Edhe këtë herë, Edi Rama ka tërhequr vëmendjen e mediave turke, por jo për fjalimin apo takimet në Samitin e NATO-s.
Pas raportimeve për mbërritjen e tij në Ankara me një charter privat luksoz, kësaj radhe në qendër të vëmendjes ka përfunduar... veshja e kryeministrit shqiptar.
Televizioni CNN Türk i ka kushtuar një kronikë të veçantë paraqitjes së Ramës, duke vënë në dukje se ai ishte i vetmi lider që zgjodhi të paraqitej me atletet e tij karakteristike të bardha.
"Samiti i 36-të i NATO-s në Ankara po tërheq vëmendje jo vetëm për çështjet kritike globale, por edhe për preferencat stilistike të liderëve", shkruan media turke.
Sipas CNN Türk, ndërsa pothuajse të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive zbritën nga avionët me këpucë klasike të errëta, Rama "e theu edhe një herë modelin", duke ruajtur stilin që e ka shoqëruar prej vitesh në daljet e tij ndërkombëtare.
"Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbërriti në aeroportin Esenboğa për të marrë pjesë në samit. Rama edhe një herë qëndroi besnik zgjedhjes së tij karakteristike të atleteve të bardha", thekson televizioni turk.
Nuk është hera e parë që veshja e kryeministrit shqiptar bëhet objekt komentesh në mediat e huaja. Atletet e bardha janë kthyer prej kohësh në një element të identitetit të tij publik, duke tërhequr vëmendjen pothuajse në çdo samit ndërkombëtar ku merr pjesë.
Këtë herë, komentet vijnë vetëm pak orë pasi mediat turke publikuan edhe pamjet e mbërritjes së Ramës në Ankara me një avion privat të kompanisë VistaJet, duke e vendosur kryeministrin shqiptar dy herë në qendër të raportimeve nga Samiti i NATO-s.
Lini një Përgjigje