Lufta aktuale, ka nxjerrë në pah faktin se madhësia e ushtrisë, është vetëm një pjesë e ekuacionit. Në fakt, shumë nga elementët jetikë të nevojshëm për të fituar luftërat - sikurse është përshtatshmëria ushtarake dhe teknologjia moderne - janë duke funksionuar në favor të Kievit.
Gënjeshtra, gënjeshtra të mallkuara dhe statistika. Në rast se ekziston dikush që di të falsifikojë shifrat, për të forcuar edhe kauzat më të dobëta të mundshme, atëherë ky është Kremlini. Nga manipulimi i Stalinit me statistikat e produktivitetit sovjetik gjatë Planeve të tij Pesëvjeçare, tek ekzagjerimi që i bënte Hrushovi numrit të raketave që kishte ushtria e tij gjatë Luftës e Ftohtë, asnjë organ nuk është treguar aq efektiv në sajimin e fakteve për të demoralizuar, shqetësuar dhe manovruar kundërshtarët.
Në mënyrë të ngjashme, sot Vladimir Putini mburret me 144 milionë qytetarët e Rusisë dhe argumenton, përmes zëdhënësve të tij të propagandës, se është “e pamundur” që Kievi ta fitojë luftën e tij, duke qenë se popullsia e Ukrainës është vetëm 37 milionë banorë.
Sipas kësaj logjike, shifrat e publikuara nga shërbimi sekret i Britanisë së Madhe në fillim të kësaj jave - sipas të cilave Rusia ka humbur më shumë se 70.000 trupa vetëm në 2 muajt e fundit, mesatarisht 1.262 dhe 1.163 në çdo ditë të konfliktit, në maj dhe qershor - bëhen realisht të parëndësishme.
“Rusia mund të gjejë gjithmonë më shumë burra për të dërguar në front”, dëgjohen të thonë njerëzit, duke e justifikuar në këtë mënyrë mosveprimin e Perëndimit. Por e vërteta se ai nuk ka mundësi që ta bëjë këtë.
Të rritur me dokumentarët rreth “ariut të pandalshëm” rus - të aftë për të çarë rrugën e ashpra nëpër Evropën Lindore, siç bëri edhe në Luftën e Dytë Botërore - ne harrojmë se kjo gjë nuk është më e mundur në Rusinë moderne. Madje, nuk është as e dëshirueshme për vetë Moskën.
Së pari, ndërsa presidenti rus ka kryer deri tani disa mobilizime ushtarake në shkallë të gjerë, ai mbetet shumë i kujdesshëm si për sa i përket numrit të burrave që rekruton dhe zonës prej nga vijnë ata, duke i dhënë përparësi rekrutimit në komunitetet më të varfra, larg qendrave të pushtetit të Moskës dhe Shën Petersburgut; dhe kryesisht tek pakicat etnike që janë shpeshherë të margjinalizuara.
Tashmë, disa nga këto komunitete kanë dhënë gjithçka që munden. Ka jo pak raporte mbi gjenerata të tëra burrash që janë zhdukur në disa qytete dhe fshatra, gjë që ka shkaktuar protesta të përhapura nga familjarët e tyre, edhe pse për momentin ato mbeten të lokalizuara.
Kujdesi i Moskës në këtë drejtim, nënkupton se ajo është e detyruar të zbrazë burgjet, duke shfajësuar vrasësit dhe përdhunuesit, në mënyrë që ata të mund të shërbejnë në ushtrinë ruse apo në grupe mercenarësh, sikurse është famëkeqi Grupi Wagner.
Megjithatë, as ky burim nuk është i pashtershëm. Shifrat e tyre thuhet se janë aktualisht aqtë ulëta, saqë Moska po u drejtohet burgjeve të grave për rekrutime të reja. Duke pasur parasysh se sipas të dhënave zyrtare, gratë përbëjnë vetëm 4 për qind të ushtrisë ruse, kjo manovër është jashtëzakonisht e dukshme.
Gjithsesi, edhe këto mbeten ende pengesa relativisht të vogla, kur merren parasysh tendencat më të gjera. Me vetëm 14 milionë, popullsia e Rusisë në moshë luftarake, nuk mund të konsiderohet gjigante. Dhe nëse mendohet që shumë prej tyre janë pa kualifikuar ose të padëshirueshëm për rekrutim për arsye gjeografike, atëherë kjo shifër zvogëlohet akoma më tej.
Shumë nga të rinjtë e Rusisë u larguan jashtë vendit pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës. Rreth 300.000 deri në mesin e marsit 2022, 500.000 deri në fund të gushtit dhe 400.000 të tjerë deri në fillim të tetorit të po atij viti.
Sipas vlerësimeve, numri aktual i të larguarve është mbi 1 milion. Pastaj është fakti që pushtimi në shkallë të plotë i vendit fqinj, e ka thelluar shumë krizën demografike të Rusisë. Që nga viti 2000, vdekjet e kanë tejkaluar numrin e lindjeve në vend. Kjo dhe fakti që mbi 2 vjet e gjysmë pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës, janë vrarë ose plagosur deri në 350.000 trupa ruse, është tregues i shkallës së katastrofës demografike.
Mund të vazhdoj shumë më gjatë me analizën e shifrave. Rusia nuk është aq e fuqishme sa Bashkimi Sovjetik:afërsisht gjysma e popullsisë sovjetike, vinte nga ato që sot janë vende jo-ruse. Dhe madje edhe atëherë, 2 herë më e fuqishme në aspektin numerik, ajo e humbi luftën e saj në Afganistan në vitet 1980.
Lufta aktuale, ka nxjerrë në pah faktin se madhësia e ushtrisë, është vetëm një pjesë e ekuacionit. Në fakt, shumë nga elementët jetikë të nevojshëm për të fituar luftërat - sikurse është përshtatshmëria ushtarake dhe teknologjia moderne - janë duke funksionuar në favor të Kievit.
Këto duhen pasur parasysh, përpara se dikush të shqyrtojë vullnetin e Ukrainës për të mbijetuar si një komb i lirë. Dhe për këtë të fundit, nuk mund të përcaktohet dot një shifër./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje