendin botëror. Përmes tarifave, dezinformimit dhe forcës ushtarake, Trump, Xi dhe Putin po bashkohen në një kundërrevolucion që synon të varrosë përfundimisht trashëgiminë e vitit 1989.

Dikur Mynihu kishte vërtet rëndësi. Për një brez të pas-Luftës së Ftohtë, Konferenca vjetore e Sigurisë e Mynihut ishte një “Mekë” për udhëheqësit e një Evrope të tërë dhe të lirë, një takim për koalicionin perëndimor që dominonte botën.

Vetëm 5 vjet më parë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u tha pjesëmarrësve se demokracia duhet të triumfojë dhe njerëzimi nuk duhet t’i kthejë kurrë “blloqeve të ngurta të Luftës së Ftohtë”. Por këtë herë, tre udhëheqësit më të rëndësishëm të momentit - presidenti i SHBA, Donald Trump, udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe njeriu i fortë rus Vladimir Putin - nuk do të jenë në Mynih këtë fundjavë.

Dhe që të tre ata e shohin si një katastrofë revolucionin gjeopolitik që pasoi Luftën e Ftohtë. Për këtë arsye, këta kundërrevolucionarë tani po e ndryshojnë botën. Për shumicën e vëzhguesve perëndimorë, ngjarjet e vitit 1989 eshin një mrekulli.

Rënia e Murit të Berlinit solli bashkimin paqësor të një Gjermanie, por edhe të një kontinenti të ndarë. Atë e pasoi shpejt shpërbërja e ”perandorisë së keqe”, Bashkimit Sovjetik. Tregjet dhe demokracia po përfshinin globin. Një rend i vetëm dhe i integruar nën udhëheqjen perëndimore duhej të ishte diçka e arritshme.

Megjithatë, për Putinin, Xi-në dhe Trump-in, ai moment mrekullish ishte një periudhë e errët. Putini deklaroi se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX”, sepse shkatërroi një perandori të madhe dhe e çekuilibroi botën.

Ajo që prodhoi ajo ngjarje, i tha ai një audience në Mynih në vitin 2007, ishte një Amerikë unipolare që e shkatërroi të gjithë globin, duke shkatërruar sferat rivale të ndikimit dhe duke rrëzuar regjimet jomiqësore.

“Askush nuk ndihet i sigurt në një botë me një sundimtar dhe një sovran” argumentoi Putin. Ai ka shpenzuar një çerek shekulli duke u përpjekur të shkatërrojë botën e pas Luftës së Ftohtë. E shndërroi globalizimin në armë, qoftë duke përdorur energjinë dhe paratë e pista ruse për të dobësuar Evropën, qoftë duke përdorur lidhjen dixhitale për fushata dezinformimi dhe sulme kibernetike.

Po ashtu, ai bëri një përpjekje të përgjakshme për të frenuar rritjen e një Evrope të udhëhequr nga SHBA-ja. Sulmet e tij ndaj Ukrainës, në vitin 2014 dhe veçanërisht në vitin 2022, sollën konflikte në shkallë të gjerë përsëri në një rajon, paqja dhe uniteti i të cilit kishin qenë kurorëzimet e arritjeve të një epoke më shpresëdhënëse.

Aleati më i ngushtë i Putinit, Xi, është gjithashtu një revizionist i vitit 1989. Dhe si mund të mos ishte, duke pasur parasysh se trazirat që shkatërruan regjimet komuniste në Evropën Lindore atë vit, u përhapën edhe në Kinën e tij, duke shkaktuar një përvojë gati vdekjeprurëse për Partinë e saj Komuniste në Sheshin Tiananmen?

Bashkimi Sovjetik u shemb, tha ai më vonë, sepse “askush nuk ishte mjaftueshëm burrë për t’u ngritur dhe për t’i rezistuar” përçarjeve të brendshme dhe dobësisë ideologjike. Ishte një mësim që ai e përdor për të këmbëngulur në disiplinën e hekurt brenda Partisë Komuniste Kineze.

Në vitin 2013, qeveria e tij urdhëroi të gjithë kuadrot të ishin në gatishmëri kundër ndikimeve të rrezikshme “të drejtat e njeriut”, “vlerat universale”, “demokracia kushtetuese” që një Perëndim ideologjikisht dominues kërkonte të impononte.

Ironia është se Kina ishte padyshim fituesja më e madhe e epokës pas-Luftës së Ftohtë, duke pasur parasysh se globalizimi nxiti ngritjen e saj ekonomike. Megjithatë, Kina, ashtu si Rusia, ka qenë bashkëpunëtore në rënien e atij rendi.

“Shoku kinez”, vërshimi i eksporteve të lira në fillim të viteve 2000 e shkatërroi konsensusin politik që mbështeste globalizimin në SHBA. Kapaciteti gjigant prodhues i Kinës dhe praktikat tregtare grabitqare tani kërcënojnë të de-industrializojnë rajone të tëra.

Kontrollet e saj të eksportit të mineraleve të rralla tregojnë rreziqet e ndërvarësisë, duke kërcënuar të mbyllin fabrika në të gjithë botën. Përforcimi ushtarak i Pekinit rrezikon projektimin e fuqisë amerikane dhe paqen disadekadëshe të Azisë Lindore.

Xi dhe ndihmësit e tij e mirëpresin këtë përçarje. Ata propagandojnë një tranzicion gjeopolitik epik, ndërsa Kina ia kalon Amerikës dhe po ngulit ndikimin e vet në botë.

Megjithatë, nëse Pekini dhe Uashingtoni janë rivalë, më i fuqishmi nga kundërrevolucionarët e pas-Luftës së Ftohtë është Donald Trump. Edhe revizionizmi i Trumpit është ironik, sepse ngjarjet e vitit 1989 e lanë vendin e tij në një pozitë supreme. Megjithatë, sipas rrëfimit të vetë Trumpit, ato ngjarje - dhe euforia që ato nxitën e çuan SHBA-në në rënie.

Globalizimi solli de-industrializim, kufij të hapur dhe ngritjen e një Kine armiqësore. Arroganca dhe tejkalimi i ndikimit në Lindjen e Mesme e dobësuan fuqinë e SHBA-së. Aleatët e shfrytëzuan pa harxhuar asgjë vetë, ushtarakisht dhe ekonomikisht. Historia e kohëve të fundit e Amerikës, argumenton ”Strategjia e fundit e Sigurisë Kombëtare” e Trumpit, është një katalog gabimesh.

Dhe prishja e rendit pas-Luftës së Ftohtë është çelësi për rindërtimin e fuqisë së SHBA-së. “Njeriu i Davosit” është rrëzuar nga froni nga “Njeriu i Tarifave”, ndërsa proteksionizmi i Trump-it transformon marrëdhëniet tregtare.

Trumpi i bën aleatët e SHBA-së të paguajnë në ekonominë amerikane përmes tarifave dhe investimeve asimetrike. Administrata e tij e ka sulmuar Bashkimin Evropian atë simbol të integrimit pas-Luftës së Ftohtë me tarifa, ndërhyrje politike dhe tallje me “zhdukjen e qytetërimeve”.

Kërcënimet për të aneksuar Grenlandën dhe Kanadanë e vendosin Trumpin përkrah udhëheqësve - si Xi dhe Putin të cilët ëndërrojnë të shkatërrojnë me dhunë statuskuonë.

Sovraniteti dhe avantazhi i njëanshëm janë në modë.

Vizionet globale me përfitim të ndërsjellë janë jashtë loje. Trump argumenton se këto masa do të sjellin rigjallërim kombëtar. Sigurisht, ai ka të drejtë që disa zakone të pas Luftës së Ftohtë tendenca për t’i trajtuar aleatët si protektorate strategjike, theksi mbi globalizimin mbi sigurinë ekonomike janë të vjetruara.

Megjithatë, është gjithashtu e mundur që kaosi që po shkakton Trump, jo vetëm brenda komunitetit perëndimor që mblidhet në Mynih, do t’i hapë dyert Xi-së dhe Putinit, të cilët e urrenin epokën pas Luftës së Ftohtë sepse e urrenin hegjemoninë amerikane.

Për momentin kundërrevolucionarët kanë fituar. Ata mund të luftojnë dhunshëm kundër njëri-tjetrit për atë që do të vijë më pas./Përshtati "Pamfleti", nga “Bloomberg”

Shënim: Hal Brands është profesor në Shkollën e Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins.

putin xi dhe trump kundërrevolucion ndaj lirisë

Lini një Përgjigje