
Ka nisur samiti online i liderëve të “Aleancës së të Gatshmëve”, ku ka marrë pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Takimi po zhvillohet nën drejtimin e Presidentit francez, Emmanuel Macron ndërsa kanë marrë pjesë edhe liderët e Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe vendeve të tjera aleate.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Macron falënderoi në mënyrë të veçantë përfaqësuesit që iu bashkuan nga Australia dhe Japonia, përpara se të paraqiste rendin e ditës së diskutimit.
“Qëllimi ynë është të përpilojmë një strategji të përbashkët në funksion të vizitës së Presidentit Zelensky në Uashington, që zhvillohet nesër”, tha Macron.
Sipas njoftimeve zyrtare, nesër pritet që krerët evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, Presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, të udhëtojnë drejt Uashingtonit për të zhvilluar bisedime me Presidentin amerikan Donald Trump dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë synon të forcojë pozitat e Kievit, në një moment kur Presidenti Trump po negocion për një marrëveshje të shpejtë paqeje me Rusinë.
Trump, i cili u takua të premten me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska, deklaroi në një postim në rrjetet sociale se “është arritur përparim i madh me Rusinë”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedimeve.
Sipas burimeve diplomatike, në samitin e Alaskës janë diskutuar propozime që përfshijnë dorëzimin nga Rusia të disa zonave të vogla të pushtuara, në këmbim të koncesioneve nga Ukraina në formën e një zone të gjerë të fortifikuar në lindje, si dhe një “ngrirje” të vijave të frontit në territore të tjera.
Megjithatë, shumë nga kërkesat e Putinit vlerësohen si shumë të vështira për t’u pranuar nga Kievi, duke sugjeruar se përpara janë negociata të vështira për të mbyllur luftën më të përgjakshme në Evropë në 80 vitet e fundit, e cila ka hyrë në vitin e katërt dhe ka shkaktuar mbi 1 milion të vrarë apo të plagosur.
Lini një Përgjigje