Bota13 Prill 2024, 18:46

Si po i paguan Evropa vendet e tjera për të kontrolluar kufijtë e saj

Shkruar nga Laura Dubois & Adam Samson

Si po i paguan Evropa vendet e tjera për të kontrolluar kufijtë e

Vendet evropiane po i forcojnë kufijtë e tyre me gardhe, po përshpejtojnë procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil në qendra të mbyllura dhe po i transferojnë këto procese në një varg vendesh në periferi të Evropës, përfshirë Tunizinë autoritare. Por a mund ta zgjidhin këtë çështje këto politika të diskutueshme, dhe nëse po me çfarë kostoje?

Të fshehur pas kaktuseve të larta që rrethojnë një ullishte në qytetin e vogël tunizian Jebiniana, rreth 300 njerëz strehohen në disa kasolle të improvizuara plastike, në pritje për të kaluar Detin Mesdhe dhe mbërritur në Evropë. Njëri prej tyre është Aruna, një 39-vjeçar nga Sierra Leone, i cili mbërriti në Tunizi vitin e kaluar.

Ai i ka mbijetuar një udhëtimi të mundimshëm prej 5000 km nëpër shkretëtirën e Saharasë. Megjithatë është ende në rrezik. Zona bregdetare rreth portit tunizian Sfax - pak më pak se 190 km nga ishulli italian Lampedusa - është në shënjestër të një oporacioni të fortë kundër emigrimit të paligjshëm nga ana e autoriteteve tuniziane, të cilat marrin miliona euro në fonde vjetore nga BE-ja për të ndihmuar në frenimin e zbarkimeve në Evropë.

Në mesin e muajit shkurt, kur Aruna u largua nga kampi për të blerë ushqime, u pikas dhe u arrestua nga policia lokale. “Më morën telefonin, më lidhën, më rrahën. Pastaj më çuan në shkretëtirë”- tregon ai. Më pas oficerët e gardës kombëtare të Tunizisë e hipën në një autobus dhe e çuan bashkë me 70 persona të tjerë në kufirin me Algjerinë, ku i braktisën në orën 2 të mëngjesit pa ushqim dhe ujë.

Arunës iu deshën 13 ditë për t'u kthyer në kamp, duke u fshehur gjatë ditës, dhe duke ecur natën me këmbët e ënjtura nga lodhja, për t’u ribashkuar me djalin e tij 7-vjeçar, të vëllain adoleshent dhe të afërm të tjerë. Familja e tij është në mesin e mijëra njerëzve nga shumë vende anembanë Afrikës, që janë të gatshëm të ndërmarrin një nga rrugët më vdekjeprurëse për në Evropë për t'i shpëtuar konflikteve dhe varfërisë.

Vitin e kaluar rreth 292.000 njerëz mbërritën në BE në mënyrë të parregullt, pa leje për të hyrë ose qëndruar. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Emigracionin, kjo është shifra më e lartë që nga viti 2016. Rritja e këtij fluksi, që e futi Evropën në një kërkim 10-vjeçar për gjetjen e një zgjidhjeje, po teston tani vlerat dhe angazhimin e BE-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Nën presionin e partive të ekstremit të djathtë, që në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare evropiane të qershorit kanë si kauzë kryesore të tyre kundërshtimin e emigracionit, Brukseli ka miratuar masa gjithnjë e më të ashpra për të penguar ardhjen e azilkërkuesve dhe emigrantëve.

Vendet evropiane po i forcojnë kufijtë e tyre me gardhe, po përshpejtojnë procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil në qendra të mbyllura dhe po i transferojnë këto procese në një varg vendesh në periferi të Evropës, përfshirë Tunizinë autoritare. Por a mund ta zgjidhin këtë çështje këto politika të diskutueshme, dhe nëse po me çfarë kostoje?

Ekspertët e kanë akuzuar BE-në, që kohët e fundit ka nënshkruar marrëveshje edhe me Mauritaninë dhe Egjiptin, se ka mbyllur njërin sy ndaj shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut. “Për BE-në prioritete të qarta: të minimizohen largimet nga Tunizia, pa marrë parasysh dëmin humanitar”- thotë Romdhane Ben Amor, zëdhënëse për Forumin Tunizian për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale (FTDES).

Marrëveshja midis BE-së dhe Tunizisë është emblemë e një pazari aspak parimor. Gjurmimet e njerëzve në det nga autoritetet tuniziane u dyfishuan vitin e kaluar në 81.000, thotë FTDES. Dy të tretat e 105 milionë eurove që janë premtuar t’i jepen Tunizisë sipas marrëveshjes shkojnë për menaxhimin e kufirit.

Në përgjithësi, parashikohet që deri në vitin 2027 Brukseli të shpenzojë 278 milionë euro

për menaxhimin e emigracionit ilgeal në Tunizi. Por sipas diplomatëve evropianë, misioneve  ndërkombëtare humanitare dhe OJQ-ve, gjatë muajve të fundit autoritetet tuniziane kanë arrestuar dhe larguar me forcë mijëra emigrantë dhe azilkërkues në Algjeri dhe Libi, në kundërshtim të hapur me ligjin ndërkombëtar dhe humanitar.

Disa persona të intervistuar nga “Fiancial Times” thonë se janë arrestuar në mënyrë arbitrare dhe janë dërguar me forcë në zonat kufitare. Të tjerë thonë se janë mbajtur në burgjet libiane. Kali, që ka mbërritur në Jebiniana nga Nigeria, thotë se ai iu shit autoriteteve libiane nga garda kombëtare tuniziane pasi u kap në det në tetor 2023.

“Ata u dhanë atyre një zarf në praninë tonë”- shton ai. Nigeriani tregon se ai dhe 40 të tjerë u dërguan në një burg pranë Tripolit, ku u detyruan të paguanin 700 euro secili për t'u liruar.

Zyrtarët ndërkombëtarë kanë konfirmuan se kundër autoriteteve tuniziane ka pasur akuza individuale për trafikim njerëzor. Ministria e Jashtme tuniziane i cilëson si “të pabaza” këto akuza”.

“Kjo është dilema me të cilën përballet BE-ja. Nga njëra anë, ajo ka standarde jashtëzakonisht të larta të të drejtave themelore. Nga ana tjetër, ajo po përballet me këtë çështje shumë të kontestuar të emigrimit”- thotë Emily O’Reilly, ombudsmeni i BE-së që drejton hetime të pavarura në administratën e bllokut.

Politikat më të ashpra ndaj emigracionit të paligjshëm u testuan për herë të parë pas viteve 2015 dhe 2016, kur një numër rekord njerëzish kërkuan azil në BE, shumë prej të cilëve u larguan nga lufta civile siriane. Ardhja e papritur e mbi 2 milionë burrave, grave dhe fëmijëve i vendosi shumë në presion vendet jugore si Italia dhe Greqia, ku mbërrijnë për herë të parë shumica e emigrantëve të parregullt.

Sipas Rregullores së Dublinit, emigrantët janë të detyruar të regjistrohen për azil kudo ku hyjnë fillimisht në BE. Në atë kohë vendet më të pasura si Gjermania u ankuan se emigrantët po udhëtonin në veri pa u regjistruar, duke akuzuar vendet jugore të bllokut se po e toleronin qëllimisht këtë gjë.

Për të lehtësuar presionin, në vitin 2016 BE-ja arriti një marrëveshje me Turqinë, e cila ra dakord të strehonte refugjatët sirianë që shkonin drejt Evropës në këmbim të 6 miliardë eurove për disa vite. Ajo shumë u plotësua në vitin 2021 me 3 miliardë euro shtesë.

Politikanët e cilësuan si të suksesshëm paktin, dhe në fakt midis 2016 dhe 2017-ës mbërritjet e parregullta në bllok ranë me 50 për qind. Fondet e BE-së kanë kontribuar në menaxhimin e kufijve, por edhe në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe transferimin e parave për emigrantët në Turqi.

Në provincat kufitare me BE-në “mendohet se ndihma evropiane po i ndihmon ata të përballen me këtë dukuri” thotë Nikolaus Meyer-Landrut, kreu i delegacionit të BE-së në Turqi. Që nga ajo kohë Brukseli i ka shtuar përpjekjet në këtë drejtim.

Një shembull tjetër është marrëveshja e vitit 2017 midis Italisë dhe Libisë, sipas së cilës BE-ja premtoi fonde për të frenuar emigracionin, duke përfshirë 59 milionë euro për të forcuar rojet bregdetare libiane. Por burgimi, skllavërimi dhe torturimi i emigrantëve dhe azilkërkuesve në burgjet libiane është i mirë-dokumentuar.

Në vitin 2023, një raport i OKB-së akuzoi autoritetet libiane për krime të mundshme lufte dhe krime kundër njerëzimit. Diplomatët evropianë dhe organizata humanitare thanë për FT se vazhdon burgimi i emigrantëve në Libi, dhe se të paktën 7.000 njerëz të kapur në Tunizi janë dërguar atje që nga vera e kaluar.

“E çfarë tjetër duhet të dimë për të pezulluar financimin e marrëveshjeve të tilla?”- pyet Tineke Strik, një ligjvënës i BE-së për të Gjelbrit, duke argumentuar se mbështetja e BE-së për vendet e treta i jep asaj “bashkëpërgjegjësi” për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Por në vend se të ngadalësojë përpjekjet e saj, BE-ja po forcon gjithnjë e më shumë kufijtë e saj të jashtëm për të penguar njerëzit të vijnë. Pas disa vitesh përplasjesh, në dhjetor u ra dakord mbi një reformë të rëndësishme të sistemit të përbashkët të azilit dhe emigracionit, por pa rishikuar ndjeshëm Rregulloren e Dublinit.

Në vend të kësaj, do të ketë më shumë kërkesa nga njerëz fatkeq që do të dëgjohen në qendrat e mbyllura në kufi, për të cilat aktivistët thonë se janë de fakto objekte paraburgimi.

Ndërkohë shumë emigrantë në kampin e Jebiniana dhe gjetkë janë të vendosur të përfundojnë udhëtimet e tyre pavarësisht rreziqeve. Aruna ka punuar si roje sigurie në një shkollë në Sierra Leone. Por ai u detyrua të ikte pasi gruaja e tij u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë gjatë një proteste antiqeveritare në Vaterlo, dikur një parajsë për afrikanët e çliruar nga skllavëria. Shtëpia që la pas nuk i ofron më siguri. “Unë dua të shkoj në Evropë për të shpëtuar jetën time”- thotë ai. / Përshtati “Pamfleti” nga "Financial Times"

europe