TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Gusht 2025, 09:36

Shqiptarët trondisin qeverinë e Malit të Zi: Zv/kryeministri Nik Gjeloshaj nën akuzë për kërcënim të Presidentit Milatoviç

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Shqiptarët trondisin qeverinë e Malit të Zi: Zv/kryeministri Nik
Zëvëndëskryeministri i Malit të Zi, shqiptari Nik Gjeloshaj /

Përballja e presidentit malazez dhe zëvendës kryeministrit shqiptarë në Prokurorinë Themelore në Podgoricë ndez krizat e brendshme të Malit të Zi, me në qendër akuza politike, etnike dhe interesa financiare...

Më 6 gusht 2025, në orën 09:00 të mengjesit, në Prokurorinë Themelore të Podgoricës u paraqit në cilësinë e të paditurit zëvendëskryeministri dhe ministri i zhvillimit ekonomik të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj. Ai po hetohet mbi bazën e kallëzimit penal të ngritur nga presidenti Jakov Milatoviç, i cili pretendon se Gjeloshaj e ka kërcënuar përmes komunikimeve private pas vendimit të kreut të shtetit për kthimin në Kuvend të ligjit për tatimin mbi pronat.

Në orën 12:00, vetë presidenti Milatović do të japë deklaratën e tij zyrtare para prokurorisë.

Sipas mediave malazeze, Gjeloshaj i kishte dërguar Milatović-it mesazhe ku e akuzonte se po ndihmonte strukturat klienteliste të lidhura me koncesionin e kompanisë publike "Plantaže" dhe e paralajmërinte për "reagimin e shqiptarëve në çdo nivel", duke shtuar se do të "marrë përgjigjen që meriton". Këto fjali, sipas presidentit, përmbajnë nënvënime kërcënuese dhe etnike.

Nga ana e tij, Nik Gjeloshaj ka mohuar kategorikisht qëllime të tilla tilla, duke e konsideruar kallëzimin si një "manovër politike" dhe si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë e presidentit për bllokimin e një ligji që prek mbi 22 mijë fermerë dhe pronarë të tokave bujqësore.

Çështja ka ngjallur reagime të forta politike dhe publike në Mal të Zi, pasi ndodhet në kryqëzimin e interesave etnike, ekonomike dhe ligjore. Mosmarrëveshja në fjalë shënon thellimin e ndasive në brendësi të koalicionit qeverisës dhe paraqet një rrezik serioz për stabilitetin institucional të vendit.

Në sfond, nënkuptohet edhe lufta nëntokësore për kontroll mbi sektorin strategjik të pronave dhe ekonominë agrare, ku ndikimi i rrjeteve korruptive dhe i interesave etnike është bërë shesh beteje.

Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm për Malin e Zi, kur vendi synon të avancojë në procesin e integrimit europian. Një skandal i tillë, qoftë si konflikt personal apo si devijim institucional, mund të minojë imazhin ndërkombëtar të Podgoricës dhe të frenojë progresin drejt standardeve të BE-së.

Tashmë, fjalën e ka drejtësia. Por pyetja që shtrohet është: a do të mbizotërojë transparenca dhe ligji, apo do të kemi një pazar politik në dëm të interesit publik?/Pamfleti

nik gjeloshaj

Lini një Përgjigje