TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Janar 2026, 16:56

Skandal financiar në Gjermani/ Dyshohet se pastronte paratë e Abramovich, Prokuroria bastis zyrat e “Deutsche Bank”

Shkruar nga Pamfleti
Skandal financiar në Gjermani/ Dyshohet se pastronte paratë e
Deutsche Bank

Një operacion i befasishëm u zhvillua këtë mëngjes në Gjermani, ku agjentët e Antikrimit Federal ndërmorën një bastisje në zyrat qendrore të Deutsche Bank në Frankfurt dhe në një filial në Berlin. Lajmi u konfirmua fillimisht nga e përditshmja Der Spiegel, që raportoi se kontrolli është pjesë e një hetimi të gjerë për dyshime për pastrim parash, ku janë përfshirë drejtues dhe punonjës të panjohur të bankës.

Sipas Prokurorisë së Frankfurtit, hetimi lidhet drejtpërdrejt me oligarkun rus Roman Abramovich, i cili është sanksionuar nga Bashkimi Europian që prej marsit 2022, në kuadër të masave ndaj mbështetësve të regjimit rus dhe agresionit të Moskës ndaj Ukrainës.

Autoritetet gjermane dyshojnë se Deutsche Bank ka dështuar të raportojë në kohë transaksione të dyshimta të lidhura me kompani që zotëroheshin ose kontrolloheshin nga Abramovich, i cili rezulton klient i bankës. Këto lëvizje financiare mund të kenë shërbyer për shmangien e sanksioneve europiane dhe për transferimin e pasurive të ngrira në mënyrë të fshehtë.

Përmes një deklarate zyrtare, Deutsche Bank ka pranuar se në zyrat e saj “është duke u zhvilluar një hetim nga Prokuroria e Frankfurtit” dhe ka shtuar se institucioni “po bashkëpunon plotësisht me autoritetet”. Megjithatë, banka nuk ka dhënë detaje të mëtejshme lidhur me përmbajtjen e hetimeve.

Ky zhvillim vjen vetëm një ditë para se Deutsche Bank të publikojë të dhënat zyrtare të tremujorit të katërt dhe të gjithë vitit 2025, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në perceptimin e tregjeve ndaj bankës më të madhe gjermane.

deutsche bank abramovic

Lini një Përgjigje