Protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke përsëritur kërkesat për largimin e kryeministrit dhe duke paralajmëruar një protestë kombëtare më 11 korrik.
Pas fjalimeve të mbajtura përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin 38-të në rrugët kryesore të Tiranës.
Marshimi i qytetarëve do vijojë përgjatë një itinerari të paracaktuar në qendër të Tiranës. Pasi u nisën nga zona përpara Kryeministrisë, pjesëmarrësit do kalojnë përmes Parkut Rinia, do vijojnë drejt zonës së ish-Bllokut, më pas përgjatë Liqenit Artificial, për të mbërritur në Sheshin "Nënë Tereza", ku pritet të përmbyllin tubimin.
Qindra qytetarë, të rinj, familjarë me fëmijë, studentë, pensionistë dhe aktivistë po ecin në grup përgjatë itinerarit të përcaktuar nga organizatorët, duke mbajtur pankarta dhe flamuj kombëtarë. Atmosfera u shoqërua me brohoritje të vazhdueshme, ndërsa pjesëmarrësit kërkonin dorëheqjen e kryeministrit dhe plotësimin e kërkesave të paraqitura nga organizatorët e protestës.
Gjatë marshimit dëgjohen thirrje si "Rama, jep dorëheqjen", "Rama ik", "Kjo qeveri duhet të largohet", "Ju erdhi fundi" dhe "Shqipëria është e qytetarëve", ndërsa protestuesit deklaruan se do të vazhdojnë mobilizimin deri në realizimin e objektivave të tyre.
Gjatë tubimit, organizatorët njoftuan gjithashtu se më 11 korrik, në ditën kur në Tiranë është planifikuar të mbahet koncerti i reperit amerikan Kanye Ëest, do të organizohet një protestë kombëtare. Thirrja u bë nga një prej aktivisteve, e cila ftoi qytetarët nga e gjithë Shqipëria t'i bashkohen tubimit.
"Meqë jemi te tema e koncertit të Kanye West, në datën 11 thërrasim sërish protestë kombëtare. Në orën 19:00, me të njëjtin flamur dhe të njëjtin qëllim. Kjo protestë i takon popullit. Çdo vendim që merret, merret para popullit dhe jo pas dyerve të mbyllura", deklaroi ajo.
Në të njëjtën kohë, protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të qeverisë për financimin e organizimit të koncertit me fonde publike.
Lini një Përgjigje