
Katër avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore Greke mbërritën në Qipro në kuadër të forcimit të masave parandaluese dhe bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Qipros dhe Greqisë, pas sulmit me dy dronë ndaj bazës britanike në Akrotiri. Dyshimet janë se sulmi u krye nga baza e Hezbollahut në Liban.
Zëdhënësi i Qeverisë së Qipros, Konstantinos Letymbiotis, njoftoi përmes një postimi se avionët u ulën në ishull pas një reagimi të menjëhershëm të qeverisë greke. Ai theksoi se dislokimi bëhet në kuadër të rritjes së gatishmërisë dhe koordinimit mes dy vendeve.
Katër F-16 Viper do të vendosen në aeroportin e Pafos dhe shoqërohen nga një avion transporti C-130 për mbështetje logjistike.
— Λετυμπιώτης Κων/νος (@letymbiotis) March 2, 2026
Autoritetet greke kanë njoftuar gjithashtu se drejt Qipros do të dërgohen fregatat “Kimon” dhe “Psara”. Kjo e fundit do të jetë e pajisur me sistemin “Kentavros”, sipas vendimit të Këshillit Qeveritar për Politikën e Jashtme dhe Mbrojtjen (KYSEA), siç bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias.
Ministri grek shtoi se për koordinim më të mirë të veprimeve mes Athinës dhe Nikozisë, ai dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerali Dimitrios Choupis, do të udhëtojnë në Qipro.
Dislokimi i mjeteve ajrore dhe detare greke vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, ndërsa autoritetet në Qipro kanë rritur nivelin e gatishmërisë pas incidenteve të fundit që lidhen me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje