
Ambasdori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për televizionin serb “Nova Tv”, ka komentuar pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se artikulli i revistës së “New York Times”, i cili zbuloi lidhjet e tij me botën e krimit në Serbi, ishte mesazh nga Agjencia Qendrore e Intelegjencës Amerikane (CIA) për shkak të problemeve me Kosovën.
“Me gjithë respektin për presidentin tuaj, CIA ka një sërë detyrash. Ata merren me sigurinë kombëtare, së bashku me Presidentin dhe Kongresin e SHBA-ve, por CIA nuk ka asnjë përgjegjësi të ndihmojë ‘New York Times’ të shkruajë artikuj, kështu që unë nuk mendoj se kjo është e drejtë për CIA-n”, tha diplomati amerikan kur është pyetur nëse kishte ndonjë grimcë të drejte presidenti serb.
Kujtojmë se Vuçiç tha se artikulli i prestigjiozes amerikane ishte porositur prej gati pesë muajsh dhe se ishte i mbushur plot me të pavërteta.
“Teksti i pakuptimtë në ‘The New York Times’ është porositur para pesë muajsh dhe e kanë hartuar njerëzit këtu (në Serbi). Nuk e ka shkruar atë njëfarë amerikani, gazetar i pavarur, që e kanë gjetur diku. Në tekst janë të gjitha gënjeshtrat që i kanë publikuar këtu për ta fshehur bashkëpunimin e tyre me klanin e Belivukut”, tha Vuçiç duke theksuar se është fshehur fakti se dy nga dëshmitarët kanë pohuar se është përgatitur njëfarë “komploti” ndaj tij.
Ndërkohë edhe redaksia e revistës javore amerikane “New York Times”, nëpërmjet një përgjigje me shkrim për gazetën opozitare serbe “Nova”, demantoi pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, përveç se i cilësoi gënjeshtra pohimet e ngritura në një artikull të gjatë të revistës në fjalë për lidhjet e tij me botën e krimit, në një intervistë për televizionit pro-qeveritar, tha se e njëjta ishte porositur para pesë muajsh dhe atë e kanë hartuar njerëzit në Serbi.
“Artikulli i The New York Times Magazine mbi gjyqin serb dhe lidhjet midis lidershipit më të lartë të vendit dhe bandave të dhunshme të drogës bazohet në dhjetëra intervista, dokumente, transkripta gjyqësore dhe raportime rigoroze në terren nga Robert Worth [autori i artikullit]. Çdo pretendim tjetër është i rremë”, thuhej në përgjigjen e prestigjiozes amerikane për gazetën serbe, si formë reagimi ndaj akuzave të presidentit serb.
Artikulli i së përjavshmes amerikane “New York Times” për qeverinë mafioze në krye të Serbisë, bëri bujë të madhe në mesin e politikanëve, diplomatëve dhe vëzhguesve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Autori i artikullit, Robert Worth, solli në qendër të vëmendjes – sërish – lidhjet e dyshimta të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me huliganin dhe trafikantin e drogës, Veljko Belivuk, i cili ka kohë që është subjekt i hetimeve në Serbi.
Aritkulli zbuloi përpjekjet shumë-vjeçare të Vuçiç-it për “kontroll të plotë mbi pothuajse çdo aspekt të jetës publike” në Serbi dhe gjurmoi qartë lidhjet e tij me grupet mafioze, kriminelët e luftës, huliganët serbë të futbollit, të cilët sipas “The New York Times” janë përfshirë në politikën e paqëndrueshme të Ballkanit Perëndimor dhe ndihmuan nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet tjera të rajonit, përfshirë ato në veri të Kosovës.
Lini një Përgjigje